'Shpia e Agës' nis rrugëtimin në 'Cineplexx'

'Shpia e Agës' nis rrugëtimin në 'Cineplexx'

Kultura gusht 20, 2019 - 09:51
Image

Pas premierës në njërin nga festivalet më të rëndësishme evropiane dhe botërore, në Karlovi Vari të Çekisë, filmi “Shpia e Agës”, i regjisores Lendita Zeqiraj, po prezantohet edhe para publikut kosovar. Që nga sot filmi është pjesë e programit të rregullt të rrjetit të kinemasë austriake në Prishtinë, “Cineplexx”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Siç bën të ditur menaxhmenti i kësaj kinemaje, filmi do të jetë pjesë e këtij programi për dy javë. Në rast të interesimit nga publiku filmi do të bëhet sërish pjesë e kinemasë. Shfaqja për dy javë rresht në kinemanë vendore ia plotëson filmit, i cili ishte pjesë e garës “East of the West” në Karlovi Vari, një kusht të rëndësishëm. Bëhet fjalë për kushtin bazë për të garuar që të jetë propozimi i Kosovës për kategorinë e filmave në gjuhë të huaj në “Oscar”. Në konferencën për medie që i parapriu premierës së hapur për publikun në “Cineplexx” regjisorja Lendita Zeqiraj u shpreh e kënaqur që filmi i saj po ekranizohet para publikut të Kosovës.

“Në këtë film secili personazh sjell një histori të veten. Historia e këtij filmi është njerëzore. E përmbledhur në ndoshta vetëm 4-5 orë të jetës së përditshme të personazheve, por përpiqet të tregojë më shumë nga gjitha sferat e jetës”, tha regjisorja, duke shtuar se edhe në këtë film ka përdorur stilin i cili e karakterizon e që ajo e përkufizon si “tragji-komedi”. Pa marrë parasysh se tema që trajtohet është e ndjeshme, të qeshurat në filmin e Zeqirajt nuk mungojnë.

Ky film përcjell Agën (Arti Lokaj), 9-vjeçar, i rritur me nënën e tij, në një shtëpi jashtë qytetit, ku jetojnë bashkë disa gra. Ai mëson pak gjuhën serbe nga Zdenka, një grua e nacionalitetit kroat, në mënyrë që ta gjejë babanë e tij, për të cilin mendon se është në burg në Serbi. Por historia e Agës merr kahje tjetër kur fëmija e kupton një të vërtetë të pamenduar. “Shtëpia e Agës” ka për producent Bujar Kabashin. Me rolet e tyre në këtë film paraqiten: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj.

Filmi “Shpia e Agës” është bashkëprodhim mes Kosovës, Kroacisë, Francës dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese “N’art Films”, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit “Woof Films” nga Kroacia; “Sacrebleu Productions” nga Franca; si dhe “Ska-Ndal Productions” dhe “SY13 Films” nga Shqipëria, i mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Në konferencën për medie producenti Bujar Kabashi bëri të ditur se tashmë janë duke negociuar me dhjetëra festivale, në mënyrë që “Shpia e Agës” të vazhdojë rrugëtimin e vet ndërkombëtar. Zëri