Filmi shqiptar 'Streha mes reve' në kinematë e Gjermanisë

Filmi shqiptar 'Streha mes reve' në kinematë e Gjermanisë

Kultura shtator 11, 2019 - 10:26

Filmi nga Shqipëria “Streha mes reve”, me skenar dhe me regji nga Robert Budina, shfaqet për publikun në kinematë gjermane. “Streha mes reve” pati dy premiera në “Funf Seen Film Festival” në Starnberg dhe në Gauting. Publiku gjerman e ndjeu filmin dhe një ogur i mirë për premierat, që do të vijojnë në qytetet e tjera. Regjisori Robert Budina shprehet se filmi “Streha mes reve”, pas suksesit në shumë festivale në botë, nga data 19 shtator do të shfaqet në mbi 70 kinema në të gjithë Gjermaninë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Premiera botërore e filmit u bë në festivalin prestigjioz “Black Nights Film Festival” në Tallin, Estoni, ku kritika e “Screen Daily”-t e vlerësoi filmin shqiptar. “Si një zjarr që digjet ngadalë, por që vizualisht të bën të mbash frymën, ky film prek përplasjen mes traditës e modernes dhe dhimbjeve që shkakton bashkëjetesa mes kulturave”, shkruan “Screen Daily”.

Regjisori Robert Budina ndodhet këto ditë në Gjermani për të prezantuar filmin në disa qytete. Në mesazhin për “Streha mes reve” ai shprehet se me shfaqjen e filmit në Gjermani përhapet më shumë edhe kultura jonë. “Është hera e parë që një film shqiptar do të shfaqet në kinematë gjermane. Ndaj do të më bëhej shumë qejfi nëse ju do të vinit në kinema për të ndjekur filmin dhe duke sjellë bashkë me ju edhe miqtë tuaj gjermanë, në mënyrë që të përhapim sa më shumë kulturën tonë kombëtare në Gjermani”, shprehet Budina në mesazhin e tij.

Skenarist dhe regjisor, Robert Budina pohon se në “Streha mes reve” tregohet edhe për një vlerë unike të shqiptarëve. “Filmi bën fjalë për një vlerë unike të shqiptarëve, e rrallë në të gjithë botën, bashkëjetesën fetare dhe është xhiruar në bjeshkët e mrekullueshme të malësisë së Gjakovës, në Valbonë e Dragobi, afër Bajram Currit”, vijon regjisori Budina.

Edhe pse është lajmëruar data 19 shtator për t’u shfaqur në mbi 70 kinema, filmi është prezantuar në disa qytete, ku i pranishëm është dhe regjisori Robert Budina për të zhvilluar bashkëbisedime me të pranishmit për filmin e tij. Aktori kryesor i filmit është Arben Bajraktaraj, me origjinë nga Kosova, i cili jeton në Paris dhe ka luajtur deri në Hollywood me filma si "Harry Potter" e "Taken". Në rolet e tjera interpretojnë Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili, Virus Shala etj.

Filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe është prodhuar nga producentja Sabina Kodra (Era film) në bashkëprodhim me RTSH-në dhe me Cristian Nicolescu, Rumani (Digital Cube). Zëri