'Autostrada Biennale' në Prizren sivjet me moton 'Revolucioni jemi ne'

'Autostrada Biennale' në Prizren sivjet me moton 'Revolucioni jemi ne'

Kultura July 18, 2019 - 11:54
Image

Bienalja ndërkombëtare e artit bashkëkohor “Autostrada Biennale” do të mbahet këtë vit në qytetin e Prizrenit përgjatë dy muajve. Programi i këtij edicioni, bashkë me të gjitha ngjarjet do të ndodhin, nis nga data 20 korrik, kur edhe do të bëhet hapja solemne, më 21, 22 dhe 23 korrik, kur do të jetë konferenca treditore ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor e deri më 21 shtator, ku çdo ditë do të ketë një aktivitet të veçantë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Organizatorët në një konferencë për medie, që u mbajt të mërkurën në “Shtëpinë e Evropës” në Prishtinë, kanë vlerësuar këtë edicion si një ngjarje shumë të rëndësishme në skenën e artit bashkëkohor. Edicioni i dytë do të sjellë artistë nga e gjithë bota, të cilët synojnë të tregojnë se arti është gjithmonë bartës i risive, i hapjes, i ndryshimit dhe mbi të gjitha i lirisë.

Vatra Abrashi, koordinatore për medie, ka paralajmëruar se përgatitjet janë në përfundim e sipër të edicionit të dytë të titulluar “Revolucioni jemi ne”, me kuratorin Giacinto Di Pietrantonio, i cili vjen nga Italia. Ai sipas Abrashit ka kuruar një ekspozitë të jashtëzakonshme me artistë ndërkombëtarë dhe vendorë. Ajo vlerëson se ky art e këta artistë do ta shndërrojnë qytetin e Prizrenit në muze të hapur me shumë hapësira të reja dhe interesante. “Që nga 21 korriku e deri më 21 shtator të gjithë vizitorët mund të vijnë dhe ta shohin ekspozitën, ata mund të jenë pjesë e shumë evenimenteve, të cilat do të ndodhin përgjatë këtyre dy muajve. Pas hapjes ndërkombëtare të ekspozitës do të shoqërohet edhe konferenca ndërkombëtare, ku të gjithë artistët, teoricientët dhe të ftuar të tjerë specialë do të jenë të pranishëm në konferencë, ku do të trajtohen tema të ndryshme me interes dhe pjesëmarrësit mund të jenë më afër artistëve, që do të vijnë në ‘Autostrada Biennale’, ata mund  të diskutojnë me ta e të debatojnë për tema të ndryshme”, u shpreh ajo.

Festivali zgjat dy muaj edhe çdo të mërkurë do të organizohen vizita grupore dhe çdo të diel organizohet “Family’s Day”, ku prindërit të cilët i marrin fëmijët me vete do t’i kenë biletat përgjysmë më lirë. Bienalja ka qëllim edukativ dhe si rezultati i kësaj sipas organizatorëve janë përfshirë edhe debate javore me të rinjtë, që të reflektohet dhe të nxitet mendimi kritik. Njëherësh sipas organizatorëve studentët janë pjesë e ekipit që po realizojnë shumicën e punëve.

Leutrim Fishekqiu, njëri nga organizatorët, theksoi se programin e edicionit të dytë të bienales e kanë punuar përgjatë dy vjetësh. Theks të veçantë ai i dha edhe përzgjedhjes së muratorit, që sipas tij ishte një nga punët më të vështira. “Ai ka qenë në Kosovë katër-pesë herë gjatë vitit, në periudha të ndryshme, për të hulumtuar mbi bazën e të dhënave që e kemi të artistëve. Kuratori vjen me një prapaskenë shumë të madhe,  po ashtu na sjell edhe bazën e të dhënave të tij me shumë artistë. Ndërkohë, tërë kohën ne hulumtuam hapësirat e reja dhe ato që i kemi pasur në edicionin e parë. Këtë vit i kemi dy surpriza të bukura, që për vizitorët do të jenë të hapura kati i dytë i gjimnazit, kulmi i tij do të jetë komplet një ekspozitë dhe ish-burgu, që janë risi për vizitorin”, njofton ai, duke theksuar se mbeten të palëvizshme edhe hapësirat e tjera të edicionit të kaluar. Ato janë: Stacioni i Autobusëve, Muzeu Arkeologjik, Kalaja e Prizrenit dhe disa shtëpi të vjetra e oborre.

Giacinto Di Pietrantonio, kurator i “Autostrada Biennale”, në fjalën e tij kuratoriale thekson se është e natyrshme që duke jetuar në një botë ku jeta virtuale është shndërruar në diçka vendimtare për ekzistencën tonë, në momentin që na shfaqet një ide në kokë, hapi i parë është të hymë në internet dhe të kërkojmë në “Google” për lajme ose referime që mbështesin idenë tonë. “‘La Rivoluzione Siamo Noi’ më bën të mendoj jo aq shumë për revolucione politike, por ato personale dhe në rastin e artit për ato gjuhësore. Arti, edhe kur nuk duket i tillë, është gjithmonë bartës i risive, i hapjes, i ndryshimit dhe mbi të gjitha i lirisë. Kurrë nuk e kam menduar artin si një fakt estetik ose kënaqësi soditëse, por një shprehje e dendur njerëzore e etikës dhe e estetikës. Por para së gjithash e shoh artin si një shërbim estetik ndaj etikës, siç na sugjeron Walter Beniamin”, u shpreh ai.

Di Pietrantonio thotë se përmes artit që do të shfaqin në bienale veprat na tregojnë udhëtimin drejt botës, nëpër botë dhe për botën. “Siç na sugjeron ‘Revolucioni jemi ne’, duhet të lëvizim drejt së ardhmes, sepse nuk jemi engjëj të shtyrë nga stuhia e cila vjen nga parajsa dhe as udhëtarë të palëvizshëm dhe soditës të një deti të mjegullt, metaforë e një të ardhmeje të pasigurt. Por sikur arti ne jemi qenie në lëvizje, duke ecur drejt së ardhmes, që edhe nëse e pasigurt duhet gjithmonë ta kërkojmë”, shprehet ai, që sipas kuratorit kjo është e ardhmja të cilën përpiqemi ta kuptojmë në edicionin e ri të “Autostradës Biennale”.

Giacinto Di Pietrantonio është profesor i historisë së artit në Akademinë e Breras (Milano) dhe kurator i rezidencave artistike “BoCs Art”, “Cosenza”. Nga viti 2000 deri në vitin 2017 ai ishte drejtor i “GAMeC”-it (Galeria e Artit Modern dhe Bashkëkohor) të Bergamos, në të cilën ai tani është këshilltar. Ai ishte kryeredaktor dhe zëvendësdrejtor i “Flash Art Italia” nga 1986-a në 1992-n dhe nga 1994-a deri në 1996-n ishte këshilltar për artin vizuel të rajonit Abruzzo.