Me traditë 45-vjeçare, Seminari afirmon gjuhën dhe kulturën edhe sivjet

Me traditë 45-vjeçare, Seminari afirmon gjuhën dhe kulturën edhe sivjet

Kultura August 20, 2019 - 09:21
Lexo më shumë detaje
Image

Të hënën u bë hapja solemne e edicionit të 38-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Me një minutë heshtje të pranishmit nderuan drejtorin e nderit të Seminarit, albanologun e ndjerë akademik Idriz Ajetin.

Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare nga studiuesit u vlerësua si ngjarja shkencoro-kulturore më e madhe dhe me traditën më të gjatë në Kosovë. Rikujtojmë se Seminari u themelua 45 vjet më parë nga profesorët e Fakultetit të Filologjisë dhe që nga atëherë është referenca kryesore e studimeve albanologjike në botë.

Zonja e shtëpisë, dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Sejdiu-Rugova, u dëshiroi mirëseardhje seminaristëve, studentëve, profesorëve, akademikëve e gjithë të pranishmëve. Rugova shpjegoi rëndësinë e traditës së Seminarit dhe kontributin e studiuesve për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. “Institucioni i Seminarit është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë, është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore, i vështruar nga një kënd global”, vlerësoi Rugova.

Sipas Rugovës, ky seminar me 45 vjet traditë ka rritur të afirmojë gjuhën dhe kulturën shqipe. “45 vjet më parë është organizuar seminari i parë i Fakulteti të Filologjisë si organizator dhe do të vazhdojë të frymojë me produktin e tij më me vlerë të dëshmohet ndërkombëtarisht. Sesionet shkencore, referimet, ligjëratat e veçanta dhe kurset e gjuhës shqipe, aktivitetet kulturore janë shtylla themelore që ne e konsiderojmë pjesë të programit të seminarit për këtë vit. Por seminari nuk është vetëm kaq, është shumë më shumë se ajo që po lexojmë në fletushkat e bardha. Institucioni i seminarit është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë. Është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore, i vështruar nga një kënd global. Janë rrjetet e reja shkencore dhe kulturore që na bëjnë më të pranishëm në arenën ndërkombëtare. Janë gjithë ato konferenca, botime, organizime të përbashkëta gjatë vitit kalendarik. Seminari janë Prishtina dhe Tirana bashkë në hartën shkencore ndërkombëtare”, u shpreh ajo.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynir Koni, vlerësoi rëndësinë historike të Seminarit dhe kënaqësinë me të cilën Fakulteti i Histori-Filologjisë në Tiranë bashkëpunon për zhvillimin e suksesshëm të Seminarit. Koni kërkoi që një pjesë e sesionit të këtij seminari të zhvendoset në Universitetin e Tiranës. Sipas tij, në këtë mënyrë do ta bënte më gjithëpërfshirëse, më largpamëse këtë ngjarje. Po ashtu ai kërkoi edhe krijimin e një reviste unike, e cila do të shërbente për të gjithë dashamirët e albanologjisë, jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por edhe për ata ndërkombëtarë. “Unë do të doja t’i përcillja dy mesazhe të rëndësishme. Do të kërkoja nga drejtuesit e Fakultetit Filologjik të UP-së ta koordinojnë këtë seminar, t’u jepet hapësirë që një nga këto seminare të zhvillohet në Tiranë, ku ky seminar do të jetë më gjithëpërfshirës. Unë garantoj në cilësinë e rektorit mbështetje nga Universiteti i Tiranës. Ky aktivitet paraqet punime të veçanta dhe studimet albanologjike, të cilat janë të një vlere të veçantë. Do të doja që përsëri kolegët e profesorët duhet të mendojnë për krijimin e një reviste unike, t’u shërbejë jo vetëm Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe albanologëve ndërkombëtarë”, tha ai.

Nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Jusuf Bajraktari, tha se ky institucion do ta mbështesë këtë ngjarje të rëndësishme për mbarë trojet shqiptare. “Jua shpreh gatishmërinë, përkrahjen të institucionit të ASHA-së për punën e mëtutjeshme këtij evenimenti më të rëndësishëm të trevave shqiptare. Njëherësh ndiej respekt të veçantë për kontributin 45-vjeçar të këtij evenimenti, ndër më të rëndësishmit në hapësirën kombëtare. Ju uroj punë të mbarë dhe i uroj pjesëmarrësit nga vendet e huaja”, tha ai.

Në fund Shkumbin Munishi, drejtor i Seminarit, tha se edicioni i sivjetmë është një hallkë tjetër në zinxhirin e një tradite albanologjike, të nisur këtu e dyzet e pesë vjet më parë. Ai potencoi rëndësinë e bashkëpunimit me Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës. “Kam nderin dhe kënaqësinë të jem në hapjen e edicionit të 38-të të Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe. Është një hallkë e një zinxhiri të traditës, sot shënojmë një jubile. Këtë vit ka pasur dashamirë nga vende të ndryshme, si Rusia, Ukraina, Kroacia, Maqedonia Veriore e të tjerë. Prandaj është pjesëmarrja e tyre që e bën një ngjarje shumë të veçantë” , tha ai.

Në ceremoninë solemne morën pjesë përfaqësues të Fakultetit të Filologjisë, të Institutit të Albanologjisë, studentë dhe dashamirë të gjuhës e të letërsisë shqipe. Seminari do t'i zhvillojë punimet nga data 19 - 30 gusht 2019. ZERI

Image