Edona Kryeziu dhe Valentina Bonizzi, fituese të ekspozitës 'Gjon Milli 2019'

Edona Kryeziu dhe Valentina Bonizzi, fituese të ekspozitës 'Gjon Milli 2019'

Kultura October 18, 2019 - 10:11

Artistet Edona Kryeziu dhe Valentina Bonizzi janë fitueset e ekspozitës “Gjon Milli 2019”, që u hap të mërkurën në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Veprat e këtyre artisteve u cilësuan si më të mirat e ekspozitës nga juria e përbërë nga Alessandra Bertini Malgarni, Kumjana Novakova dhe Veton Nurkollari, shkruan sot gazeta "Zëri".

Përveç fituesve, pjesëmarrësit e tjerë që prezantojnë veprat e tyre në edicionin e gjashtëmbëdhjetë të kësaj ekspozite janë: Albe Hamiti, Altin Krasniqi, Arbnor Karaliti, Edson Luli, Fidan Bejtullahu, Jon Mithi, Laureta Hajrullahu, Neron Deshishku, Somer Spat dhe Valdrin Thaqi.

Ekspozitën e hapi drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, e cila prezantoi kuratorin e këtij edicionit, për të cilin tha se kishte shumë përgjegjësi të zgjedhte më të mirët në mesin e shumë aplikantëve.

“Këtë vit, kuratori i cili e ka pasur përgjegjësinë e madhe që në mesin e shumë artistëve aplikantë të zgjedh dymbëdhjetë pjesëmarrës, është Joao Ribas, kurator nga Portugalia, i cili sonte është këtu me ne”, theksoi Agani.

I ftuar në këtë ekspozitë ishte edhe ambasadori Italian, Piero Cristoforo Sardi. Në fjalën e tij të  rastit ai tha se kishte kënaqësinë që Ambasada e Italisë në Kosovë ishte pjesë e këtij organizimi.

“Është një nder i madh për të qenë prezent këtu, në këtë ngjarje. Dhe nga ana jonë kur morëm ftesën për të qenë pjesë e këtij organizimi nga drejtoresha e institutit Italian për kulturë në Tiranë që mbulojnë edhe Kosovën, ne patëm shumë dëshirë që të jemi pjesë e këtij organizimi sidomos duke pasur parasysh skenën e gjallë të Kosovës”, theksoi ai.

Në anën tjetër, Veton Nurkollari, drejtori artistik i  festivalit “DokuFest” si dhe njëherit kryetari i jurisë, ka thënë se këtë edicion kanë pranuar një numër të madh veprash cilësore.

“Në këtë botë të ndryshueshme vazhdimisht të imazheve bashkëkohore juria ka pasur kënaqësinë që të ketë një numër të madh të punimeve shumë kualitative të artit në këtë çmim të Gjon Milit”, theksoi Nurkollari.

Ai më pas ka folur për anën teknike dhe përmbajtjesore të punimeve artistike që janë dhënë në këtë ekspozitë. “Punimet e ndryshme kanë eksploruar fushën e fotografisë tradicionale deri tek largimi radikal i punëve pa imazh, duke përfshirë mungesën e imazheve, zhdukjen dhe rishfaqjen e tyre apo transparencën e gjithë kësaj”, tha ai.

Në kuadër të këtij projekti po ashtu në datat 28 dhe 29 tetor do të mbahet ligjërata nga profesori prestigjioz nga Italia Bruno di Marino dhe prezantimi i artistit Alfredo Mattarazzo, ndërsa këto ngjarje do të realizohen në bashkëpunimin me Institutin Italian për Kulturë dhe me Ambasadën Italiane në Prishtinë. Përkrahës kryesor i këtij projekti është “Raifeissen Bank”, kurse këtë projekt e përkrahin edhe Instituti Italian për Kulturë dhe Ambasada Italiane.

Bienalja dhe çmimi “Gjon Mili 2019” tenton të angazhojë rolin e një mediumi në tranzicion e që është fotografia në nocionin e saj të zgjeruar gjatë regjistrimit të lëvizjeve, të tranzicioneve dhe të ndryshimeve të qenësishme në botën e sotme, veçanërisht në një rajon për të cilin thuhet se është “në tranzicion”. Për ta bërë këtë ekspozita synon të eksplorojë një mendim të fotografisë si një imazh, objekt, instalacion, projeksion dhe të dhëna vizuale, që janë qendrore për kulturën.

Kuratori i kësaj ekspozite, João Ribas, është shkrimtar dhe kurator nga Porto. Ai më herët ishte drejtor i muzeut të artit bashkëkohor “Serralves” në Porto, në të cilin paraprakisht gjithashtu mbajti pozitën e zëvendësdrejtorit dhe të kuratorit të lartë (2014 - 2018). Ai më herët ishte kurator i qendrës së arteve vizuale të MIT-it (2009 - 2013) dhe i qendrës së vizatimit në Nju-Jork (2007 - 2009). Pas hulumtimit të skenës së artit në Kosovë dhe pas takimeve me artisë, Ribas në konceptin kuratorial të ekspozitës shkruan se sot një fotografi në të njëjtën kohë është e zakonshme dhe e pazakonshme, e vërtetë dhe e pavërtetë. Zëri