Shtatë vjet nga vdekja e Ali Podrimjës

Shtatë vjet nga vdekja e Ali Podrimjës

Kultura July 21, 2019 - 13:38

Shtatë vjet më parë, më 21 korrik 2012, afër një lumi të vogël, katër kilometra nga qyteti i Francës, Lodeve, ishte gjetur trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja, tri ditë pasi ai kishte ndërprerë çdo kontakt me familjen në Kosovë dhe me organizatorët e festivalit të poezisë “Vox de la Mediteran” (“Zërat e Mesdheut”), ku po merrte pjesë poeti. Vdekja e tij bëri jehonë të madhe në mediet vendore e ndërkombëtare, pasi, bazuar në veprat e tij, u cilësua madje si vdekje e dashur dhe e kërkuar e një poeti të madh, shkruan zeri.info.

Podrimja njihet për përmbledhjet e tij poetike nisur nga “Shamijat e përshëndetjeve”(1963), “Dhimbë e bukur” (1967), “Sampo”(1969), “Torzo”(1971), “Lum-lumi”(1982), “Zari”, etj. Podrimja u lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme “Rilindja”, në rubrikën e kulturës. Më 1976 kalon në edicionin e botimeve “Rilindja”, ku udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave, Së fundi në qytetin e tij të lindjes, në Gjakovë, është hapur një park kulturor që mban pikërisht emrin e tij, parku kulturor “Ali Podrmija”, në të cilin gjendet edhe shtatorja e shkrimtarit. Zëri