“Nata e bardhë” sjell Parisin në Prizren

“Nata e bardhë” sjell Parisin në Prizren

Kultura September 12, 2019 - 10:21

Këtë fundjavë në qytetin e Prizrenit do të mbizotërojë një frymë parisiane. Të paktën këtë synim e ka Aleanca Franceze në Kosovë, e cila po organizon për herë të parë në vendin tonë aktivitetin “Nuit Blanch” (Nata e bardhë), shkruan sot gazeta "Zëri".

Për këtë aktivitet kulturor, që do të mbahet më 14 shtator në Prizren, Aleanca Franceze ka mbajtur një konferencë për medie të mërkurën në Prishtinë. Në këtë konferencë drejtoresha e Aleancës Franceze, Sophia Veyrier, tha se ky aktivitet do t’i japë shumë Prizrenit dhe do ta vendosë në një pikë të lartë të Evropës. Siç u bë e ditur, në kuadër të kësaj nate do të zhvillohet tema “Qyteti i lirë”, me ç’rast edhe një pjesë e rrugëve të qytetit të Prizrenit do të mbyllen për qarkullim dhe aty do të organizohen disa aktivitete artistike. “Do të prezantoj sot para jush programin e ‘Natës së bardhë’, që do të mbahet më 14 shtator në Prizren. Është një aktivitet kulturor i cili organizohet çdo vit në qytetin e Parisit. Duke marrë parasysh që ‘Nata e bardhë’ ka filluar në Paris, ka qenë në 3 qytete të ndryshme të botës dhe së fundmi është në qytetin e Prizrenit. Është shumë me rëndësi që Komuna e Prizrenit ta ketë ‘Natën e bardhë’ dhe të jetë pjesë e aktiviteteve institucionale”, tha para gazetarëve Sophia Veyrier, duke shtuar se ky është një organizim që do t’i kontribuonte shumë jetës kulturore të secilit vend e rrjedhimisht këtë ndikim do ta ketë edhe në Prizren. Më tutje e para e Aleancës Franceze në Kosovë tregoi se ky aktivitet është ide e nënkryetarit të Parisit Kristof Gerard dhe organizohet që nga viti 2002. “‘Nata e bardhë’ është një produkt i nënkryetarit të Parisit Kristof Gerard, i cili e ka themeluar në vitin 2002 dhe e ka shpërndarë në 30 qytete të botës. Është një bashkëpunim artistik, i cili do t’i japë shumë Prizrenit me këto aktivitete dhe do ta vendosë në një pikë të lartë të Evropës”, tha ajo.

Veyrier shtoi se për herë të parë kjo po ndodh në Ballkan, teksa falënderoi Komunën e Prizrenit, Ambasadën Franceze dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme për mbështetjen. “Duke marrë parasysh rëndësinë e projektit, ne kemi marrë mbështetjen e disa institucioneve. Duhet ta falënderojmë Komunën e Parisit, Komunën e Prizrenit dhe Ambasadën e Francës në Kosovë, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe fondacionin ‘Lumëbardhi’. Për Aleancën Franceze është shumë mirë së për herë të parë po e organizon këtë në Ballkan. Kjo i mundëson lidhje Francës dhe Kosovës”, përfundoi kështu Veyrier.

Më shumë detaje se si ky aktivitet do të manifestohet në Prizren dha Blerta Hoçia, koordinatore artistike e projektit. “Tema e këtij edicioni është ‘Qyteti i hapur’, pra qyteti i të gjithëve. Ajo çka po u ndodh qyteteve sot është e ngjashme me një situatë alarmuese ku nuk po respektohet trashëgimia kulturore. Në këtë edicion të parë ne po synojmë ta jetojmë qytetin ndryshe. Rruga kryesore nga Ura e kaltër dhe deri te Hamami do të jetë e njerëzve dhe s’do të ketë makina”, bëri të ditur Hoçia. Më tutje koordinatorja tha se aty do të ketë një Pazar, ku njerëzit do t’i prezantojnë punimet e tyre artizanale, po ashtu do të ketë edhe pika muzikore. “Në teqe do të lexohen poezi, ndërsa në katedrale do të ketë muzikë të shtunën e 14 shtatorit”, theksoi ajo.

Në anën tjetër zyrtari për Kulturë në Ambasadën e Francës, Valon Ibraj, tha se kjo i mundëson Kosovës të hyjë në hartën kulturore të botës bashkë me 30 shtete të tjera. “Kjo ka qenë iniciativë e Komunës së Parisit që ka nënshkruar me Komunën e Prizrenit. Ne jemi të kënaqur që kemi pasur këtë urë lidhëse dhe është me rëndësi qe Kosova të jetë në hartën e këtyre 30 vendeve”, tha ai. Organizatorët u shprehën optimistë se kjo ngjarje do të marrë vëmendjen e publikut. Zëri