'Disney' do ta ribëjë edhe filmin 'Home Alone'

'Disney' do ta ribëjë edhe filmin 'Home Alone'

Kultura gusht 08, 2019 - 09:53

Kompania e famshme filmike “Walt Disney” ka paralajmëruar ribërjen e edhe të një filmi shumë të famshëm. Bëhet fjalë për filmin e krishtlindjeve “Home Alone”. Shefi ekzekutiv i studios Bob Iger tha për BBC-në se do të ketë gjithashtu ribërje të filmave “Night At The Museum”, “Diary Of A Wimpy Kid” dhe “Cheaper By The Dozen”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Rikujtojmë se “Disney” tani zotëron ekskluzivitetet e këtyre filmave pasi bleu studion e filmit “20th Century Fox”. Filmi klasik i krishtlindjeve që ka në rolin kryesor yllin Macaulay Culkin, fillimisht u dha premierë më 1990. “Home Alone” është një nga ata filmat që e keni të pamundur t’i shmangni nëse shikoni televizor gjatë kohës së Krishtlindjeve. "Deri më tani këtë vit kemi lëshuar pesë nga gjashtë filmat më të mirë. Duke përfshirë katër që kanë sjellë më shumë se një miliard dollarë në arkën globale. Përveç ‘Avatar’, ‘Planet Of The Apes’, ‘X-Men’ dhe ‘Deadpool’, ne jemi gjithashtu të përqendruar në përdorimin e bibliotekës së gjerë të ‘Fox’-it me tituj të shkëlqyeshëm për të pasuruar më tej përzierjen e përmbajtjes në  platformat tona", tha Iger në një intervistë për BBC-në.

Viteve të fundit kompania “Disney” është përqendruar në ribërjen e disa filmave emblekatikë që i karakterizojnë vitet e ’90-ta e jo vetëm. “Mbreti luan” ishte filmi i tretë i “Disney”-t që u dha premierë këtë vit, pas filmit për elefantin “Dumbo” dhe “Aladdin”. Këta filma erdhën pas ripërpunimit të filmit “Hirushja” (2015), pastaj “Libri i xhunglës” (2016) dhe “Bukuria dhe bisha” (2017). “Disney” ka njoftuar gjithashtu se edhe filmat “Mulan” dhe “Sirena e vogël” do të publikohen në të ardhmen dhe se planifikohet që edhe shumë filma të tjerë të ripërpunohen.

BBC-ja konsideron se për shumë gjenerata filmat e “Disney”-t janë kthim në kohët e mira të fëmijërisë e në rehatinë. Sipas tyre, “Disney” po e shfrytëzon në aspektin pozitiv këtë mundësi, duke sjellë sërish në ekranet e mëdha kryeveprat e veta. Tash e shumë vite “Disney” në përgjithësi, por edhe “Disney Land” në veçanti, perceptohet jo vetëm si kënaqësi ose atraksion për fëmijët, por edhe për të rriturit. Punonjësit e “Disney Land”-it i kanë thënë për BBC-së se ka shumë raste kur të rriturit e vizitojnë këtë vend pa fëmijët e tyre, ose edhe çiftet e reja që nuk kanë ende fëmijë. Një nga qëllimet kryesore të kompanisë është që t’i bëjë njerëzit të ndihen sikur po kthehen në fëmijëri dhe këtë po e arrijnë shumë mirë edhe përmes filmave. Zëri