Handke ftohet në festivalin 'POLIP 2020' në Prishtinë

Handke ftohet në festivalin 'POLIP 2020' në Prishtinë

Kultura October 21, 2019 - 15:11

Shkrimtari austriak Peter Handke, që sapo është shpërblyer me çmimin “Nobel për Letërsi” është ftuar që të vijë në Prishtinë. Shkrimtarin, që është përkrahës i Slobodan Millosheviçit apo “Kasapit të Ballkanit”, e kanë ftuar të vijë në Kosovë ekipi i drejtorëve artistikë të festivalit të letërsisë “POLIP”, që përbëhet nga: Alida Bremer (Kroaci-Gjermani), Sasha Iliq (Serbi) dhe Jeton Neziraj (Kosovë), shkruan zeri.info.

Duke ironizuar, stafi i “POLIP”, shkruan në ftesën e vet se janë mirënjohës  ndaj këtij autori të madh që i dhuroi Hoçës së Madhe një pishinë me paratë që kishte fituar nga çmimi “Ibsen” disa vite më parë kur vizitoi Kosovën, dhe  se janë të bindur që paratë nga çmimi “Nobel” do të jenë të mjaftueshme për të paktën dhjetë pishina të tjera. Madje në fund ata theksojnë se nuk do të kundërshtonin nëse ai e shoqëron vizitën e tij me një pishinë të vogël për Qendrën “Multimedia”.

“Aty ku të tjerët shohin këpucë fëmijësh në tokë, ai sheh një lule që rritet; ku të tjerët dëgjojnë klithmat e grave të dhunuara, ai sheh një zonjë të moshuar me duar të ngrohta duke buzëqeshur; ku të tjerët shohin kufoma që pluskojnë në lumë, ai sheh petale lulesh mbi sipërfaqen vezulluese të ujit; ku të tjerët shohin mjeranë të paushqyer në kampe ai sheh fole të brumit të artë, të gatshëm për t’u hedhur në supë”,  thuhet në njoftimin e tyre.

Rikujtojmë se laureimi i Peter Handkes me çmimin “Nobel” ngjalli shumë reagime në Kosovë, Bosnje e jo vetëm. Afërsia që shkrimtari austriak kishte me ish-presidentin serb dhe përkrahja që i jepte haptazi, përkundër të bëmave të tij në Ballkan, ka irrituar shumë kë. Zëri