“Hapu”, festivali që eksploron artin e ngacmon politikën

“Hapu”, festivali që eksploron artin e ngacmon politikën

Kultura korrik 12, 2019 - 11:13
Lexo më shumë detaje
Image

 

Festivali i artit në hapësirë publike "Hapu" sivjet shënon edicionin e pestë me radhë. “Hapu” po eksploron dhe po zbulon fushëlojën, vetveten e shoqërinë. Po ashtu po vlerësohet se ky festival po zgjon nga gjumi edhe politikëbërësit për të parë se si bëhen iniciativat e tilla në një vend siç është Kosova. Aktivitetet, që përbëjnë kalendarin kulturor të festivalit, janë paraparë për të përjetuar së bashku eksplorimin e limiteve dhe ndryshimin e këndvështrimit të qytetit tonë.

Në fjalën e drejtorit artistik të festivalit Florim Mehmetit thuhet se këtë vit për herë të pestë po vendosin fushëlojën: qytetin, hapësirën publike. Organizatorët konsiderojnë se të luash nuk është aktivitet i kohës së lirë, por të luash është të mësosh e të përjetosh. Duke luajtur artistët vënë vetveten në këndvështrime të ndryshme. Shumë shpesh luajnë me ne ose edhe ne luajmë, por kjo nuk quhet lojë dhe nuk është perfomancë. Për këtë përdoren emërtime shumë më serioze, si: sfera publike, debati publik, hapësira publike.

Florent Mehmeti, drejtori artistik, për gazetën “Zëri” konsideron se tash kur janë në edicionin e pestë festivali prej edicionit në edicion është zhvilluar. Sipas tij, janë rritur në kuptimin e cilësisë, por edhe të programit dhe se çdo ditë e më shumë publiku i Prishtinës dhe i Kosovës në përgjithësi, por edhe bashkatdhetarët që vijnë në këtë kohë për vizitë kanë filluar të mësohen me punët e festivalit “Hapu”, që sipas Mehmetit janë bërë pak më specifike që nuk shihen shpesh e nuk ekspozohen si të tilla në Kosovë.

Sa është i nevojshëm, pranueshëm për Kosovën një art që e promovon “Hapu”, Mehmeti konsideron se jo vetëm që është i pranueshëm, por edhe prej publikut marrim falënderime personale, që ata nuk i kanë pritur e nuk janë mësuar t’i shohin.

“Edhe bashkatdhetarët e turistët që qëllojnë në Prishtinë këto ditë na japin fjalë miradije dhe befasohen që diçka e tillë po ndodh edhe në Kosovë. Ne konsiderojmë se është jo vetëm e nevojshme, por e domosdoshme se jeta publike e qytetarëve pa një vlerë të shtuar të krijimtarisë artistike nuk mundet të imagjinohet. Po flasim për hapësira të përbashkëta të qytetarëve që ishte dashur të pasurohen edhe me shumë me iniciativa të tilla”, vlerëson ai.

I pyetur se cilat janë frytet që po jep ky festival, drejtori artistik Mehmeti thotë se festivali po emancipon hapësirën publike çdo vit e më shumë dhe ky është misioni i tyre. “Me emancipim po mendojmë që hapësirën publike ta shndërrojmë në një kualitet të ngritur të saj, të jetës së qytetarëve dhe çdo vit e më shumë kjo punë po ka ndikim. Shpresoj se kemi për t’i zgjuar prej gjumit politikëbërësit që të marrin më seriozisht të ardhmen dhe të i trajtojnë iniciativat qysh duhet”, u shpreh ai.

“Hapu” ka njoftuar edhe për programin se çka mund të presë publiku këtë vit. Këtë vit ky festival po e zgjeron fushëlojën edhe në Fushë Kosovë. “Ju ftojmë të hapeni e të luani me ne. Jo se duam t’ju argëtojmë, porse të luash nuk është luks, është një mënyrë për të kuptuar më mirë qenien tonë, të tjerët dhe shoqërinë. Është argëtuese gjithashtu. Kemi luajtur edhe me mozaikun e programit dhe po hapemi me akrobatët e ‘Un Loup Pour l'Homme’, të cilët i shtyjnë kufijtë e tyre fizikë në lojën, në të cilën vazhdimisht i rishpikin rregullat. Këta akrobatë do të luajnë me aktorët tanë, edhe para Festivalit, për të sjellë në Kosovë këto shkathtësi të reja dhe për të gërvishtur kështu këto përvoja të reja të cirkut bashkëkohor për të ardhmen. Donika Rudi do të luajë për ne kompozimin e saj të rrugëtimit muzikor nëpër nëntë fazat e jetës”, shkruhet në fjalën e Mehmetit.

Gjithashtu mësohet se “Hapu” do të jetë fushëlojë e Asphalt Piloten nga Zvicra, duke luajtur me këndvështrime përmes përdorimit të shiritit ngjitëse dhe trupave të performuesve. Në kënde tjera të hapësirave publike qukapikët robotë të Marco Barottit do të performojnë ritme daullesh audio-vizuale, duke e riinterpretuar kësisoj lojën tonë me komunikim mobil dhe me teknologjinë pa tela. Fitore Berisha ka shpikur një formë tjetër të luajtjes – kërkimin për artin e fshehur. Në "The Snowball Effect", protagonist janë anëtarët e publikut, ata i hapin rrugë lojës me artistët derisa publiku është vëzhgues.

Siç theksohet, Festivali i Artit në Hapësirë Publike është krijuar si rezultat i pozitës sonë si lojtar kuptimplotë në mesin e partnerëve tanë në “In Situ”. Kjo lojë evropiane është përpjekje dhe përvojë shumë e frytshme. Lojtarët evropianë po e takojnë publikun kosovar, ndërsa ata kosovarë po e takojnë publikun evropian.

Mësohet se “In Situ” është platforma evropiane për krijimtari artistike në hapësirë publike. Që nga viti 2003 kjo platformë ka mbështetur më se 200 artistë që veprojnë përtej lokacioneve konvencionale dhe që i japin kontribut transformimit të territoreve tona. “In Situ” është ekosistem që lidh një brez të ri artistësh me publikun, me programues e me lojtarë kyçë të përfshirë në realitetet ekonomike, politike dhe sociale anembanë Evropës. “In Situ” udhëhiqet nga “Lieux publics” – qendër nacionale dhe evropiane për krijimtari artistike në hapësira publike (Francë) dhe bashkon 20 partnerë nga 12 shtete.

Festivali i artit në hapësirë publike "Hapu" ka nisur të enjten e 11 korrikut dhe vazhdon deri më datë 18 korrik.

Image