Rrugëtimi i Avni Abazit në aktrim

Rrugëtimi i Avni Abazit në aktrim

Kultura July 22, 2019 - 10:07
Lexo më shumë detaje
Image

Avni Abazi, aktor, producent dhe regjisor shqiptar nga Kosova, që po jeton dhe vepron në Nju-Jork, së fundi ka arritur të gjejë hapësirë për të promovuar punën e tij edhe në Amerikë. Shfaqja e tij “Një shqiptar, një serb dhe ushtarët” ka arritur të ngjitet në skenën e teatrit njujorkez për të pestën herë radhazi me repriza për një kohë shumë të shkurtër. Në këtë shfaqje Abazin e gjejmë si producent, si regjisor dhe si aktor. Shfaqja është realizuar me aktorë kosovarë në vitin 2017 dhe u pat shfaqur në “Dodonë”.

Abazi për gazetën “Zëri” ka folur në detaje për karrierën e tij në fushën e aktrimit. Ai rikujton se hapat e parë i mori nga artisti i popullit Kadri Roshi, për të vazhduar studimet në klasën e Xhevdet Ferrit dhe të Niko Kanxherit në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Pas trazirave të vitit 1997 në Shqipëri Avniu kthehet në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, në klasën e Faruk Begollit dhe të Luan Dakës. I pyetur se cilat janë vështirësitë me të cilat është përballur përgjatë viteve në aktrim, ai thotë se sfidat kanë nisur që në ecejaket e para drejt këtij drejtimi. “Vështirësitë kanë filluar qysh nga rrethi, pastaj familja, qyteti ku kam jetuar, njerëzve kur u prezantoja drejtimin ose profesionin, ata ndienin keqardhje si pikë e parë se nuk mundesh të arrish sukses, pastaj si drejtim që në Kosovë nuk gjen shumë përkrahje. Ata tërë kohën më këshillonin që të shkoj diku tjetër, ku mundem të jem më i sigurt”, kujton Abazi.

Të “vjedhësh” me mjeshtëri mësimet e profesorëve Begolli e Petrovci

Abazi ka qenë student i Faruk Begollit e i Enver Petrovcit. I pyetur se sa ka ndikuar kjo në profesionalizmin e tij dhe çka kujton nga ta, ai thotë se me ëndje kujton kohërat e vështira kur ekzistonte vetëm një institucion i kulturës e ku mund të jepnin shfaqjet e tyre dhe ai institucion ishte “Dodona”. “Me thënë të drejtën me qenë student i këtyre dy personaliteteve është një kënaqësi. E veçanta e tyre ka qenë që me mjeshtri të marrësh sa më shumë prej tyre e prej profesionit. Pra, të vjedhësh me mjeshtëri prej tyre. Që të dy kanë reflektuar shumë mirë me profesionin e tyre edhe te ne studentët”, kujton Abazi, i cili më tutje thotë si sot e mban mend kohën e 24 marsit të vitit ’99, kur me Faruk Begollin, për të dalë sa më mirë një shfaqje, patën ushtruar dy ditë e dy net pa iu ndarë punës.

Avni Abazi ka qenë dhe kryetar i Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, të cilin e pati themeluar Abdurrahman Shala. Drejtimi i këtij institucioni nuk paraqiti vështirësi për Abazin, pasi që trashëgoi punën e të ndjerit Shala, që sipas tij i ndjeri kishte bërë shumë për komunitetin artistik në Kosovë.

I njohur si artist kosovar, i cili ka nxjerrë në dritë shumë shfaqje, është pyetur se me cilat prej shfaqjeve që ka realizuar në Kosovë ndihet më i plotë në aspektin e mirëpritjes së publikut, Abazi vlerëson se secili projekt gëzon veçantinë e vet. “Me thënë të drejtën, këto katër vjetët e fundit që kam bashkëpunuar me bashkëshorten Ibe Abazin thuajse të gjitha projektet kanë qenë specifike dhe secili projekt në njëfarë forme e zotëron veçantinë e vet. Projekti “Ushtari i dy luftërave”, që ka simbolizuar kthimin tim në teatër, me njëfarë forme e ka atë ndjesinë e vet, të cilin unë e veçoj për të mirat që më ka sjellë”, thekson ai.

I pyetur se pse ka zgjedhur që ta lërë Kosovën, Abazi thotë për “Zërin” se e vërteta është që në 2008-n pati lënë Amerikën për Kosovën. “Në fakt, e vërteta është që një kohë unë e pata lënë Amerikën për Kosovën, në 2008-n. Klasa politike në Kosovë dhe rrethanat që u krijuan ishin të rënda, u krijua një moment ku unë nuk shihja ardhmëri dhe kjo shënon kthimin tim në Amerikë”, tha ai.

Abazi gëzon statusin e “Extraordinary ability person in film industry” nga shteti amerikan dhe jeton e vepron si artist i lirë në Nju-Jork. “Këtë status e kam marrë në vitin 2002, ndjenja e veçantë e këtij statusi është se gëzon të drejtat e barabarta me gjithë artistët tjerë në Amerikë”, thekson ndër të tjera ai.

Abazi: Audienca shqiptare e ka mbështetur punën time si artist

Duke folur për vlerësimin që i bëhet aktrimit si fushë-veprimtari në Kosovë, ai thotë se ka gëzuar fatin që në 2001-n ka bashkëpunuar me Ambasadën Amerikane dhe pati bërë serinë e parë pas lufte në Kosovë, “Jeta e një toke”. “Në momentin kur krijon emër, prodhon diçka që vlerësohet, hyn në kanunet e trajtimit, ku nuk je më ai fillestari që të shikojnë ndoshta me dhimbje, por të vlerësojnë ndryshe”, vlerëson aktori.

Kur flet për planet, në vazhdimësi artisti thotë se ideja dhe dëshira e tyre është që shfaqjet të cilat i prodhojnë në Amerikë t’i shfaqin edhe në Kosovë. “Publiku shqiptar në Amerikë më ka mbështetur si artist, kemi pasur 5 repriza në shfaqjen e fundit. Audienca shqiptare në Amerikë më ka përkrahur mua dhe punën time. Kjo më ka përcjellë edhe me Kosovën, në shumicën e rasteve populli, njerëzit e thjeshtë më kanë vlerësuar dhe gjithmonë kanë ardhur t’i shohin shfaqjet e mia”, tha ai.

Abazi ka aktruar përkrah Tinka Kurtit dhe Reshat Arbanës në “Shfaqjen e Fundit” të Fadil Hysajt. Ai ka interpretuar në “Të lumët ne për këtë liri”, me regji të Faruk Begollit, “Ëndrra e një nate vere”, me regji të Ilir Bokshit etj. Ka prodhuar si producent shfaqjen "Ushtari i dy luftërave", me autorësi të Ibadete Abazit dhe me regji të Elhame Kutllovcit, në të cilën edhe interpreton rolin kryesor, atë të Xhimit. Si producent dhe aktor angazhohet edhe në shfaqjen "Aromë Femre”.

Image