Rezistencë deri në fund, aktorët tiranas nuk lëvizin nga Teatri

Rezistencë deri në fund, aktorët tiranas nuk lëvizin nga Teatri

Kultura August 22, 2019 - 09:54

Rezistenca e artistëve dhe e aktivistëve për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar vijon të jetë e përditshme dhe e pandërprerë. Gjatë protestës për mbrojtjen e godinës ata kanë kërcënuar qeverinë të mos duket më në Teatër se nuk do të ketë më kthim pas. Ndërkohë prej datës 24 korrik, kur artistët morën nën kontroll sallën e Teatrit Kombëtar, ka nisur edhe Festivali për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, raportojnë mediet në Shqipëri. Artistë, aktivistë, qytetarë në mbrojtje të Teatrit vijnë dhe dëgjojnë ose ndjekin muzikë, dramë, kinema, letërsi duke sjellë çdo mbrëmje një atmosferë ndryshe. Nën kujdesin e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar” godina monitorohet 24 orë, pastrohet dhe fton artdashësit në shesh, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në një reagim për gazetën regjisori Robert Budina u shpreh se ruajtja e godinës së Teatrit nga artistët është 24 orë në 24, duke shtuar se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga kauza e tyre. Budina deklaroi se po merren me organizime të ndryshme që jepen në sheshin para Teatrit, si dhe me koncerte të ndryshme. “Jemi në kulmin e protestave për të mbrojtur godinën e Teatrit Kombëtar. Ne tani kemi filluar 24 orë në 24 për të ruajtur Teatrin dhe nuk ka asnjë mundësi tjetër. Nëse kthehesh mbrapa do të thotë se do të tërhiqesh dhe ne nuk mund të tërhiqemi. Ne po vazhdojmë të merremi me organizimet e ndryshme, siç janë shfaqjet e filmave ose dhe koncerte nga grupe roku, ose pop-i”, u shpreh regjisori Robert Budina.

Budina u shpreh se rezistenca e artistëve nuk është për ambicie, por për dashurinë që kanë ndaj Teatrit. Në një reagim për medie, ai tha se qeveria i ka lënë në gjendje të mjerueshme gjërat që kanë më shumë vlerë, duke theksuar se nismën e nisur do ta çojnë deri në fund. “Nuk jemi të interesuar për numra këtu në shesh, por nëse qeveria synon të vijë prapë këtu, do të vijë prapë. E nisëm me 10 artistë e 100 policë, që e përfunduan me 1000 policë e 3 mijë qytetarë. Nëse e bëjnë këtë nuk do të ketë më kthim mbrapa as për kryetarin e Bashkisë, as për kryeministrin. Nëse duam ne, i menaxhojmë më mirë se ata që e kanë për detyrë. Nuk ka asnjë mundësi që ne të rrimë 24 orë këtu jo për ambicie, por për dashuri. Do të jemi këtu dhëmb për dhëmb me ata që kanë shkatërruar demokracinë e institucionet. Nëse ne rrimë këtu, u jepet e drejta të mos lejojnë më asnjë politikan të bëjë atë që kanë bërë këta. Janë kryer masakra brenda institucionit. Gjërat që kanë vlerë i kanë lënë në gjendje të mjerueshme. Ne duhet ta çojmë deri në fund këtë nismë për ta mbrojtur Teatrin Kombëtar”, tha regjisori Robert Budina.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe aktori Neritan Liçaj, i cili u shpreh më herët se godina e Teatrit Kombëtar duhet të mbahet për historinë e vendit. Pak ditë më parë ai deklaroi se kauza e tyre ka gjetur një mbështetje të madhe qytetare, duke u shprehur i bindur se do të vazhdojë me rezistencën e tij derisa qeveria të tërhiqet nga ky projekt. Zëri