Serbia mban Festivalin e Filmit Vendor në Leposaviq

Serbia mban Festivalin e Filmit Vendor në Leposaviq

Kultura nëntor 07, 2019 - 09:46
Image

Ministria e Kulturës e Republikës së Serbisë është duke mbajtur në Leposaviq të Kosovës të ashtuquajturin Festival të Filmit Vendor. Festivali i filmit serb ka hyrë në natën e katërt dhe ai është duke u mbajtur në qendrën e kulturës “Sava Deçanac” në Leposaviq. Në natën e tretë, të martën, në program ishte filmi “Savovi”, ndërsa në mbyllje do të shfaqen edhe filmat “Ajvar” dhe “Ekipa”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në festivalin e sivjetmë të filmit serb nuk merr pjesë regjisori i njohur boshnjak Emir Kusturica, i cili është konvertuar në serb dhe atij përgjithmonë i janë mbyllur dyert e Sarajevës, nga e cila është dëbuar pasi ka mbështetur serbët dhe Serbinë gjatë luftës.

Organizatorë e festivalit nga qendra e kulturës “Sava Deçanac” u kanë thënë medieve në veri të Mitrovicës se janë të kënaqur me rrjedhën e festivalit, posaçërisht nga fakti se në dy mbrëmjet e para kanë mundur t’i gostitin aktorët eminentë, protagonistë të filmave që kanë qenë në program.

Festivalin e 17-të, të ashtuquajtur Festivali i Filmit Vendor (festivali i filmit serb) në Leposaviq, e ka hapur filmi “Delirijum tremens”, i regjisorit Goran Markoviq, pas të cilit para publikut ka dalë aktori Tihomir Staniq, bartës i rolit kryesor dhe producentja Barija Bereta. “Kossev”-i shkruan se aktori Tihomir Staniq është mik i madh i Leposaviqit, për çka dëshmon e dhëna se deri më tash shumë herë ka ardhur për ta mbështetur këtë manifestim.

Filmi “Delirijum tremens” përshkruhet si shembull i mundësive të ndryshme në rrugë nga katarzi. E ndërkaq producentja Marija Bereta, e cila për herë të parë ndodhej në Leposaviq, siç përcjell “Kossev”-i, thotë se filmi “Delirijum tremers” ka zgjuar interesim të madh të adhuruesve të artit filmik, por edhe kritika ka reaguar pozitivisht, për çka dëshmojnë shpërblimet e shumta.

Këtë vit në Festivalin e Filmit Serb në Leposaviq janë shfaqur pesë filma, sipas serbëve “vendorë”, me të cilët shikuesit janë ndarë të kënaqur. Njëri nga organizatorët, Ivan Vuçkoviq, ka thënë se ndonëse ka pasur mungesë të mjeteve për kulturën, manifestimi edhe më tutje jeton. 

Në mbrëmjen e dytë të festivalit është shfaqur filmi “Rezi”, i regjisorit Kosta Gjorgjeviq, ndërsa kuriozitet të veçantë ka zgjuar paraqitja para publikut e aktores Kristina Jovanoviq, e cila tha se me kënaqësi ka pranuar kërkesën e organizatorëve nga Leposaviqi, meqë dy herë kishte shkuar në Mitrovicë. Sipas organizatorëve, rolin e adoleshentes Maja, të cilin e luan Kristina Jovanoviq, paraqet tregimin universal, por shumë të vështirë për rritjen në kohë të rënda. Ky film ka marrë disa shpërblime.

Festivali i Filmit Serb në Leposaviq do të mbyllet të martën që vjen, derisa publiku mund t’i përcjellë filmat “Ajvar” e pastaj në mbyllje edhe filmin “Ekipa”. Siç mësohet, filmi “Ajvar” flet për personazhet Vida dhe Bane, që janë një çift i martuar, të cilët kanë jetuar në Skandinavi për një kohë të gjatë. Ata kanë karrierë të suksesshme, para të mjaftueshme për një jetë të mirë dhe një qen, por ata nuk kanë fëmijë. Regjinë e këtij filmi e ka bërë Ana Maria Rossi, kurse në rolet kryesore paraqiten Natasa Ninkovic, Sergej Trifunovic, Vesna Cipcic.

Në anën tjetër filmi që mbyll festivalin “Ekipa”, i regjisorit Marko Sopiq, është një komedi që zgjat rreth një orë e gjysmë. Në këtë film luajnë: Rade Cosic, Ljubomir Bandovic dhe Filip Beganovic. Zëri