Tiranë, artistët vendorë e të huaj bashkë për mbrojtjen e Teatrit

Tiranë, artistët vendorë e të huaj bashkë për mbrojtjen e Teatrit

Kultura gusht 06, 2019 - 09:43

Aktorë shqiptarë dhe të huaj me shfaqje do të bëhen bashkë në skenën e Teatrit Kombëtar të Tiranës. Të gjithë bashkë janë në skenë për një qëllim, mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit bën me dije se beteja për mbrojtjen teatrit po vazhdon edhe përmes artit. Aktori i njohur Neritan Liçaj shprehet për “sot.al” se shfaqje dhe artistë që do të performojnë do të ketë gjatë gjithë kohës, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Në skenën e Teatrit Kombëtar do të ketë shfaqje gjatë gjithë kohës. Ato kanë nisur dhe në vijim do të jenë në skenë edhe të tjerë artistë shqiptarë dhe të huaj, por edhe ne presim edhe artistë nga Kosova. Presim gjithashtu edhe Michele Placido me trupën e tij për një shfaqje në Teatrin Kombëtar. Ishte Mehdi Malka në skenë me një monodramë, për të vijuar edhe me të tjerë artistë. Festival për të mbrojtur Teatrin, për të sensibilizuar për çështjen e teatrit”, shprehet aktori Neritan Liçaj.

Duke treguar se çfarë po ndodh këto ditë në Teatër, ku beteja vazhdon përmes artit, aktori Neritan Liçaj thotë se gjithçka po realizohet vetëm falë kontributit të tyre vullnetar. Institucionet kanë përfunduar sezonet artistike, por pranë Teatrit Kombëtar artistë të ndryshëm po vazhdojnë me shfaqjet e tyre, duke u mirëpritur jo pak.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit prej muajsh po proteston në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Herë pas here në deklarata të ndryshme AMT-ja është shprehur se po tentohet të grabitet pasuria publike. Në një deklaratë pak ditë më parë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit që ka rreth saj artistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile u shpreh se Bashkia e Tiranës ka shpallur konkursin me të cilin kërkon të shembë godinën dhe të grabisë truallin e Teatrit Kombëtar. Zëri