'Shumë zhurmë për asgjë' hap sonte Festivalin e Teatrove në Ferizaj

'Shumë zhurmë për asgjë' hap sonte Festivalin e Teatrove në Ferizaj

Kultura October 21, 2019 - 10:36

Me shfaqjen “Shumë zhurmë për asgjë”, me regji të Zana Hoxhës, hapet sonte në qytetin e Ferizajt edicioni i 49-të i Festivalit të Teatrove. E konsideruar si njëra nga komeditë më të mira të Shekspirit, me plot nuanca romantike dhe situata komike, vepra vjen në skenën e teatrit nën lojën e trupës së gjeneratës së re të aktorëve gjakovarë dhe të koreografit Robert Nuha.

Sivjet ky festival do të mbahet nga 21 e deri më 27 tetor 2019. Në bazë të programit të publikuar, mësohet se sivjet ky festival bën bashkë trupa teatralë nga Kosova, nga Shqipëria e nga Maqedonia Veriore dhe se do të shfaqen gjithsej shtatë shfaqje teatrale, shkruan sot gazeta "Zëri".

Përveç shfaqjeve, gjatë këtij festivali pritet të ketë edhe aktivitete të tjera si: tryeza, opinione, punëtori e takime të tjera rreth skenës teatrore. Të gjitha shfaqjet fillojnë në orën 20:00, në teatrin “Adriana” në Ferizaj. Ky festival mbledh çdo vit në këtë qytet regjisorë e trupa teatralë nga të gjitha vendet shqipfolëse.

Festivali i Teatrove në Ferizaj është njëri nga festivalet më të vjetra në Kosovë, i cili ka vite që ka karakter mbarëkombëtar, përkatësisht me shfaqjet e tyre marrin pjesë teatro nga të gjitha hapësirat shqiptare. Ky festival në komunën e Ferizajt është ngjarja më e vjetër dhe më e rëndësishme kulturore. Zëri