Ekspozita 'Dekonstruksion' bëri bashkë 14 artistë të rinj në Prishtinë

Ekspozita 'Dekonstruksion' bëri bashkë 14 artistë të rinj në Prishtinë

Kultura November 13, 2019 - 10:28

Liridona Ahma
Mbrëmë në Muzeun Kombëtar të Prishtinës, në orën 19:00, u bë hapja e ekspozitës “Dekonstruksion”, e kuruar nga profesoresha e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Majlinda Kelmendi. Në këtë rast Muzeu Kombëtar i Prishtinës shërbeu si hapësirë ku u prezantua puna e studentëve të artit dhe artistëve të rinj e premtues, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kuratorja dhe ideatorja e ekspozitës “Dekonstruksion” tregoi për gazetën “Zëri” se ideja për këtë projekt ka ardhur duke parë sukseset e studentëve të saj gjatë viteve të tyre të studimit. “Ekspozita ka ardhur tek unë si ide, pasi ne kemi kontakt si pedagogë me brezat e rinj të artit, me përpjekjet, me sfidat dhe me hulumtimet e tyre në vazhdimësi. Sigurisht është ndjenjë e mirë kur sheh duke u rritur profesionalisht këta artistë, përveç punës individuale dhe ligjëratave në proces, e ndien të nevojshme dhe obligative plasimin e veprave të tyre të zgjedhura artistike në projekte serioze për publikun e gjerë”, tregoi Kelmendi.

Galeria e Fakultetit të Arteve herë pas herë me studentë organizon ekspozita të ndryshme, por kësaj radhe Kelmendi dëshironte të dilte jashtë dimensionit të Kampusit të Universitetit në një publik më të gjerë, kështu duke e bartur ekspozitën në Muzeun Kombëtar të Prishtinës. Kuratorja i tha “Zërit” se kjo së pari u bë për vlerat e tyre artistike, por gjithashtu edhe për përkrahjen për të vazhduar më tej. Për ta ishte shumë e rëndësishme që projekti të realizohej edhe në praktikë, pra qëllimi ishte që punimet e realizuara të shfaqen edhe para një publiku më të gjerë. Sipas kuratorës, ky ballafaqim i artistëve të rinj me një numër më të madh të publikut e çoi punën e tyre në një tjetër nivel.

 

Ekspozita titullohet "Dekonstruksion" sepse artistët vazhdimisht e referojnë ndërtimin e së kaluarës në tema të rëndësishme, duke kritikuar modele të vjetruara, duke studiuar histori të harruara ose të kontestuara për të realizuar ide. Kjo ekspozitë tregon se si të kuptuarit e precedentit historik është një pjesë e rëndësishme e sigurimit të kontekstit dhe informimit të përvojave tona aktuale. Përmes krahasimit dhe kontrastimit të ideve bashkëkohore dhe shembujve historikë, artistët dhe studentët e artit janë në gjendje të shohin se si idetë evoluojnë dhe si e kaluara informon tendencat e ditëve të sotme me ide të reja.

Në këtë ekspozitë janë 14 artistë dhe paraqiten 18 punime. Artistët janë ish-studentë të Artit Konceptual dhe Mediet e Reja, të cilët kanë përfunduar dhe janë të diplomuar në ciklin e studimeve bachelor dhe në master në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” e po ashtu edhe me studentë që janë ende në studime. Punimet e kësaj ekspozite janë të realizuara në kuadër të lëndës “Pikturë Konceptuale”, të cilën e ligjëron Kelmendi.

Artistët që me punimet e tyre morën pjesë në këtë ekspozitë janë: Rea Latifi, Abetare Syla, Agnesa Eshrefi, Ardhmërie Bregovina, Art Terstena, Diore Buzhala, Ema Isaku, Endrita Ibishi, Enkela Maxhuni, Erza Kryeziu, Drilon Haxhijaj, Fikrete Misini, Endrit Jashanica dhe Kybra Alemdar. Gjatë punës së tyre këta artistë kishin përdorur mediume të ndryshme të artit, si pikturë, instalacion dhe mix medie.

Sipas kuratores, ajo çka i karakterizon këto punime prej njëra-tjetrës është se secili artist, secila vepër ka individualitetin e vet si në teknikë, temë e ide dhe është e shoqëruar me një koncept të veçantë.

Profesoresha Kelmendi është shumë e kënaqur me punën e secilit prej studentëve të saj.

“Veprat e realizuara janë fryt i një pune të gjatë hulumtuese deri në finalizimin e veprave. Theksoj se vlerat dhe puna e tyre janë të lavdërueshme”, theksoi ajo.

Duke qenë se Kelmendi vazhdon tash e disa vite të punojë me studentë të artit dhe u ndihmon atyre për prezantimin e vepra artistike, ajo konsideron se ka nevojë që të gjithë të japin kontribut për të përkrahur brezin e ri. Mësimdhënësja e artit thekson se çdo gjeneratë ka individë të dalluar në ide, në cilësi dhe në përkushtim. Pikërisht nga përvoja e saj ajo tregon se ka artistë të rinj premtues, të cilët duhet t’i mbështesim për të vazhduar më tej. Zëri