Konkursi ndërkombëtar i fotografisë 'PreFoto' shpall listën e finalistëve

Konkursi ndërkombëtar i fotografisë 'PreFoto' shpall listën e finalistëve

Kultura nëntor 06, 2019 - 10:17
Image

Qyteti i Preshevës tashmë mund të quhet një vendtakim për pasionantët e fotografisë artistike. Konkursi ndërkombëtar i fotografisë “PreFoto” këtë vit shënon edicionin e nëntë dhe në prag të këtij edicioni janë shpallur emrat e konkurrentëve, të cilët do të jenë pjesë e kësaj gare. Festivali ndërkombëtar i fotografisë "PreFoto" edicionin e nëntë do ta mbajë më datën 16 nëntor, në qytetin e Preshevës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Përfaqësues nga vende të ndryshme të botës do të jenë pjesë e konkursit. Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Austria, Brazili, Kanada, Kina, Franca, Lituania, India, Turqia, Spanja dhe shumë vende të tjera do të përfaqësohen nga artistët në konkursin ndërkombëtar të fotografisë.

Driton Bublaku, Aron Dobroshi, Leoneta Abdyli, Egzon Bytyqi, Halil Xhafa, Hedvig Kadriu e Ilir Dugolli janë disa nga emrat që do të përfaqësojnë Kosovën në këtë edicion.

Edon Agushi, drejtor i "PreFoto"-s, ka njoftuar se kërkesa për të qenë pjesë e festivalit çdo vit veçse po shtohet. Sipas tij, në mesin e mijërave aplikimeve nga vende të ndryshme të botës komisioni  ka përzgjedhur finalistët.

Rikujtojmë se këtë vit “PreFoto” është certifikuar nga organizata IAAP (International Association of Art Photographers) dhe shoqata e fotografëve amerikanë PSA (Photographic Society of America). “Certifikimi i ‘PreFoto’-s nga këto dy organizata ndërkombëtare dëshmon cilësinë dhe seriozitetin e festivalit”, vlerëson Agushi. Stafi i "PreFoto"-s u dëshiron mirëseardhje të gjithë fotografëve në edicionin e 9-të.

Vitin e kaluar çmimin e parë e fitoi fotografi nga Iraku Ali Sabih, të dytin e fitoi fotografja nga Gjermania Klodjo Dijet, kurse me çmimin e tretë u shpërblye Pedro Lyse, nga Spanja. Çmimet u ndanë nga fotografi turk e njëkohësisht anëtar i jurisë, Mustafa Dedollu. “Çmimin Special” të këtij festivali në edicionin e vitit 2018 e fitoi Halil Xhafa nga Kosova, “Çmimin Inkurajues” e fitoi Kristjana Slugevica nga Lituania dhe “Çmimin e Karrierës” e mori Havça Hasani nga Presheva, një ndër aktivistet e para të Preshevës, e cila ishte e njohur për aktivitetet e saj për fuqizimin e gruas. Zëri