Zyra, humoristja që na bëri të qajmë
Shkruan: Elion Kollcaku
Në të njëjtën ditë, para gjashtë vitesh, ndërroi jetë aktorja Zyrafete Gashi, që gati për dy dekada e argëtoi publikun kosovar, me skeçet e saja humoristike. E filloi karrierën duke imituar Esmeralldën, një personazh shumë i dashur për publikun, që e vazhdoi ta luante këtë rol, edhe shumë vite më pas. Ajo vetë kishte treguar në një emision televiziv, se ishte frymëzuar nga libri i Viktor Hygosë, dhe Esmerallda edhe pse ishte cigane, ishte femër me autoritet. Karrierën në aktrim e vazhdoi rolin me Hajrije Kalanicën, me shumë aktorë të tjerë të njohur kosovarë, para se lufta të fillonte në Kosovë.
Kur përfudoi lufta në Kosovë, ajo vazhdoi rrugën e saj, me karrierën personale, ku bashkë me disa aktorë të tjerë, realizoi skeçe humoristike që mbanin emrin e saj.
Viti 2000 shënon për aktoren, daljen e parë të video-kasetës "Pitja", ku bashkë me aktoret, Drita Duraku e Teuta Sadikun, mbanin rolin kryesor. Drita kishte rolin e "Pedantes", kurse Teuta, rolin e "Buqes". Suksesi i asaj kasete, ku këto dy të fundit marrin "laknurin" e Zethanes, njërin nga personazhet kryesore që e personifikon Zyrën, në spitalin ku ishin të shtrira, shënon vetëm fillimin.
Menjëherë pas asaj kasete, në vitin 2001, dalin dy kaseta të tjera, ku e para titullohej "Ruzhda dhe Buqja" e tjetra për vitin e ri. Përveç roleve që luante, si Ruzhda, Esmerallda, Zethanja, Dada Dragicën etj., ajo ishte edhe skenariste e të gjitha këtyre videove, e në ato vite, regjia ishte nga Luan Daka dhe producent ishte Agim Gashi.
Larmia e personazheve, me vite, rritej çdo herë e më shumë, por trioja e famshme mbeti për shumë vite. Ndoshta shumë vetë e kujtojnë këngën "Buqe, Buqe" nga Ruzhda, apo edhe këngën "Knonj Spice Girls-at me dahire" nga Zyra, Pedantja e Buqja, por edhe këngët tjera me Luan Dakën, me Zenel Tufën, e shumë të tjera.
Koha e video-kasetave përfundon nga fundi i vitit 2006, dhe nga viti 2007, ajo fillon t'i publikojë skeçet e saj, por përmes CD-ve, e suksesi nuk vazhdon t'i mungojë, e rolet vetëm vazhdon t'i shtojë. Ka aktruar deri në vitin që ka ndërruar jetë, dhe CD-ja e fundit e pubikuar e fundit ka qenë në vitin 2013.
Beteja e fituar dhe sfida e dytë që i mori jetën
Ishte viti 2000, ku pas disa analizave zbuloi se ishin shfaqur qeliza kancerogjene në gji, dhe atëherë jeta e saj mori një kthesë tjetër. Në një emision ku ishte ftuar nga Antigona Kotorri, që ishte edhe i fundit ku foli, tregoi se momenti më i vështirë në jetën e saj ishte kur filluan t'i binin flokët, por që aktrimin nuk do ta linte asesi, dhe në atë gjendje, ajo aktronte dhe nuk u tregonte organizatorëve se ishte e sëmurë, sepse përndryshe nuk do ta ftonin. Ajo edhe sfidat më të mëdha në jetë i kalonte me aktrim, sepse ishte pjesë e jetës së saj, nuk ishte e plotë nëse nuk aktronte, dhe koha kalonte më shpejt për të. Ajo tregoi aty, se nuk e kuptonte se si ka mundur që të përballojë gjithë atë lodhje, pasi shkonte dhe aktronte edhe pasi dilte nga spitali,pasi bënte kemioterapinë, ku kurohej nga një ajo sëmundje e rëndë, edhe pse ishte pa flokë, mundohej të fshihej derisa e vendoste paruken, që të mos e shihnin të tjerët që është e sëmurë.
Fati ishte në anën e saj, sepse ajo e kaloi këtë sfidë dhe vazhdoi jetën si një person i shëndoshë, por edhe një aktore e famshme, duke vazhdur sukseset në këtë lëmi. Ajo vazhdoi të ishte pjesë e ecjes së përvjetshme, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Në ecjen e përvjetshme, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit
Fatkeqësisht, simptomat e kësaj sëmundjeje iu kthyen pas njëmbëdhjetë vitesh, dhe në vitin 2013, ajo ndërroi jetë, por me luftën kundër kësaj sëmundje deri në fund!
Kujtimi i përjetshëm nga familja dhe kolegët
Me mbesën e saj, Rinën dhe motrën, Zanën
Zyra, ishte shumë e lidhur me familjen e saj, sidomos me mbesat e saj, të cilat aktruan shumë gjatë me të, në skeçet e saj humoristike.
