'DokuFest'-i për 4 ditë rreth 7 mijë shikues

'DokuFest'-i për 4 ditë rreth 7 mijë shikues

Kultura gusht 07, 2019 - 09:49
Image

Deri të shtunën të gjitha rrugët i çojnë në Prizren adhuruesit e artit e të kinematografisë nga mbarë Kosova, atje ku po mbahet edicioni i 18-të i festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër e dokumentar “DokuFest”. Në festivalin, që ka epitetin si ngjarja më e madhe kulturore në vend, edhe sivjet po marrin pjesë shumë filmbërës, artistë e vizitorë të huaj. Në një intervistë për gazetën “Zëri” Nita Deda, drejtoreshë e festivalit që sivjet mbahet prej datës 2 - 10 gusht, flet më gjerësisht për zhvillimet e sivjetme në “DokuFest”. Ajo bën të ditur se në katër ditët e para të festivalit patën rreth 7.000 shikues nëpër kinema, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sivjet “DokuFest”-i ka në program mbi 200 filma në disa kategori. Sa jeni të kënaqur me fluksin e vizitorëve nëpër kinema, por edhe nëpër Prizren përgjithësisht?

Ne jemi shumë të kënaqur. Deri në ditën e katërt të festivalit kemi pasur diku rreth 7.000 vizitorë në filmat dhe në performancat e muzikës së “DokuFest”-it. Kemi nisur me hov me shfaqje të filmave në 10 kinema të qytetit. Kemi filluar edhe me kinemanë e re, që është risia e këtij viti. “Kino Solare” ose siç e kemi quajtur ne “Kino Mahalla”, përmes së cilës po i dërgojmë filmat jashtë qendrës historike, në pjesët periferike të Prizrenit. Krahas filmave po vazhdojnë performancat e muzikës, siç ishte ajo e Iso-polifionisë së Jugut të Shqipërisë, lansimi i albumit të BimBimës etj. 

 

“DokuFest”-i ngadalë po i afrohet rrumbullakimit të dy dekadave. E dimë se në kohën kur ka nisur ky festival Kosova nuk ka pasur as fond të filmit. Në anën tjetër, viteve të fundit kinematografia jonë ka arritur disa suksese. Filmin “Shok”, që shkoi në “Oscar”, e kemi parë së pari në “DokuFest”, pastaj është filmi “Home”... Modestinë anash, a ndiheni meritorë për këto zhvillime pozitive?

Nëse flas si qytetare e Kosovës, kur kam qenë duke u rritur “DokuFest”-i më ka mësuar mua për filmat dokumentarë dhe më ka mësuar të vij në Prizren e të shikoj filma. Festivali ka nisur si shumë i vogël, me shfaqjen e 20 filmave, kurse sivjet kemi 280 filma. Po mendoj që dëshira ose shpirti i themeluesve të festivalit është i njëjtë. Më nuk janë 5 persona, jemi përmbi 200 persona në organizimin e festivalit. Mendoj që përveç një zhvillimi të audiencës së filmave, “DokuFest”-i definitvisht është meritor edhe për krijimin e një gjenerate të re të filmbërësve të Kosovës. Sivjet kemi 18 filma premierë, që janë prodhim i “DokuFest”-it, të prodhuar nga tri shkolla të ndryshme që i kemi pasur gjatë vitit me nxënës të shkollave fillore nga Kosova, por jo vetëm.

 

Me sa e dimë sivjet keni zgjeruar më tepër programin për fëmijë, “DokuKids”. Si po shkon kjo pjesë? A ka interesim?

Ka tepër interesim për “DokuKids”-in. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse kemi vendosur ta zgjerojmë. Vetëm ditën e parë, vetëm më një punëtori i kemi pasur 150 fëmijë të interesuar. E kemi një program të kuruar nga Samir Karahoda, i cili e kuron edhe programin e filmave kombëtarë, edhe të shkurtër. Është një program prej 50 filmave për fëmijë, që shfaqen në kinemanë “Lumbardhi” çdo mëngjes prej orës 10:30 dhe të cilët janë falas për të gjithë fëmijët. Kemi edhe shumë punëtori interesante, në të cilat fëmijët mësohen të bëjnë filma të ndryshëm. Gjithashtu kemi edhe një punëtori për vallëzim.

 

Çdo vit “DokuFest”-i sillet rreth një teme, sivjet e kemi të vërtetën. Sa po mirëpritet si koncept dhe a mendoni se po arrihet të shtjellohet siç duhet?

Ne kemi menduar se kjo është një temë urgjente. Kryesisht tema trajtohet përmes kampanjës së festivalit dhe kurimeve të programeve. Është komplet një program i filmave, që i dedikohet temës së vërtetës. Tema natyrisht që po trajtohet edhe përmes paneleve të ndryshme. P.sh. e kemi pasur një panel, i cili ka diskutuar lajmet e rreme. Edhe ky është një aspekt që kemi dashur ta sjellim në “DokuFest”. Ne mundohemi të punojmë gjatë tërë vitit për të sjellë një temë të rëndësishme në Prizren. Deri në këtë moment mendoj se e kemi arritur deri diku. Kemi kohë deri të shtunën dhe kemi plot filma të tjerë që do t’i shfaqim.

 

Kanë mbetur edhe disa ditë deri në fund të festivalit. Për ata që s’kanë ardhur ende në “DokuFest”, cilat janë gjërat që duhet t’i shohim apo t’i bëjmë patjetër në këtë edicion?

Mendo se “DokuFest”-i është komplet një eksperiencë në vete. Duhet të zgjohesh të pish një çaj, të hash qebaba, ta shohësh një film. p.sh. filmat e shkollës sonë të “DokuFest”-it. Mendoj se ka filma për secilën shije. I ftoj të gjithë ta shohin programin tonë që është në faqen online, por i shpërndarë edhe në të gjithë komunat përmes reklamave. Për mua është speciale një performancë, e cila do të mbahet në kala e që është një performancë mes filmit dhe koncertit. Është artisti i muzikës elektronike Rabih Beaini, një artist mjaft i njohur që ka bashkëpunuar me Agona Shporten, një muzikante nga Prizreni. E veçantë sivjet është edhe ekspozita “DokuPhotos” e artistes Blerta Hoçia e shumë aktivitete tjera. Ftoj të gjithë të vijnë në Prizren. Zëri

Image