Libri i javës - 'Shtegu dhe virtyti i tij' nga Lao Tzu

Libri i javës - 'Shtegu dhe virtyti i tij' nga Lao Tzu

Kultura October 07, 2019 - 10:39

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Tao te ching” ose në shqip “Shtegu dhe virtyti i tij” nga shkrimtari Lao Tzu. Libri është përkthyer në shqip nga Elvi Sidheri dhe është botuar nga shtëpia botuese “Pema” në Prishtinë.

“Tao Te Ching” (“Shtegu dhe virtyti i tij”)  është libri më i rëndësishëm i mënyrës së të menduarit dhe i filozofisë taoiste. Ky libër, sipas legjendës, ishte shkruar pak a shumë rreth vitit 600 para Krishtit dhe autor i tij qe Lao Tzu, mjeshtri i vjetër, për të cilin thuhet se ishte një arkivist i Oborrit Perandorak gjatë Dinastisë Zhou.

Autenciteti i këtyre detajeve megjithatë vijon të mbetet një mister edhe në ditët e sotme. Emri Tao Te Ching mund të përkthehet edhe si Libri i Shtegut dhe i virtytit të tij ose thjesht Shtegu dhe virtyti i tij.

Libri “Tao Te Ching” përshkruan forcën e quajtur Dao (Tao), që përbën edhe rregullin e krejt botës. Ajo është një forcë kontradiktash, e cila përfaqëson njëkohësisht tërë gjërat e universit.

“Tao Te Ching” është një tekst i shkurtër me rreth 5.000 karaktere kineze në 81 kapituj ose seksione të shkurtra. Ky libër është një tekst themelor për taoizmin filozofik dhe fetar. Ky libër gjithashtu ndikoi fuqimisht shkollat ëe tjera të filozofisë dhe fesë kineze, duke përfshirë kegalizmin, konfucianizmin dhe budizmin, i cili u interpretua kryesisht përmes përdorimit të fjalëve dhe koncepteve taoiste kur fillimisht u prezantua në Kinë.

Shumë artistë, duke përfshirë poetë, piktorë, kaligrafë e të tjerë kanë përdorur librin “Tao Te Ching” si një burim frymëzimi. Ndikimi i tij është përhapur gjerësisht në Azinë Lindore dhe është ndër veprat më të përkthyera në letërsinë botërore. Me titullin “Shtegu dhe virtyti i tij” këtë libër mjaft interesant mund ta gjeni në pikat e librarisë “Buzuku” në Prishtinë. Zëri