Tjetërsimi përmes animacionit

Tjetërsimi përmes animacionit

Kultura July 19, 2019 - 10:41

Valton Marku

Në garën e dytë ndërkombëtare te Anibar shfaqen filma të cilat kryesisht e trajtojnë tjetërsimin, ngecjen e shoqërive në vese, traumat e jetës, stresin dhe depresionin dhe (fat)keqësitë. Pesë filmat që garojnë janë: “Orbita e vetmuar” (Lonely Orbit), Nën kafazin e krahërorit” (Under the Rib Cage), “Natë e ëmbël” (Sweet Night), “Kojota” (Coyote) dhe Jeta24” (Life24).

Nuk ka asgjë me të lezetshme se sa koha e kaluar mes shokësh. Puna me ngarkesë domosdo ka nevojë për shkarkim. Filmi “Orbita e vetmuar” (Lonely Orbit) e regjisorëve, Frederic Siegel dhe Benjamin Morard, flet për punën dhe gjendjen psikologjike te një tekniku sateliti. Ai përballet me vetminë dhe punën me përgjegjësi. Duke e vërejtur tjetërsimin, pra faktin që është më shumë rob i punës së tij se sa i projeksioneve jashta saj, mendja e tij prodhon kaos, dhe ky kaos shkakton reaksion zinxhiror në hapësirë. Në botë ka të vetmuar dhe vetmitarë. Të parët e përjetojnë keq botën sepse përkundër se janë vetëm e përjetojnë veten si të tillë. Të dytët janë në harmoni me vetminë e tyre. Në të dyja rastet, tjetërsimi është një prej shkaktarëve.

 

Një kërkim në “Google” për ndonjë simptomë sëmundjeje sugjeron dhjetëra sëmundje tjera. Të jetosh vazhdimisht në pasiguri të të ardhurave, në rutinën e bezdisshme plot e përplot vese, dhjetëra sëmundje tjera janë buzë pragu. Regjisori Bruno Tondeur me “Nën kafazin e krahërorit” (Under the Rib Cage) sjellë ikjet e zakonshme që bëjnë njerëzit si protestë ndaj realitetit të vrazhdë, dhe këtë e pasqyron përmes personazhit kryesor që është një djalosh që mendon se do të vdesë. Ai ka një punë, një banesë, depresionin dhe gjendjen e keqe fizike; me fjalë të tjera, shumë stres. Si shumë shoqëri moderne e post-moderne, ikja nga realiteti karakterizohet me konsumimin e drogërave, alkoolit, mbylljen në vetmi, shkëputjën nga realiteti. Për trembëdhjetë minuta ky animacion pasqyron të gjitha këto, dhe jo me pahir asocojnë me shumëkë.

 

Natë e ëmbël” (Sweet Night) e regjisorës Lia Bertels shpërfaq nevojën që të theksohet e mira tek e keqja. Në qendër të këtij filmi është një ari që nuk po mund të bie në gjumin dimëror. Thuhet se arsyeja përse qëndrojmë zgjuar është kujtimi dhe pritja për diçka ose dikë. Ariu i filmit është në apati totale. Arsyeja e insomnisë së tij është një ëndërr e lënë në gjysmë. Një njeri (i pa takuar më herët) i shfaqet në ëndërr dhe nis të këndoj. Në momentin kur nis kënga ai zgjohet. Kjo për të ka kuptim depresiv: “mbase nuk i meritoj gjërat e bukura”. Në mes të kësaj katrahure, atij në ndihmë i vjen një majmun i bardhë i cili e shpie tek tezja e tij që ta hajë mjaltë magjike që e vë në gjumë. Në himalaje dhe në dimër, më në fund ariu e kupton se bëri mirë që nuk kishte fjetur deri atëherë. Gjëra më të bukura ndodhin kur jemi zgjuar.

 

Një familje kojotësh janë duke u ushqyer me prehen e tyre. Një llavë ujqish i dallon ata dhe në sulm e sipër e vrasin pothuajse tërë familjen dhe ua hanë prehen. Mbetet vetëm kojota mashkull. Në filmin “Kojota” (Coyote) të regjisorit Lorenz Wunderle, trajtohet mostejkalimi i traumës. Me gruan dhe fëmijët e vrarë kojota nuk mund t’i jap kuptim jetës. Ata janë çdokund. Dita e tij karakterizohet me kujtimin traumatik të tyre. I zhgënjyer nga emocionet njerëzore, ai përpiqet ta kalojë këtë gjendje, por ajo sa vjen e rëndohet. Ngecja në traumë shpie në rrugë qorre. Filmi “Kojota” na rrëfen këtë.

Një sulm me armë ndodh në një rrugë. Katër personazhe dalin nga vetura, por me t’u futu brenda ajo nuk ndezet. Që të shpëtojnë duhet të arratisen dhe ta hudhin veturën në erë. Bomba e hudhur merrë trajtë të një gjallese dhe përmes melankolisë pranon fundin e vet shkatërrues. Në proces e sipër ajo zbulon dhe liron një njeri të strehuar në bagazh. Filmi “Jeta24” (Life24) e regjisorit Kristjan Holm sipërfaqëson jetën e shthurrur të beqarit Einar Jernskjegg. Si i pandreqshëm që është, 24 orët e jetës së tij janë mjaft të përçudnuara. Ai me vullnet të lirë dhe pas një nate të egër futet në bagazhin të një veture të parkuar. Kjo veturë vidhet dhe hudhet në erë, por që beqari i pandreqshëm Einar e fiton lotarinë: jeta e tij shpëtohet nga një bombë. Nganjëherë moskokçarja ka simotër fatin e mirë.