Një ekspozitë dedikuar artistëve që mbrojtën Teatri

Një ekspozitë dedikuar artistëve që mbrojtën Teatri

Kultura nëntor 05, 2019 - 10:23

Mjeshtri i mesazhit tronditës, piktori Avni Delvina është rikthyer për artdashësit në Tiranë me ekspozitën “Notre Drame De Tiran”. E kjo ekspozitë dallohet për faktin se punimet e saj sillen të gjitha rreth Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe luftës së zhvilluar vitin e fundit nga komuniteti artistik atje, për ta mbrojtur objektin  e Teatrit nga rrënimi, duke kundërshtar kështu idenë e qeverisë. Ekspozita ka 40 grafika me shumë domethënie e me stilin e veçantë delvinian, përmes të cilave Teatri Kombëtar del në dritë si kurrë më parë. Ekspozita “Notre Drame De Tiran” u çel për publikun në hollin e Teatrit Kombëtar të Tiranës fundjavën që lamë pas. Kjo është një ekspozitë, në të cilën piktori prezanton 40 grafika kushtuar rezistencës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Në hapjen e ekspozitës ishin të pranishëm artistë të ndryshëm, qytetarë, personalitete të jetës politike në vend etj, shkruan sot  gazeta "Zëri".

Piktori i njohur Avni Delvina shprehet se këtë ekspozita ua dedikon qytetarëve dhe artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Për gazetën “Zëri” piktori Avni Delvina ka thënë se qëkur ka nisur protesta e ka mbështetur me krijimtarinë e tij mbrojtjen e teatrit. “Ekspozita ‘Notre Drame De Tiran’ u dedikohet të gjithë qytetarëve dhe artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar prej gati dy vjetësh. Që në fillimet e kësaj proteste e kam mbështetur me krijimtarinë time. Kur e nisa këtë ekspozitë sigurisht se njeriu duhet të mendojë për manifestin”, tha ai.

Në grafikët e piktorit gjejmë aktorë të Teatrit Kombëtar me qëndresën e tyre, por nuk mungojnë qytetarë të ndryshëm dhe të tjerë. Artisti pohon se një pjesë të grafikëve kanë qenë realizuar në një hark kohor prej gati 20 muajsh dhe sipas tij në këtë Tiranë ku nuk po ngel pikë gjurme, si artist ai ka menduar që t’i mbështesë protestën në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

Si artist Avni Delvina vazhdon të prezantojë krijimtarinë e tij me ekspozita të ndryshme herë pas here, ku edhe pse i larguar nga Shqipëria prej afro 3 dekadash, ai vazhdon të revoltohet për hallet e atdheut të tij dhe asnjëherë nuk e ka harruar atë. Ekspozita te Teatri Kombëtar është e dyta, që artisti ka hapur gjatë këtij viti. Në muajin shkurt piktori Avni Delvina erdhi para publikut me ekspozitën “The Donald”, ku jehona e saj nuk mungoi edhe në shtete të ndryshme. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shprehet se është një ekspozitë e shumëpritur. AMT-ja shprehet se Avni Delvina, miku i madh i Teatrit Kombëtar, hapi më 2 nëntor një ekspozitë të shumëpritur e që premton befasi të bukura për artdashësit shqiptarë e sidomos për qëndrestarët e Teatrit, artistë e qytetarë, që prej 20 muajsh protestojnë e mbrojnë ndërtesën, truallin e trashëgiminë e bukur kulturore të lidhur me të. Zëri