Kosova promovon botimet e reja në Panairin e Frankfurtit

Kosova promovon botimet e reja në Panairin e Frankfurtit

Kultura October 16, 2019 - 11:11

Ka hapur dyert të mërkurën për shkrimtar, studiues e botues,  panairi më i madh i librit në botë, në Frankfurt të Gjermanisë. Sivjet kjo festë e librit organizohet me temën “Ide që lëvizin botën”. I ftuar nderi është shteti i Norvegjisë. Janë mbi 7,300 ekspozues nga e gjithë bota, ndër të cilët, tradicionalisht, i pranishëm është edhe shteti i Kosovës, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Kosovës në Berlin.

Siç kanë njoftuar Shoqata e Botuesve të Kosovës, Kosova është e pranishme me një përfaqësim dinjitoz në sallën 5.0, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Belgjika, Italia, shtetet e Evropës Qendrore, Lindore e Juglindore, Turqia, Holanda, Evropa Veriore, Irani e të tjerë. Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dija”, “Damo”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Lugjet e Verdha”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës. Shënohen përvjetorë të rëndësisë së lartë nga letërsia, historia dhe kultura shqiptare, si: 20-vjetori i Çlirimit të Prishtinës dhe Kosovës, 100-vjetori i Konferencës së Paqes, 400-vjetori i vdekjes së Lekë Matrëngës, 90-vjetori i lindjes së Rexhep Hoxhës, 90-vjetori i lindjes së Kosovë Rexhë Balës, 80-vjetori i lindjes së Adelina Mamaqit, 80-vjetori i lindjes së Rrahman Dedajt, 70-vjetori i vdekjes së Mithat Frashërit, 70-vjetori i vdekjes së Vinçenc Prennushit, 40-vjetori i vdekjes së Jakov Xoxes.

Pos Çmimit Nobel, muaji tetor shquhet në botën mbarë për panairin më të madh të librit, që mbledh rreth vetes të gjithë profesionistët e librit për pesë ditë sa edhe zgjat. Janë mbi dhjetë mijë gazetarë, mbi njëqind e pesëdhjetë shtete e mbi dyqind e shtatëdhjetë mijë vizitorë që frekuentojnë kryengjarjen e vitit për librin.

Treni i letërsisë nga veriu arriti në Frankfurt me delegacionin e vet nga Norvegjia - e ftuar nderi - duke përfshirë yjet e letërsisë botërore që vijnë nga ky vend, si: Karl Ove Knausgard, Jo Nesbo e Maja Lunde, së bashku me Princeshën e Norvegjisë, Mette-Marit. Pos të ftuarve që vijnë nga Norvegjia, panairi do të nderohet me emra të jashtëzakonshëm të letërsisë botërore, si: Margaret Atëood, Elif Shafak, Ken Follett, Colson Ëhitehead, e shumë autorë të tjerë.

Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët e thjeshtë, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani. Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që jeton në Gjermani, që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare.