Familjarët nuk patën të drejtë vote për shtatoren e Demaçit

Familjarët nuk patën të drejtë vote për shtatoren e Demaçit

Kultura July 23, 2019 - 10:15
Lexo më shumë detaje
Image

Shtatë buceta nga shtatë skulptorë të ndryshëm kanë qenë në garë për shtatoren e Adem Demaçit. Komisioni i përbërë prej Jahja Llukës nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ilir Muharremit (kritik i artit), Arjeta Miftarit (skulptore), Avni Behlulit (skulptor) dhe Hidajet Hysenit nga Shoqata e të Burgosurve Politikë kanë votuar për opsionet e vendosura në tavolinë. Por në këtë konkurs të drejtën e votës për shtatoren që do të vendoset në qytetin e Prishtinës nuk e kanë pasur familjarët e veprimtarit Demaçi.

I biri i tij, Shqiptar Demaçi, si dhe familjarë të tjerë kanë qenë të ftuar vetëm si mysafirë në mbledhjet konsultuese.

Gazeta “Zëri” merr vesh se buceta e punuar nga skulptori Gëzim Muriqi, me kodin 6669, ka dalë e para në këtë konkurs, duke mbledhur 61.60 pikë, kurse i dyti në këtë garë është propozimi i skulptorit Agon Qosa, me kodin 0203, që ka mbledhur 38.08 pikë. Vendimi nuk është dhënë ende publikisht. Ai pritet të bëhet pas hapjes së ofertave financiare të dhëna nga skulptorët, megjithatë vlerësimi i jurisë peshon 70%, kundrejt vlerësimit financiar që është 30%.

Shtatorja e Demaçit parashihet të jetë e gjatë rreth katër metra dhe për të Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 120 mijë euro. Po ashtu Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që kjo shtatore të vendoset te “Rrethi i Spitalit” në Prishtinë. Pritet që edhe Parku i Qytetit të emërohet “Adem Demaçi”, si dhe emrin e veprimtarit ta mbajë edhe autostrada Prishtinë - Pejë.

Image

Shqiptar Demaçi: Nëse përzgjedhja finale nuk na pëlqen do të ankohemi

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, Shqiptar Demaçi, i biri i Adem Demaçit, ka konfirmuar se nuk ka marrë pjesë në komision, por kanë qenë vetëm mysafirë dhe kanë përcjellë procesin. Ndonëse nuk kanë pasur të drejtë vote, Demaçi thotë se nuk do të ishte në rregull nëse nuk pyetet familja për versionin final. Ai deklaroi se nëse në fund, kur të shpallen rezultatet finale, do të jetë i pakënaqur, nuk do të hezitojë të ankohet. Por sipas tij duhet të pritet derisa të përfundojë i tërë procesi. “Unë jam në rregull dhe e di cila është më e mira, e cila më pëlqen mua, mirëpo komisioni çka vendos është më profesionale. Moralisht nuk do të ishte në rregull nëse nuk pyetet familja për versionin final. Nëse familjes nuk i pëlqen, nuk është në rregull të bëhet kurrfarë monumenti. Do të bëj ankesë nëse jam i pakënaqur, do të dal në medie dhe do të diskutoj nëse më pëlqen ose jo”, theksoi ai.

Përveç familjes, edhe njerëzit më të afërt të Demaçit opsionet i kanë parë vetëm në medie. Xhelal Pakashtica, shoqërues dhe shofer i Demaçit për shumë vjet, tha se si të tjerët i ka parë vetëm nëpërmjet lajmeve bucetat. Ai është i mendimit se buceta që ka marrë më së shumti pikë nuk është më e përafërta me Demaçin. “Ajo që është zgjedhur nuk ka qenë më e përafërta me Demaçin. Një e ka merituar, 02-03 me kod ka qenë. Ajo i afrohet 80 për qind. Skulptor nuk jam, veçse e di kush i ngjan dhe duket puna që është e bërë mirë”, u shpreh ai.

Muharremi: Shtatorja që mori më shumë pikë i plotëson të gjitha kriteret

Sipas kritikut Ilir Muharremi, pjesë e komisionit vlerësues, shtatorja që ka grumbulluar më së shumti pikë i plotëson të gjitha kriteret. “Është përzgjedhur e duhura, sidomos nëse analizohet pjesa e kompozicionit, përshëndetja, qëndrimi i tij prej flamurit, sepse shtatorja do të vendoset te rrethi dhe hapësira, skulptura e arkitektura janë në ndërlidhje shumë të drejtpërdrejtë njëra me tjetrën, edhe ngjashmëria është shumë e madhe me Adem Demaçin. Po ashtu është punuar shumë bukur me një realizëm modern. Të gjitha kriteret i ka plotësuar buceta”, vlerëson Muharremi.

Më tutje Muharremi ka theksuar faktin se pamja e shtatores në katër metra mund të dallojë nga buceta në miniaturë. Sipas tij, kur buceta e zgjedhur do të finalizohet, ajo do të jetë adekuate.

Në anën tjetër, Jahja Lluka, nga Zyra e kryeministrit, i cili është edhe anëtar i komisionit të krijuar për monitorimin e vendosjes së shtatores, ka konfirmuar se ende nuk është kryer i gjithë procesi. Ai pranon se familjarët nuk kanë pasur të drejtë vote, por tha se i ka ftuar si mysafirë, për shkak të respektit. Megjithatë Lluka tha se të drejtën e ankimit mund ta ushtrojë secili. “Krejt kush ka ankesë e ka të drejtën të ankohet në organet e prokurorimit dhe unë nuk kam të bëj me prokurorim”, thekson Lluka.

Sipas tij, gara ka qenë e ngushtë dhe dy kanë qenë bucetat më të mira, ato janë vlerësuar. Lluka theksoi se kur të zgjidhet përfundimisht fituesi do të ketë hapësirë edhe për përmirësime dhe intervenime. “Komisioni e ka të drejtën të intervenojë, eventualisht edhe familja, për ndonjë sugjerim te skulptori fitues. Do të ketë mundësi për përmirësime”, tha Lluka.