Bord konsultativ pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë

Bord konsultativ pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë

Kultura korrik 10, 2019 - 11:28
Lexo më shumë detaje

 

Bordi konsultativ përfaqësues i shoqatave të kineastëve do të funksionojë tashmë pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Përmes një deklarate Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri njofton se kjo vjen në kuadër të disa ndryshimeve ligjore të ndërmarra nga QKK-ja në zbatim të platformës së zhvillimeve të reja ligjore e administrative, që kryetari i institucionit, z. Eduart Makri, paraqiti para kineastëve. Sipas QKK-së, shumica e kryetarëve të shoqatave, që përfaqësojnë kineastët shqiptarë, janë shprehur pozitivisht për ndryshimet, si dhe për mekanizmat e propozuar nga kryetari Eduart Makri. “Kjo dakordësi reflektohet në marrëveshjet e bëra kohët e fundit midis kryetarit Makri dhe administratës së drejtuar prej tij dhe kryetarëve të shoqatave të kineastëve. Me dakordësinë e shumicës absolute të kryetarëve të shoqatave të kineastëve, me urdhrin e kryetarit nr. 371, prot., datë 8.7.2019, u ngrit Bordi Konsultativ i përbërë nga përfaqësuesit e shoqatave të kineastëve, që do të funksionojë pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë me qëllim diskutimin dhe propozimin e ndryshimeve të nevojshme në sistemin kinematografik shqiptar”, thuhet në deklaratë.

Kryetari Eduart Makri, duke shpresuar se kjo gjë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, falënderon shoqatat e kineastëve, që pavarësisht mendimeve të ndryshme dhe debateve të zhvilluara shfaqin dëshirën dhe vullnetin të ulen në tryezë dhe të debatojnë në mënyrë konstruktive. Sipas tij, kjo gjë do të ndryshojë disa praktika të deritanishme, ku grindjet e forta dhe mosmarrëveshjet midis shoqatave kanë penguar dhe pengojnë komunikimin, si dhe vështirësojnë aplikimin e ndryshimeve pozitive. Disa ditë më parë QKK-ja publikoi edhe rregulloren e re, sipas së cilës do të funksionojë ky institucion.