Fatos Berisha s’e pranon detyrën e drejtorit artistik të TKK-së

Fatos Berisha s’e pranon detyrën e drejtorit artistik të TKK-së

Kultura October 16, 2019 - 10:32

Ndonëse kishte aplikuar vetë në konkursin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit për drejtor artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës muaj më parë, regjisori Fatos Berisha ka vendosur të mos e pranojë këtë detyrë, të cilën ende s’e ka marrë zyrtarisht. Se Berisha nuk e ka pranuar detyrën e tij “Zërit” i ka thënë kryetari i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar, Fisnik Ademi. Megjithatë ai ka theksuar se regjisori Fatos Berisha ende nuk e ka njoftuar në mënyrë zyrtare Këshillin Drejtues për këtë vendim.

Regjisori Berisha ishte zgjedhur drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës më 21 qershor 2019 nga Këshilli Drejtues i TKK-së, në bazë të konkursit të datës 22 maj 2019.

Në njoftimin e asaj dite nga Këshilli Drejtues i TKK-së thuhej se kandidati Fatos Berisha i ka plotësuar të gjitha kriteret juridike dhe profesionale për ta ushtruar detyrën e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

KD i TKK-së pritet të mblidhet të enjten e ardhshme për të diskutuar për situatën pas dorëheqjes së Berishës dhe emërimin e një ushtruesi të detyrës së drejtorit artistik të TKK-së. Zëri