11 muaj në atelie, shtatorja e Anton Çettës ende pa lokacion të caktuar
foto: Laura Hasani

11 muaj në atelie, shtatorja e Anton Çettës ende pa lokacion të caktuar

Kultura shtator 11, 2019 - 10:23
Image

Të martën që shkoi janë mbushur fiks 11 muaj qëkur skulptori ferizajas Agon Qosa ka përfunduar së punuari shtatoren e profesorit dhe veprimtarit Anton Çetta. Më 10 tetor të vitit 2018 Qosa lëshoi nga duart mjetet e tij të punës, pasi vepra të cilën e shkriu në bronz u miratua nga familja Çetta dhe nga Këshilli Organizativ për vendosjes e shtatores së Anton Çettës në Prishtinë. Ky Këshill Organizativ përbëhet nga mulla Xhevat Kryeziu, Don Lush Gjergji dhe Riza Krasniqi. Por as skulptori vetë nuk e kishte menduar që edhe një vit pas në kryeqytet nuk do t’i gjendet një vend shtatores së pajtuesit të gjaqeve, shkruan sot gazeta "Zëri".

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, të martën, skulptori Agon Qosa ka thënë se askush nga Këshilli Organizativ ose nga Komuna e Prishtinës nuk e ka kontaktuar për t’i dhënë lajmin e mirë se është caktuar një lokacion për shtatoren, të cilën e ka punuar. Kësisoj, siç ka konfirmuar Qosa, shtatorja e Anton Çettës vazhdon të qëndrojë e mbyllur në atelienë e tij në Ferizaj. “Siç duket Komuna e Prishtinës ende nuk po arrin të caktojë një lokacion për shtatoren e profesorit Anton Çetta. Kjo është e vetmja punë që ka mbetur pa u kryer. Me sa e di gjithçka tash e tutje është nën përgjegjësinë e Komunës së Prishtinës”, tha skulptori për “Zërin”.

Rikujtojmë se oborri i Institutit Albanologjik të Kosovës ishte parë i përshtatshëm si lokacion nga Këshilli Organizativ për vendosjen e kësaj shtatoreje. Mirëpo ky institucion, ku profesori Anton Çetta punoi për vite të tëra, ka refuzuar vendosjen e shtatores së tij në oborrin e vet me arsyetimin se duhet gjetur një vend më të madh, për shkak të rolit historik që ka pasur lëvizja e drejtuar nga Çetta. “Këshilli Drejtues afirmon qëndrimin e Institutit Albanologjik të vitit 2010, duke konsideruar se, për shkak të rolit historik që ka pasur Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve dhe në mënyrë të veçantë të prof. Anton Çettës, vendosja e shtatores së tij do të duhej të bëhej në një shesh të madh të qytetit, i cili njëkohshëm do të pagëzohej me emrin sheshi i pajtimit ‘Anton Çetta’ dhe do të kishte infrastrukturë përcjellëse (fontanë, banka për pushim)”, patën deklaruar përfaqësues të Institutit Albanologjik.

 

Komuna e Prishtinës hesht

Gazeta “Zëri” ka provuar të martën të mësojë nga zyrtarët për informim në Komunën e Prishtinës së kur çështja e caktimit të lokacionit për shtatoren e Anton Çettës do të hyjë në rend të ditës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, por nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Një gjë të tillë nga Komuna e ka kërkuar edhe familja Çetta. Muaj më parë e bija e profesorit Anton Çetta, Donika Çetta, ka thënë se Këshilli Organizativ për vendosjen e kësaj shtatoreje në Prishtinë i është drejtuar Komunës së Prishtinës me një kërkesë zyrtare, duke i kërkuar këtij institucioni të marrë një vendim se ku kjo shtatore mund të vendoset. “Ne si familje nuk kemi kërkuar ndonjë vend specifik, por Këshilli Organizativ ka bërë një kërkesë zyrtare në Komunën e Prishtinës duke kërkuar që të zgjidhet një lokacion”, ka thënë Donika Çetta për “Zërin”.

Pesë muaj punë për finalizimin e shtatores nga argjila deri në bronz

Ekipi i gazetës “Zëri” pati vizituar atelienë e skulptorit ferizajas vitin e kaluar për të parë nga afër shtatoren tremetërshe të profesorit Anton Çetta, tashmë të larë në bronz. Me një portret të buzëqeshur, një dorë që shtrihet si për pajtim dhe një qëndrim trupi jokrejtësisht gatitur, gati-gati spontan, imazhi i Anton Çettës është jetësuar në një vepër arti.

Duke shpjeguar procesin e tij të punës nga argjila në bronz, skulptori Qosa na pati treguar se gjithçka është finalizuar brenda afatit të caktuar prej 5 muajsh. “Mostrën dhe bucetën i kam punuar në tri ditët e fundit sa ka qenë i hapur konkursi. Në atë konkurs morën pjesë 6 skulptorë, kurse unë dola fitues. Afati i caktuar ka qenë 5 muaj dhe unë punën e kam përfunduar më 10 tetor. Punimi i skulpturës bëhet me mellë në argjilë, pastaj në gips dhe në fund në bronz. Kjo skulpturë tashmë është gati dhe është miratuar nga familja e nga Këshilli Organizativ. Shtatorja edhe është paguar, vetëm pritet të vendoset lokacioni”, thotë Qosa. Më tutje skulptori shton se debatet që janë bërë për lokacionin se ku duhet ose nuk duhet të vendoset kjo shtatore nuk i kanë pëlqyer. “Është keq që kësaj figure heroike, figure të paqes, nuk i është bërë ende vendi. Është një kohë e gjatë që po pritet dhe është bërë shumë debat. Nuk po i gjendet një vend kësaj shtatoreje edhe pse ky është një prej heronjve të parë. Për mua si autor i veprës është e vështirë që skulptura po rri në atelie dhe nuk po dihet ende për lokacionin”, u shpreh Qosa. Zëri