Një vit pa zot shtëpie, drejtori i Muzeut zgjidhet javën tjetër

Një vit pa zot shtëpie, drejtori i Muzeut zgjidhet javën tjetër

Kultura gusht 21, 2019 - 09:37

 

Image

Ministria e Kulturës nuk ia ka dalë që ta bëjë me drejtor Muzeun Kombëtar të Kosovës (MKK) nëpërmjet konkursit të brendshëm. Sipas këtij institucioni, as tre kandidatë, nga katër sa kishin konkurruar asokohe, nuk i kishin plotësuar kushtet e konkursit. Për këtë arsye në maj të këtij viti MKRS-ja hapi një konkurs të jashtëm për pozitën më të lartë menaxheriale të MKK-së. Megjithëse konkursi është mbyllur më 18 korrik, ende nuk është zgjedhur i pari i Muzeut Kombëtar të Kosovës. Kjo pritet të bëhet në fillim të javës së ardhshme, kur ka kaluar më shumë se një vit qëkur ky institucion punon me ushtrues detyre të drejtorit.

Dymbëdhjetë kandidatë në garë për timonin e MKK-së

Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, të Rinisë e të Sportit, Kujtim Gashi, ka deklaruar të martën për gazetën “Zëri” se në fillim të javës së ardhshme do të bëhet publike se cili nga 12 kandidatët, të cilët kanë aplikuar, i ka plotësuar të gjitha kushtet për të marrë në dorë timonin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.  “Të gjithë ata që i kanë plotësuar kriteret për listën e ngushtë  i janë nënshtruar testit me shkrim dhe së shpejti pritet të mbahet testi me gojë e të rekomandohet kandidati i suksesshëm sipas procedurave të rekrutimit. Duke u bazuar në procedurat e rekrutimit dhe në afatet ligjore më së largu deri në fillim e javës së ardhshme pritet të dihet kandidati i suksesshëm për këtë pozitë”, ka thënë Hoxha.

Tutje Hoxha ka rikujtuar se konkursi për drejtor të Muzeut ka qenë publik dhe se gjithsej 12 kandidatë të interesuar kanë aplikuar për këtë pozitë. Ai ka shtuar se pas mbylljes së afatit të rregullt konkursi është vazhduar edhe për 7 ditë për t’u plotësuar kriteri etnik dhe gjinor.  Izet Miftari, Ajet Leci, Sadik Krasniqi, Arsim Mehmeti, Sedat Sahitaj, Naim Çekaj, Bekim Vishaj, Bekim Gashi, Arben Arifi, Fatmir Hoxha e Ismet Mulaj janë kandidatë që ia kanë mësyrë pozitës së drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Këta kanë aplikuar në konkursin e shpallur më 27 qershor, i cili ishte i hapur deri më 18 korrik.

Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, duke u bazuar në rekomandimin e Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës, të datës 11.06.2019 dhe në Rregulloren për Proceduarat e Rekrutimit në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, pati njoftuar për anulimin e konkursit (rekrutim i brendshëm) të shpallur më datën 27.05.2019 për pozitën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Sipas MKRS-së, ky konkurs ishte anuluar për shkak të mospërmbushjes së kriterit të kandidatëve aplikues me më së paku tre kandidatë, të cilët i plotësojnë kriteret për zhvillimin e procedurës së rekrutimit në këtë pozitë.

Më tepër se një vit pritje për drejtorin e ri

Problemi në Muzeun Kombëtar të Kosovës filloi para tri vjetësh kur njëri nga punëtorët e MK-së bëri një ankesë për ish-drejtorin Skënder Boshtrakajn, e cila u shqyrtua tre vjet më vonë. Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi që ish-drejtorin e Muzeut Kombëtar të Kosovës Boshtrakajn pas largimit nga detyra në Muzeun e Kosovës ta rikthejë në pozitën ku ka qenë si udhëheqës i Divizionit për Menaxhim të Integruar dhe Turizëm Kulturor në MKRS. Si pasojë e kësaj që nga muaji korrik i vitit 2018 Muzeu i Kosovës është pa drejtor. Që nga ajo periudhë e deri më tash si ushtrues detyre aty kanë punuar dy persona. Bëhet fjalë për Bislim Bislimin, i cili udhëhoqi me këtë institucion për rreth tre muaj, kurse aktualisht në krye të Muzeut është Vjollca Aliu, njëkohësisht edhe drejtoreshë e Departamentit për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, të Rinisë e të Sportit. Muzeu i Kosovës si institucion me status vazhdon ushtrimin e veprimtarisë së tij nën autoritetin e MKRS-së dhe zbaton politikat e strategjitë e po kësaj Ministrie. I kontaktuar nga gazeta “Zëri” Skënder Boshtrakaj, ish-drejtor i këtij institucioni, ka thënë se as ai nuk ka aplikuar për të marrë sërish timonin e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Sipas tij, sfidë vazhdon të mbetet statusi i këtij institucioni. “Nuk kam aplikuar dhe nuk planifikoj të konkurroj. Pas 20 vjetëve në detyra të ndryshme në Ministri të Kulturës nuk më duket korrekte ndaj vetes të garoj për një detyrë, të cilën e kam kryer me shumë pasion për tre vjet. Tani në Muze nuk është sfidë zgjedhja e drejtorit, por statusi i institucionit, pavarësia dhe trajtimi i dinjitetshëm duke filluar nga financimi, punësimi, mirëmbajtja etj”, theksoi Boshtrakaj. Zëri