Libri i javës -  'Shkenca e mirëqenies' nga Wallace D. Wattles

Libri i javës - 'Shkenca e mirëqenies' nga Wallace D. Wattles

Kultura nëntor 04, 2019 - 10:58

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Shkenca e mirëqenies” nga Wallace D. Wattles.  Ky libër është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Pema” dhe është përkthyer nga Ridvan H. Bunjaku.

“Shkenca e Mirëqenies” është një libër pragmatik prej të cilit mësohen ligje e koncepte bazë për të gjithë njerëzit që duan mirëqenie në jetë. Autori na ofron konkluzione dhe këshilla si rrjedhojë e meditimit dhe e përvojës së gjatë jetësore. Ligji i tërheqjes që tentohet të përvetësohet që nga Amerika në Evropë nga njerëz që duan një jetë e një sistem jete më të mirë, bazën e ka te Wallace Wattles. Libri fund e krye bazohet në filozofinë hindu: E tëra është një, një është tëra.

Siç pohon titulli, libri merret me shkencë, jo me spekulime. Teoria monistike e universit - teoria se materia, mendja, vetëdija dhe jeta janë të gjitha manifestime të një substance – tani është pranuar nga shumica e mendimtarëve; dhe nëse e pranoni këtë teori, ju nuk mund t’i mohoni konkluzionet logjike që do t’i gjeni këtu. Dhe ç’është më e mira, metodat e përshkruara të mendimit dhe të veprimit janë testuar nga autori në rastin e vet dhe në rastin qindra të tjerëve gjatë dymbëdhjetë vjetëve të praktikimit, me sukses të vazhdueshëm dhe pa dështim. Për “Shkenca e Mirëqenies” mund të them se funksionon; dhe se kurdo që dikush i bindet ligjeve të saj, nuk mund të dështojë së funksionuari për aq sa mund të dështojë funksionimi i shkencës së gjeometrisë. Nëse indet e trupit tënd nuk janë shkatërruar kaq shumë sa që vazhdimi i jetës të jetë i pamundur, ti mund të bëhesh mirë; dhe nëse mendon dhe vepron në një Mënyrë të Caktuar, ti do të bëhesh mirë....

Shëndeti është funksionimi përsomërisht natyral i jetës normale. Është një Parim i Jetës në univers; ai është Substanca e Gjallë, nga e cila ndërtohen të gjitha gjërat. Kjo Substancë e Gjallë i përshkon, i depërton dhe i mbush ndër hapësirat e universit. Në gjendjen e vet të padukshme ajo është në dhe nëpër të gjitha format; e prapë të gjitha format ndërtohen nga ajo.

“Shkenca e mirëqenies” nga Wallace D. Wattles mund ta gjeni në pikat e librarisë  “Buzuku” në Prishtinë. Zëri