Libri i javës     “Lehtësia e padurueshme e qenies” nga Milan Kundera

Libri i javës “Lehtësia e padurueshme e qenies” nga Milan Kundera

Kultura July 22, 2019 - 10:09
Lexo më shumë detaje

 

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë, në kuadër të rubrikës “Libri i javës”, këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Lehtësia e padurueshme e qenies”, nga Milan Kundera. Libri është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Dituria”, kurse është përkthyer nga Saverina Pasho.

Romani, që zhvillohet në Pragë, rrotull vitit 1968, përshkruan jetën e artistëve dhe të intelektualëve çekosllovakë në periudhën midis Pranverës së Pragës dhe pushtimit të mëvonshëm nga Bashkimi Sovjetik. Historia fokusohet në grupin e njohur si “Kuarteti i Kunderas”, i përbërë nga Tomasi (një kirurg i njohur dhe i suksesshëm, i cili në një moment humbet punën e tij për një artikull mbi Edipin Mbret, i cili për shkak të një analogjie, që e lidhte tragjedinë me regjimin, rezulton tejet kritik ndaj komunistëve çekë), bashkëjetuesja e tij Tereza (fotografe), dashnorja e tij Sabina (një piktore) dhe nga një tjetër dashnor i Sabinës, Franci (një profesor universiteti). Fatet e këtyre personazheve janë të ndërlidhura deri në fund.

Pra romani flet për një grua të re, Tereza, që dashurohet me një kirurg të suksesshëm, Tomasi, një burrë i ndarë midis dashurisë së tij për të dhe dashurisë për gratë dhe tradhtive të tij të pakorrigjueshme. Në ngjarje është edhe dashnorja e kirurgut, Sabina, një artiste me shpirt të lirë, e jeton jetën e saj si një varg tradhtish, ndërsa i dashuri tjetër i saj, Franci, i sinqertë, besnik dhe i mirë, është duke humbur gjithçka për shkak të cilësive të tij fisnike. Pastaj një person tjetër hyn në skenë: autori. Fytyra e tij është nën hije, në qendër të katërkëndëshit të dashurisë, të formuar nga protagonistët e romanit: dhe këta katër elementë vazhdimisht i ndryshojnë qëndrimet ndaj tij, largohen e qasen rastësisht, por dhe për shkak të ngjarjeve e persekutimeve të historisë.

Për Milan Kunderan romani nuk heton realitetin, por qenien. Lehtësia e padurueshme e qenies është një hulumtim me stil, i cili na çon drejt e te vetja, te të tjerët, te jeta e dhunshme, te drama e shpresave delikate. Romani konsiderohet një arritje e madhe e njërit nga shkrimtarët më të shquar të kohës. Një romancë madhështore e pasioneve dhe politikës, pabesisë dhe ideve. Milan Kundera përfshin ekstreme të komedisë dhe të tragjedisë, duke ndriçuar të gjitha aspektet e ekzistencës njerëzore.