Vjeshta kthen publikun në teatër

Vjeshta kthen publikun në teatër

Kultura October 09, 2019 - 10:36
Image

Pas pushimeve të sezonit veror shtatori ka kthyer në dërrasat e Teatrit aktorët në prova e premiera për shfaqjet e programit vjeshtor, si dhe publikun nëpër salla. Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në “Dodonë”, në teatrin “Oda”, por edhe në teatrot e qyteteve tjera, si në Gjilan, në Ferizaj e në Prizren shfaqjet dhe publiku nuk kanë munguar muajin që lamë pas, shkruan sot gazeta "Zëri".

Njëzet e një repriza gjatë shtatorit në TKK

Teatri Kombëtar i Kosovës gjatë muajit shtator shfaqi plot 21 repriza të shfaqjeve më të pëlqyera nga sezonet e kaluara, duke përfshirë këtu edhe ato të Baletit Kombëtar të Kosovës, me të cilët e ndajnë të njëjtën skenë. Muaji u hap me shfaqjen “Destur – Blasfemi e ëmbël” për të vazhduar me “Karnavalet e Korçës’, “Mosmarrëveshja”, “Bryma e vdekjes” etj. Gjatë shtatorit në TKK Trupa Kombëtare e Baletit të Kosovës prezantoi shfaqjet “Pristine Condition”, si dhe “Carmen”. Trupa e Teatrit Kombëtar të Kosovës gjatë shtatorit pati dy udhëtime jashtë vendit. Ata u prezantuan në Korçë me shfaqjen “Karnavalet e Korçës”, të regjisorit Atin Basha, si dhe në Tetovë me shfaqjen “Sfinga e gjallë”, e regjisores Blerta Neziraj. Një program të pasur Teatri Kombëtar i Kosovës e ka paralajmëruar edhe për muajin tetor. Vlen të nënvizohet premiera e shfaqjes “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, tekst i Veton Surroit, me regji të Andrea Urbanit. Shfaqja do të jepet premierë më 28 tetor.

Edhe Teatri i Gjilanit me repertor të qëndrueshëm

Edhe për dashamirët e teatrit në Gjilan shtatori ka qenë muaj i mirë. Teatri i këtij qyteti kohët e fundit po ofron një program të plotë shfaqjesh dhe sipas drejtorit të këtij institucioni, Erson Zybmeri, interesimi i publikut nuk po mungon. “Fillimi i sezonit vjeshtor, pra muaji shtator, ka qenë fantastik sa u përket vizitave të publikut ose ndjekjes së shfaqjeve për Teatrin e Gjilanit. Kjo ka qenë edhe rezultat i një pune të jashtëzakonshme që kemi bërë në Teatrin e Gjilanit bashkë me aktorët dhe me mënyrën e marketingut të shfaqjeve, si dhe krijimit të repertorit të rregullt gjatë gjithë vitit nga shtatori i vitit të kaluar”, tha për “Zërin” drejtori Zymberi, duke theksuar se aktualisht, duke përjashtuar Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatri i Gjilanit është i vetmi teatër publik i qyteteve të Kosovës që ka arritur të mbajë një repertor të qëndrueshëm, duke mos e ndërprerë për asnjë muaj kalendarin kulturor të shfaqjeve. Sipas tij, edhe tetori i gjen ata me një program të pasur. “Tetori është edhe më i ngjeshur artistikisht dhe sjell në Gjilan tri teatro mysafire nga qytetet tjera, si qendrën ‘Multimedia’, teatrin ‘Oda’ dhe Teatrin e Ferizajt. Gjithashtu këtë muaj Teatri i Qytetit të Gjilanit është pjesë e tri festivaleve mbarëkombëtare të teatrove, ku do të prezantohemi me disa prej shfaqjeve më të mira që kemi”, ka përfunduar kështu Zymberi.

Ferizaj mbledh gjithë artdashësit në tetor

Në muajin shtator Trupa e Teatrit të Ferizajt mungoi në qytetin e vet, por kjo ndodhi për një arsye të veçantë. Teatri “Adriana” u prezantua para publikut egjiptian në Kajro të Egjiptit. Atje aktorët ferizajas prezantuan shfaqjen “Molieri”, të regjisores Elmaze Nura.

Siç ka treguar për gazetën “Zëri” Fatmir Hyseni, drejtor i këtij Teatri, paraqitja atje ishte e suksesshme. Ai tutje ka theksuar se aktualisht po bëhen gati për edicionin e 49-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Ky festival mbledh çdo vit në këtë qytet regjisorë dhe trupa teatrale nga të gjitha vendet shqipfolëse. “Në shtator, në Ferizaj kemi pasur vetëm shfaqje mysafire, sepse si trupë e teatrit ‘Adriana’ kemi qenë në Festivalin e Teatrit në Kajro të Egjiptit, ku jemi prezantuar me shfaqjen ‘Koprraci’, të regjisores Elmaze Nura, por gjatë tetorit do të kemi disa shfaqje, si dhe do të organizojmë si zakonisht Festivalin e Teatrove”, ka bërë të ditur Hyseni.

Festivali i Teatrove në Ferizaj është njëri nga festivalet më të vjetra në Kosovë, i cili ka vite që ka karakter mbarëkombëtar, përkatësisht me shfaqjet e tyre marrin pjesë teatro nga të gjitha hapësirat shqiptare. Ky festival në komunën e Ferizajt është ngjarja më e vjetër dhe më e rëndësishme kulturore. Zëri