“Green Fest” në Mitrovicë nis edicionin e 9-të

“Green Fest” në Mitrovicë nis edicionin e 9-të

Kultura July 22, 2019 - 10:11
Lexo më shumë detaje

 

Ka nisur të dielën dhe do të zgjasë deri më 26 korrik, në qytetin e Mitrovicës, për vitin e nëntë me radhë festivali “Green Fest”.

Ky edicion organizohet nën temën “Për nënën natyrë”, duke vënë në spikamë rolin e gruas dhe të nënës në raport me mjedisin dhe me burimet natyrore e duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit dhe të sensibilizimit të qytetarëve mbi zhvillimin e qëndrueshëm. Gjatë këtyre ditëve të festivalit do të ketë shfaqje të filmave, muzikë, punëtori artistike, murale, debate, si dhe aksione mjedisore. Të dielën në hapësirën e “7 Arte” performuan dyshja latino-amerikane Helado Infinito dhe në vijim për tre net me radhë do të shfaqen tre filma dokumentarë, si: “Solar Mama”, “Permakultura si rrugë drejt paqes” dhe “Ferdonija”.

Derisa në anën tjetër organizata holandeze “Hope Box” do të organizojë dialog artistik nën temën “Çfarë po ndodh me nënën natyrë”, që do të fasilitohet nga artistja me renome ndërkombëtare Rienke Enghardt.

Më datën 26 korrik parashihet të mbyllen aktivitetet përmes natës muzikore, ku do të performojnë bende dhe artistë të ndryshëm, si Mr Rez (DJ reggae), Sytë, Flaka Krelani, Gima & Band dhe Elton Deda. Këtij edicioni i ka paraprirë ekspozita e fotografive nën titullin “Në mbrojtje të Faunës”, me autor Arian Mavriqin, si dhe punëtoria “Code 4 Green”, e organizuar nga “Girls Coding Kosova”, me qëllim të zhvillimit të ideve e të aplikacioneve, që do të ndihmonin gjendjen e mjedisit tonë.