Neziri prezanton punën studimore 40-vjeçare për eposin e kreshnikëve

Neziri prezanton punën studimore 40-vjeçare për eposin e kreshnikëve

Kultura October 04, 2019 - 11:15

Dyzet vjet studime mbi eposin e kreshnikëve profesori Zymer Neziri i prezantoi në Akademinë e Shkencave në Tiranë.  Neziri foli për përvojën e tij të gjatë në terren dhe si studiues mbi një temë, së cilës i është përkushtuar plotësisht gjatë karrierës së tij profesionale. Kjo solli mundësinë të njihemi me metodologjinë e punës, me traditat e studimit, si dhe me gjendjen aktuale të studimeve në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar. Në një hark kohor 40-vjeçar ai është marrë me mbledhjen, me regjistrimin dhe me botimin e eposit të kreshnikëve. E ka filluar me projektin e parë “Epika legjendare e Rugovës: këngë të kreshnikëve dhe balada”, duke hulumtuar në gjithë katundet e krahinës së Rugovës, me rreth 150 lahutarë. Këngët e incizuara dhe të deshifruara sot ruhen në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Neziri në Tiranë foli dhe për punën që duhet bërë për ruajtjen e kësaj tradite, sepse ndonëse në trevat tona janë rreth 300 bartës të eposit të kreshnikëve, vetëm 2 rapsodë dinë rreth 10 mijë vargje. “Para 40 vjetësh 8 lahutarë dinin mbi 10 mijë vargje, sot janë vetëm dy bartës të eposit të kreshnikëve. Pra gjendja nuk po ndryshon për të mirë. Ne kemi edhe 300 bartës të eposit të kreshnikëve, që dinë mbi 100 mijë vargje. Të hapen kudo shkollat e lahutës, kemi edhe bartës të brezit të ri, që në vijimësi do të vazhdojnë herë pas here”, tha Neziri.

Në vijim puna kërkimore është zgjeruar nga ana gjeografike, duke përfshirë edhe krahina të tjera si pjesë e projektit për trashëgiminë kulturore shqiptare në Ballkan (Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni, Serbi). Gjithashtu, pjesë e interesave të tij kanë qenë edhe hulumtimet nëpër arkiva, ndër to ai me fondin e Milman Parryit dhe Albert Lord në Universitetin e Harvardit dhe në bashkëpunim me studiues të tjerë të huaj. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe lahutarë nga Kosova. Ata u bëjnë thirrje të gjithë intelektualëve shqiptarë të bëhen bashkë edhe të punojnë që eposi i kreshnikëve edhe lahuta të futen në UNESCO sa nuk është vonë.

Zymer Neziri (1946) është studiues i folklorit, me fokus të veçantë tek epika. Puna e tij kërkimore përfshin edhe tema nga etnologjia, letërsia e historia. Është në krye të Komisionit Qeveritar të Kosovës për përgatitjen e dosjes së eposit të kreshnikëve për UNESCO-n. Zëri