“Karnavalet e Korçës” shfaqet në Teatrin Antik të Butrintit

“Karnavalet e Korçës” shfaqet në Teatrin Antik të Butrintit

Kultura July 11, 2019 - 10:38
Lexo më shumë detaje

 

Pas suksesit që ka shënuar në Prishtinë, komedia “Karnavalet e Korçës”, e shkruar nga Spiro Çomora, me regji nga Altin Basha, po shfaqet në Teatrin Antik të Butrintit. Kjo vepër teatrore bëhet pjesë e edicionit të 17-të të festivalit ndërkombëtar të tetarit “Butrinti Summer Festival 2019”, që ka nisur në Butrint dhe po vijon me shfaqje të ndryshme, me produksione të huaja dhe shqiptare, shkruan gazeta "Zeri".

Komedia “Karnavalet e Korçës” është e njohur për suksesin e saj në skena të teatrit, por drejtori i “Butrinti Summer Festival 2019”, Alfred Bualoti, shprehet se Festivali i këtij viti ka edhe natën homazh për autorët e dramaturgjisë shqiptare dhe në fokus janë kryesisht ata autorë që kanë lëvruar komedinë. “‘Karnavalet e Korçës’, e shkruar nga Spiro Çomora dhe me regji nga Altin Basha, është e vetmja vepër shqiptare në skenën e Butrintit. Ne jemi festival ndërkombëtar dhe sigurisht që ka edhe vepra të tjera të huaja. Shqipëri dhe Kosovë, ne jemi një. Në skenë një vepër shqiptare, që luhet nga trupa e aktorëve të Kosovës. ‘Karnavalet e Korçës’ është vepër ndër emblemat e komedisë shqiptare. Spiro Çomora është një nga klasikët tanë të rilindjes. Nata e tretë e Festivalit në Butrint është si një homazh për dramaturgët tanë dhe në mënyrë të veçantë për ata që kanë zgjedhur të lëvrojnë komedinë. Ndaj në këtë natë vjen në skenë edhe komedia e shkruar nga Spiro Çomora”, shprehet drejtori i Festivalit, Alfred Bualoti.

Më herët komedia shqiptare në skenën e Prishtinës shënoi një sukses, ku në role regjisori Altin Basha ka angazhuar aktorë të njohur të teatrit. Kompozitor është Trimor Dhomi dhe skenografia e kostumet në vepër janë përgatitur nga Iliriana Loxha Basha.ZERI