Libri i javës - 'Pesë pengjet më të mëdha të jetës' nga Bronnie Ware

Libri i javës - 'Pesë pengjet më të mëdha të jetës' nga Bronnie Ware

Kultura August 19, 2019 - 11:56

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë, në kuadër të rubrikës “Libri i javës”, këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Pesë pengjet më të mëdha të jetës”, nga Bronnie Ware. Libri është përkthyer në shqip nga Valbona Nathanaili.

Libri i Bronnie Ware është një libër i veçantë, jo vetëm për shkak të tematikës dhe të strukturës që ka zgjedhur autorja për ta ndërtuar e për ta paraqitur, por edhe të mesazheve dhe emocioneve të fuqishme që përcjell. Ky është një libër i cili flet për transformimin që pëson jeta nga ikja e njerëzve të dashur. Ky është një libër ndryshe, që të emancipon mendimin për jetën dhe për vdekjen, që të mbush me emocion, që të fton të reflektosh për familjen, miqtë, punën, emocionet, lumturinë, dhimbjet, paratë e humbjet. Që të mëson si t’i vlerësosh dhe si ta shfaqësh sa je ende në kohë.

Bronnie Ware, duke punuar në fushën e kujdesit për të sëmurë me sëmundje terminale, ka pasur mundësi të ndjekë biseda të sinqerta me mijëra të sëmurë, që u kishin mbetur jo më shumë se disa javë jetë, të rinj dhe të vjetër, gra dhe burra, të pasur dhe të varfër, shpjegon përkthyesja e librit, Valbona Nathanaili. Ato ishin kaq mbresëlënëse, sa ajo vendosi t’i botojë. Bronnie është një australiane që shkruan me sinqeritet dhe me dashuri historinë e jetës së saj, të gërshetuar me mësimet e përvojat e njerëzve të mençur për të cilët është kujdesur, që i kanë rrëfyer dhe besuar në periudhën e fundit të jetës, kur e dinin se po iknin nga kjo botë. Libri sheh vizionin që kanë ose që fitojnë njerëzit e mençur në fund të jetës. Realiteti i përgjithshëm i përditshëm që përshkruan autorja është sa i trishtë, aq edhe frymëzues. Mesazhet që jepen janë shpresëdhënëse.

Librin “Pesë pengjet më të mëdha të jetës”, nga Bronnie Ware, mund ta gjeni në pikat e librarisë “Buzuku” në Prishtinë. Zëri