Një film mbresëlënës për një dhimbje të papërshkrueshme

Një film mbresëlënës për një dhimbje të papërshkrueshme

Kultura October 08, 2019 - 09:49
Image

Të flasë për disa trauma specifike, për të cilat nuk flitet me zë të lartë, ky ka qenë njëri nga qëllimet e regjisores Antoneta Kastrati kur ka vendosur ta realizojë filmin e saj me titull “Zana”, që po tërheq shumë vizitorë në kinematë vendore. Historia e filmit të saj, që bazohet në disa përjetime personale të regjisores nga lufta e fundit, është edhe propozimi i Kosovës për kategorinë e filmave në gjuhë të huaj në akademinë “Oscar”. Ndonëse është i vendosur në Kosovë dhe lidhet me historinë e vendit tonë, mënyra sesi Kastrati ka paraqitur dhimbjen e gruas e universalizon gjithë tregimin e “Zanës”, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Zana” që u jep zë traumave të heshtura

Të shumtë janë filmat e frymëzuar nga lufta e vitit 1999 që u realizuan vitet e fundit në Kosovë. Në po këtë luftë edhe filmbërëset Antoneta Kastrati dhe Sevdije Kastrati kanë humbur nënën dhe motrën. Kjo i ka shtyrë ato të punojnë në këtë film, që ndonëse ngjarjen nuk e vendos në luftë, rrëfen disa nga pasojat e saj. E pikërisht kjo e veçon filmin e tyre. “Zana” i Antoneta Kastratit ndjek personazhin kryesor Lumën (Adriana Matoshi). Lumja  kalon shumicën e ditëve të saj në shtëpinë në fshat, ku jeton me burrin (Astrit Kabashi) dhe me vjehrrën (Fatmire Sahiti), duke u kujdesur për punët e shtëpisë. Rutina e Lumës ndërpritet shpesh nga disa vizione ogurzeza, që lidhen me luftën e fundit në Kosovë, me viktimat e me fantazmat nga e kaluara. Regjisorja Kastrati mjegullën e cila gjendet brenda kokës së Lumës, që përpiqet të ngelë shtatzënë dhe të lindë një fëmijë, e pasqyron në krejt filmin. Shikuesit duhet të mbërthehen me vëmendje para ekranit për të kuptuar dramën e vërtetë që ndodh brenda kokës së Lumës dhe arsyet që e shtyjnë atë të ndërmarrë veprime të caktuara, që në shikim të parë duken të paarsyeshme. Vetëm atëherë kur ajo shpalos arsyen e dhimbjes së madhe të Lumës shikuesi arrin ta kuptojë rrjedhën e filmit në tërësi. Përmes këtij personazhi, të cilin e sjell në mënyrë të kompletuar aktorja Adriana Matoshi, regjisorja Kastrati arrin të rrumbullakojë dramën e grave shqiptare, por jo vetëm. Lumja bëhet zëri jo vetëm i atyre grave që luftojnë me mentalitetin, por edhe i atyre grave që nuk mund të vendosin për trupin e vet, për jetën e vet, edhe pse kjo është një e drejtë themelore. Sado që mund të tingëllojë kontradiktore, edhe pse personazhi i Lumës shpesh na vjen i heshtur, i hutuar e naiv, karakteri i saj në fakt është një piskamë për disa trauma të luftës, të cilat shoqëria kosovare i ka mbyllur fatkeqësisht brenda shtëpive të veta e për të cilat nuk është folur sa duhet. Sidomos kur këto trauma kanë të bëjnë me gratë dhe me përjetimet e tyre.

Mbi 6 mijë vizitorë për 16 ditë vetëm në “Cineplexx”

Qëkur hyri në programin e rregullt të kinemasë austriake në Prishtinë, në “Cineplexx”, filmi “Zana” ka mbledhur tek arkat e kësaj kinemaje shumë vizitorë, të cilët kanë kërkuar ta shohin. Siç ka treguar për gazetën “Zëri” Dëfrim Puka, menaxheri i marketingut në “Cineplexx”, vetëm gjatë tri ditëve të para, më 21, më 22 dhe më 23 shtator, janë shitur plot 2000 bileta. Kjo e ka bërë filmin “Zana” filmin më të shikuar të javës në këtë kinema, e cila i shfaq të gjitha premierat botërore të momentit. E ky numër ka shkuar duke u rritur çdo ditë. Siç merr vesh “Zëri”, deri të dielën, më 6 tetor, në “Cineplexx” janë shitur 6026 për këtë film. Kjo është një shifër e përafërt me numrin e biletave që shesin edhe filmat ndërkombëtarë në këtë kinema. E përveç Prishtinës “Zana” po shfaqet për disa ditë rresht edhe në kinemanë “Jusuf Gërvalla” të Pejës, prej nga e ka prejardhjen edhe regjisorja. Edhe publiku pejan e mirëpriti filmin e filmbërëses Kastrati, duke mbushur sallën plotë. Filmi pritet të shfaqet edhe në Prizren, me rastin e hapjes së kinemasë “Cineplexx” atje në fund të muajit tetor. Rikujtojmë se ky film pati premierën botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto, ku u prit mjaft mirë. Zëri