Ekspozitë fotografike vetëdijesuese për trashëgiminë kulturore

Ekspozitë fotografike vetëdijesuese për trashëgiminë kulturore

Kultura August 13, 2019 - 09:45
Lexo më shumë detaje

“Mbro & Promovo” është ekspozita me fotografi, e cila është hapur në Tiranë me qëllimin për sensibilizimin dhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulture. Fotografitë e ekspozitës shëtitëse janë prezantuar për publikun në kangjellat e Presidencës në Tiranë, përcjellë gazeta “Zëri”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun gjithë muajin gusht dhe më pas do të udhëtojë në qytetet e Shkodrës, Gjirokastrës dhe Beratit. Janë këto qytete që presin këtë ekspozitë, që vjen në edicionin e saj të tretë. Sipas organizatorëve “Mbro & Promovo” është slogani i kërkimit fotografik, që shpreh dhe komunikon identitetin shqiptar përmes perceptimit artistik të trashëgimisë kulturore nga të rinjtë, të cilët nëpërmjet fokusit të aparatit të tyre sjellin artistikisht në vëmendjen e publikut problematikat e ndryshme, që shoqërojnë identitetin tonë kulturor. Kurator arti, Andi Tepelena, shprehet se ekspozita ka rëndësi sepse prezantohet para publikut në një moment kur po harrohen vlerat dhe po promovohen antivlerat kulturore. “Kjo ekspozitë vjen në një moment kur në këtë vend po promovohen kultura kitch, antivlerat kulturore dhe kjo ekspozitë shërben si antipod”, shprehet Tepelena në fjalën e tij.
Sipas kursorit të artit, Andi Tepelena, me pjesëmarrjen edhe të të rinjve kjo ekspozitë merr më shumë vlerë për trashëgiminë kulturore. “Përfshirja e të rinjve premton vazhdimësinë e mbrojtjes dhe të promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare nga brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Duke shikuar nga e kaluara, të rinjtë do të ndërtojnë të ardhmen duke u bazuar në vlerat shpirtëroro-kulturore, që kanë prodhuar shqiptarët ndër shekuj”, vijon Tepelena. 
Por përballë problemeve të shumta që ka sot trashëgimia jonë kulturore në vend, sipas kuratorit Andi Tepelena qëllimi është dhe nxitja e institucioneve për të bërë punën në mbrojtje të monumenteve të kulturës. 
Siç vlerësohet konkursi “Mbro & Promovo” ka një karakter të veçantë artistik dhe ndërgjegjësues kryesisht te të rinjtë, fokusimi i vëmendjes së tyre te trashëgimia kulturore dhe natyrore e Shqipërisë, evidentimi i problematikave të ndryshme, promovimi dhe mbrojtja e saj. “10 fotografitë  finaliste të përzgjedhura nga juria janë pjesë e kësaj ekspozite shëtitëse nëpër Shqipëri, në hapësira publike të destinuara për publikun e gjerë, që ai të sensibilizohet më shumë me vlerat dhe me bukuritë e Shqipërisë”, thuhet në materialin e ekspozitës.
Fotot konkurruese në edicionin e tretë të “Mbro & Promovo” u seleksionuan dhe u vlerësuan nga juria profesionale, e përbërë prej fotografes franceze Françine Carpon, Lejla Hadiç, drejtoreshë e “Cultural Heritage Ëithout Borders” - Shqipëri, historiani Mesut Tufan, ish-drejtor i “SIPA Press” në Neë York dhe në Paris, Ardian Isufi dekan i Arteve Figurative në Universitetin e Arteve, Tiranë, Eliza Hoxha arkitekte, Arbër Kadia kurator, Blerina Berberi drejtoreshë e “Ekphrasis Studio”, Romain Bijard, “Patrimoine sans Frontieres”, arkitektja Irsida Bejo, si dhe Andi Tepelena drejtori i “Art Kontakt”. Fotoja fituese e këtij edicioni i shkoi studentit polak në arkeologji Michal Pisz: “Sarda mesjetare shqiptare”, ishulli i Shurdhahut, Vaut të Dejës”. Gazeta Zëri///