Krijuesit nga mërgata promovojnë librat në Prishtinë

Krijuesit nga mërgata promovojnë librat në Prishtinë

Kultura gusht 08, 2019 - 09:50
Image

Edicionit të gjashtë të festivalit “Promenadë mërgimtare” ia hapi dyert e mëdha të mërkurën Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Në amfiteatrin e madh u bënë bashkë krijuesit, lexuesit dhe dashamirët, të cilët i janë gëzuar faktit të bashkimit për një arsye të veçantë e që është promovimi i shumë librave. “Promenadë mërgimtare” edhe këtë vit u organizua nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM) në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe të Investimeve Strategjike, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Promenadë mërgimtare”, tashmë aktivitet tradicional

Anton Marku, kryetar i lidhjes së shkrimtarëve dhe të krijuesve shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, bëri të hapur festivalin duke përmendur aktivitetet që janë  paraparë të zhvillohen gjatë ditës. Marku falënderoi MDIS-in për mbështetjen duke e orientuar fokusin te qëllimi i takimeve që sipas tij është promovimi i krijimtarisë shqiptare në diasporë. “Në program kemi promovimin e disa librave dhe në mbrëmje kemi orën e madhe tradicionale, e cila do të mbahet në Podujevë. Numri i autorëve në diasporë nuk është i vogël dhe sot disa nga autorët shqiptarë i kemi nga Austria, nga Zvicra. Delegacionet e ardhura nga Shqipëria na kanë nderuar sot me ardhjen e tyre. Gjermania është një vend ku ka shumë poetë shqiptarë dhe aty është krijuar Shoqata e Krijimeve në Diasporë. Krijuesit shqiptarë në mërgatë përveçqë shkruajnë, ata bëjnë edhe muzikë”, u shpreh ai.

Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, shprehu entuziazmin për mikpritjen që institucionet shtetërore po ia bëjnë mërgatës. “Është kënaqësi e veçantë kur jemi në vendlindjen tonë dhe në hapësirën kombëtare. Është edicioni i gjashtë i këtij festivali dhe çdo vit e më shumë po shtohen promovimet e librave. Ky festival ka marrë jehonë falë të gjithë juve”, vlerëson ai.

Qyqalla tuje shton se është kënaqësi e veçantë që sot në Bibliotekën Kombëtare janë mbledhur për t’i promovuar disa nga veprat e krijuesve të mërgatës, me ç’rast ai konsideron se numri i autorëve në diasporë është i madh, më shumë sesa mendohet.

Muhamet Selmani, këshilltar politik i ministrit të Diasporës, theksoi se ky aktivitet është bërë tradicional dhe se MDIS-i vazhdon ta mbështesë. Selmani konsideron se kjo lidhje bashkon mendjet e ndritura, të cilat punojnë për atdheun edhe larg tij. “Jemi mbledhur sot në këtë aktivitet, i cili tashmë është tradicional e të cilin Ministria e Diasporës e mbështet. Është aktivitet i veçantë në të cilën mërgimtarët tanë ia shpalosën botës traditat tona shekullore. Është një lidhje, e cila bashkon mendjet e ndritura”, u shpreh ai.

Sipas Selmanit, në këtë festival mblidhen të gjithë krijuesit që t’i promovojnë krijimet e mërgatës, të cilët edhe pse nuk jetojnë në Kosovë, ata vazhdojnë të punojnë për atdheun. “Ju falënderoj për krijimet tuaja. Penda asnjëherë mos ju harxhoftë! Libri është vlera dhe drita e një shoqërie. Ju uroj të çmalleni me atdheun dhe t'ju frymëzojë të shkruani edhe më shumë vepra", tha ai.

 

Prezantohen 15 vëllime, shkrimtarët promovojnë krijimet e reja

Në mesin e 15 prezantimeve të librave, fillimisht u promovua libri "Shprushje kujtimesh" e Gonxhe Letmi-Begushollit, me ç' rast u lexuan edhe disa poezi të kësaj vepre. Ndërsa Elena Lilaj, e cila foli për librin e Demir Reshitit, tha se ky libër tregon historinë e atdheut. “Ky libër na mëson se në të ardhmen të jemi artistikisht të ngjashëm, duke prezantuar njëri-tjetrin shpalosim vlera", tha ajo.

Tutje u promovua libri “Shkalla e diellit” e autorit Fran Tanushi, për të cilën foli Nikollë Lokaj, recensent i librit, “Ëndrra e thyer” nga Milazim Kajtazi dhe shumë vëllime të tjera, ku disa prej tyre edhe kanë promovuar krijimet e tyre më të reja. Kurse autori Gani Bytyçi përuroi librin “Fletëza dhimbjeje”, që nga redaktori i librit Emin Azemi është vlerësuar si dritë, e cila bie mbi trupat e errët të përtacisë njerëzore.  “Gani Bytyçi përmes këtij libri vjen si një vëzhgues i vëmendshëm e aktiv, të cilit nuk ikin as detajet më të imta, të cilat ai i ridimensionon në një botë të veçantë, ku rrëfimi ngjizet dhe bëhet i pandashëm nga meditimi. Ky libër është drita që bie mbi trupat e errët të përtacisë sonë njerëzore e intelektuale për të veçuar të rëndomtën humane nga e madhërishmja patetike, për të veçuar njeriun nga turma dhe idenë sublime nga zhurma e gjoja barazisë sociale”, shkruan Emin Azemi, redaktor i librit.

Autori i librit Gani Bytyçi thekson se këto shkrime janë bërë në kohë dhe nga vende të ndryshme, në distancë prej vitesh e dekadash nga njëri-tjetri. Kur pyet se çfarë i bën këto shkrime që të jenë të afërta e aq të lidhura në mes vete, ai thotë se fryma, motivi, brenga, shqetësimi e dhembja janë që i bashkojnë ato dhe që i mbajnë të lidhura. “Janë trishtimi e vuajtja e një populli në një robëri brutale, të egër e tragjike. Është gjakimi i tij historik e i pafund për liri dhe ideali i shenjtë i bashkimit të kombit dhe progresit të tij. Kjo edhe ishte arsyeja, që më shtyri t’i mblidhja e t’i botoja si libër këto fletëza. Ky ishte dhe mbeti preokupimi, gjakimi, vetëdija, ndërgjegjja e mesazhi im, ekzistencial, kombëtar, krijues, njerëzor e intelektual, i djeshëm, i sotëm e i përhershëm”, vlerëson autori Bytyçi.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe akademia kulturore "Mirëdita" dhe shoqata mbarëkombëtare “Bytyçi”, kurse “Promenadë mërgimtare” vazhdoi me aktivitetet, të cilat janë paraparë gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje. Zëri