Komuniteti RAE organizon për herë të parë një festival shumëkulturor

Komuniteti RAE organizon për herë të parë një festival shumëkulturor

Kultura nëntor 07, 2019 - 09:49

Organizata "Voice of Roma, Ashkali and Egyptians" - VoRAE po organizon për herë të parë një festival shumëkulturor në Kosovë. Përmes Festivalit Multikulturor kjo organizatë po synon të promovojë diversitetin që ofrojnë këtu kulturat, por edhe të ngrejë zërin për problematikat me të cilat këto komunitete përballen në Kosovë, shkruan sot gazeta "Zëri".

"Voice of Roma, Ashkali and Egyptians" ka njoftuar se Festivali Multikulturor do të mbahet më datat 13 dhe 14 nëntor. Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për medie, ky festival, i pari i këtij lloji në Kosovë, do të mbahet në hotelin “Emerald”, në Prishtinë, nga ora 10:00 - 17:00.

Sipas organizatorëve, Festivali Multikulturor është një ngjarje, e cili promovon identitetin e kulturën e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, minimizon përjashtimin social dhe promovon rolin e grave në shoqëri dhe në ofrimin e mundësive të barabarta. Festivali synon të mbledhë përfaqësues të ndryshëm lokalë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve publike, të rinj nga grupe të ndryshme etnike, si dhe donatorë të ndryshëm në Kosovë për të diskutuar mbi rëndësinë e gruas në shoqëri, për pasojat e gjuhës së urrejtjes dhe antigipsizmin. Festivali do t’i adresojë gjithashtu sfidat me te cilat përballen te rinjtë në arsim dhepunësim, si dhe promovimin e identitetit e të kulturës së komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Përmes këtij festivali, i cili synon të bëhet tradicional, ne dëshirojmë t’i luftojmë paragjykimet dhe stereotipat që ekzistojnë ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, duke promovuar nëpërmjet kulturës, muzikës, artit dhe mbi të gjitha duke diskutuar me panelistët e ndryshëm nga vendi e rajoni mbi çështjet që kanë ndikim
të drejtpërdrejtë në shoqëri”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Hapja e këtij festivali do të bëhet nga Isak Skenderi, drejtor ekzekutiv i organizatës,  Albin Kurti, kandidat për kryeministër të Kosovës, si dhe Jean-Hubert Lebet, ambasadori i Zvicrës në Kosovë.

Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë dy ditëve të festivalit do të ketë mbi 15 panelistë nga fusha të ndryshme, duke përfshirë institucionet publike, organizatat ndërkombëtare, aktivistë të shoqërisë civile dhe ambasadorë. Në kuadër të këtij festivali do të bëhet edhe promovim i bizneseve, i autorëve, i piktorëve, i muzikantëve etj. Zëri