Rina Gashi, e kujton hallën e saj me shumë mall por, edhe nostalgji në të njëjtën kohë, sepse tregon që ka aktruar me të që nga viti 2000 deri në vitin 2007. Për shtatë vite me radhë, ajo ka qenë aktore bashkë me të, dhe e kujton si kohë shumë të bukur, kur luante bashkë me hallën e saj. Zakonisht kishte rolet e mbesës së vogël dhe gjyshe e kishte Zethanen, dhe ku gjyshja i hante qebapat që ia kishte përgatitë nëna dhe e mashtronte nusen se sa mirë po hanë fëmijët, ose kur recitonte para se nandimri t'iu sillte dhuratat. Këto janë vetëm dy nga shumë rolet e Rinës, ku ajo ka aktruar, që edhe sot i ruan si kujtim i veçantë i fëmijërisë.
"Inspirim për mu është me e vazhdu një jetë me shumë pozitivitet, dashni e humor! E pazëvëndësueshme Hallë gjithmonë!"- janë fjalët e Rinës për hallën e vet, që thotë se e deshi shumë dhe mungesa e saj ndihet edhe sot, po humori i saj do të mbetet gjithmonë.
Edhe mbesa tjetër, Hebera Gashi, e kujton me mall hallën e vet, dhe i mungon shumë.
"Ishte shumë e dashur dhe e afërt me ne, na argëtonte dhe na bënte për të qeshur, na dispononte e poashtu edhe çdoherë na këshillonte kur kishim ndonjë problem."
Ajo tregon se shpesh i ka ndihmuar për t'i shkruar skeçet, poashtu i ka ndihmuar edhe rreth videoprojekteve dhe realizimit të tyre.
"Halla ishte person e cila kishte respektin e shumë njerëzve, njerëzit e admironin për talentin e saj dhe pse i bënte për të qeshur , dhe e respektonin për personalitetin dhe vlerat qe kishte si person, ishte e afërt dhe e dashur për njerëz, sidomos fëmijët e adhuronin. Na mungon shumë, e ndjejmë shumë mungesën e saj!" -janë fjalët e ndjera të mbesës së saj, Heberës.
Thotë se ka dhënë shumë për humorin kosovar, dhe aftësia e saj e ka bërë të tillë.
Motra e Zyrës, e kujton me dhimbje motrën e saj, që e deshi shumë, sepse ishte krenare me të.
Këto janë fjalët e Zanës për motrën e vet, pasi edhe nuk mund të thotë me tepër, ngase është shumë e vështirë kur humb motrën, në rastin e saj:
"Ne atë moment zemra mu bë copë. Humbja jote është sikur kam humbur një pjesë të zemrës sime. Ke sakrifikuar kohën tënde per të na berë të lumtur edhe kur ne ishim te mërzitur. Ti je një yll qe nuk shuhesh kurrë. Të mbaj në mendje, të mbaj ne zemër, motra jote Zana!"
Kolegët e kujtojnë si njeri të madh
Përveç familjarëve, atë e kujtojnë edhe kolegët e saj, e ndër ata që ka aktruar më së shumti e të, është Teuta Sadiku, e cila flet me respekt për kolegen e saj, tashmë të ndjerë.
"Ka qenë një kolege perfekt, kemi punu shumë dhe kemi kalu tepër mirë! Ka qenë shumë kolegiale, është kujdes për krejt ata që ka punu me ta dhe te gjithë i ka dashtë. Për atë e kemi pasë edhe shoqe shumë të mirë!"
Teuta tregon se dilnin për dreka e darka bashkë, shkonin me ndejtë të njëra tjetra dhe bënin qejf. Thotë se nuk ka komente të tjera, pos që ka qenë shumë e mirë dhe shumë po i mungon, se gjithmonë ka me i mungu!
Edhe kolegu i saj, Zenel Tufa, që ka aktruar me të për një dekadë, thotë se edhe si aktore edhe si njeri, ka qenë shumë e madhe!
"Bashkëpunimi me të ka qenë shumë i lehtë, kemi pasë gjuhë të përbashkët si rreth skenarit dhe në të gjitha aspektet, edhe pse shumicen e skeçeve vetë i ka punu!"
Përveç Zenelit, edhe djali i tij Agoni, protagonist i shumë skeçeve, thotë se ishte kënaqësi të punote me të, edhe pse ishte shumë i vogël. Ai thotë se vitet e fundit, ajo ia besoi organizimin e punës dhe të gjitha, e për të ishte shumë kënaqësi.
Të gjitha këto komente, nga njerëzit e saj të afërm dhe nga kolegët, vijnë si pasojë e një pune të palodhshme nga ana e saj, që për vite qëndroi në skenë dhe argëtoi të gjithë Kosovën por edhe Diasporën.
Kujtimi për të do të jetë i përjetshëm!