Rreth 50 albanologë nga vende të ndryshme mblidhen në Prishtinë

Rreth 50 albanologë nga vende të ndryshme mblidhen në Prishtinë

Kultura tetor 23, 2019 - 08:11
Lexoni detajet!
Image

Ka nisur të martën, në Prishtinë, konferenca shkencore ndërkombëtare “Studimet albanistike në Itali”, në të cilën marrin pjesë me kontributet e tyre shkencore rreth 50 referues nga Kosova, Shqipëria, Italia, SHBA-ja, Franca, Bullgaria, Greqia etj. Kjo konferencë, e cila organizohet nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, është dyditore. Pra, do të vazhdojë punimet e saj edhe këtë të mërkurë, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Këshilli organizues, të cilit i prin akademik Rexhep Ismajli, ka ftuar emra të njohur të këtyre studimeve dhe ka hartuar një program të pasur të konferencës, e cila do të zhvillohet në dy ditë, në gjashtë seanca. Konferenca po mbahet në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në Prishtinë.

Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe i Arteve të Kosovës, në fjalën e tij të rastit në ditën e parë të konferencës tha se albanologëve të rinj nuk po u vlerësohet puna në Kosovë.

“Pavarësisht rrethanave politike, këto studime vazhdojnë të jenë në segment i studimeve shkencore, të cilat kanë pasur rritje të pandërprerë. Studimet albanologjike në Kosovë u bënë ballë edhe shumë sfidave në Kosovë. Përmes studimeve në këtë fushë është vendosur një qëndrueshmëri e komunikimit të Kosovës në gjithë botën. Kjo është konferenca e tretë e kësaj tematike. Albanologët e rinj të Prishtinës përballen me një mosnjohje të pashembull”, tha Kraja.

Ndërsa në anën tjetër Rexhep Ismajli, kryetar i Këshillit Organizativ, tha se Kosova ka nevojë për një prezencë kulturore italiane. “Raportet e shqipes me italishten e me latinishten kanë qenë vazhdimisht në vëmendje të studiuesve italianë. Albanologët të gjithë kanë krijuar një traditë, e cila është e përhapur gjithandej. Ata e kanë ndërlidhur veprimtarinë e tyre me atë të arbëreshëve dhe të italianëve. Për Kosovën në veçanti më herët ka pasur më pak interes”, theksoi Ismajli, duke shtuar se ka pasur studime etnografiko-kulturore në kuadër të një projekti të madh të akademisë të atëhershme.

“Ka shumë për të bërë në këtë drejtim, ndoshta kjo konferencë është një nxitje edhe më tepër. Ne kemi nevojë për një prezencë kulturore italiane në Kosovë. Këtë traditë të madhe të albanistikës të zhvilluar në Itali e shohim të përqendruar rreth dy shtyllave studimore”, u shpreh ai.

Në vazhdimësi të dy konferencave të rëndësishme shkencore, studimet albanistike në Amerikë, që u mbajt në vitin 2015 dhe studimet për shqipen në vendet ku flitet gjermanisht e realizuar gjatë 2017-s, të organizuara nga ASHAK-u, pothuajse me distancë të njëjtë kohore, qe planifikuar edhe konferenca shkencore për studimet albanistike në Itali, me shumë interes jo vetëm për praninë e arbëreshëve, për kulturën, letërsinë dhe studimet albanologjike dhe albanistike, por edhe për rezultatet e shumë studiuesve italianë të gjuhës shqipe në radhë të parë, por edhe të letërsisë, antropologjisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi.

“Rezultatet që u arritën në dy konferencat e përmendura më lart, interesimi i madh i atyre që morën pjesë dhe rëndësia e kontributeve që u sollën na shtojnë bindjen se edhe ky aktivitet, jo më pak i rëndësishëm se dy të parët, do të sjellë kontribute nga fusha të ndryshme të studimeve albanologjike e albanistike dhe do të finalizohet me botimin e materialeve, të referateve, të kumtesave dhe të diskutimeve, që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve të konferencës”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut për këtë konferencë.

Italia është vendi me më së shumti qendra studimi të shqipes, katedra universitare që kanë përgatitur kuadro, pedagogë e studiues dhe që kanë realizuar projekte të rëndësishme studimi./ZERI