I vlerësohet veprimtaria jetësore Agim Çavdarbashës

I vlerësohet veprimtaria jetësore Agim Çavdarbashës

Kultura korrik 09, 2019 - 10:41
Lexo më shumë detaje
Image

Ditën e hënë të 7 korrikut ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, në kabinetin e tij ka organizuar ceremoninë për t’i ndarë çmimet e fushës së artit pamor. Çmimi kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi”, që u shoqërua me një certifikatë të nënshkruar nga ministri Gashi, plaketë dhe një shpërblim në vlerën monetare prej 5000 eurove, i është ndarë profesor Agim Çavdarbashës, post-mortem, ndërsa Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor që gjithashtu u shoqërua me një certifikatë të nënshkruar nga ministri dhe një shpërblim në vlerën monetare prej 3000 eurove, i është ndarë profesorit Agim Salihu.

Kjo ngjarje për Gashin është vlerësuar si ditë e veçantë. Ai ka theksuar se për krijuesit e kësaj fushe, por edhe për Ministrinë që do të jetë pranë edhe në kuptimin e mirënjohjes dhe të falënderimit përmes dhënies së çmimeve. “Ishte jashtëzakonisht moment i mirë që juria ka vendosur për dhënien e këtyre çmimeve, e veçanërisht që çmimi për veprimtari jetësore ‘Muslim Mulliqi’ t’i jepet një figure shumë të madhe të vendit tonë siç ka qenë profesor Agim Cavdarbasha dhe i jam shumë mirënjohës jurisë, e cila ka vendosur drejt dhe në mënyrën më profesionale për këtë figurë të çmuar. Po ashtu e uroj dhe e përgëzoj edhe profesorin Agim Salihun për Çmimin Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor”, u shpreh ministri Gashi.

Çmimin kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi” e mori bashkëshortja e të ndjerit Agim Çavdarbasha, e cila në fjalën e saj falënderoi ministrin Gashi dhe jurinë për vlerësimin e bërë. “Si përfaqësuese e fondacionit ‘Agim Çavdarbasha’ dhe si bashkëshorte e Agimit e po ashtu bashkë me djemtë dhe me familjen jemi të lumtur që e keni bërë vlerësimin më të lartë. Mendoj se deri më tash e kemi pritur dhe mendoj se ai nuk është një artist vetëm i Kosovës, por edhe mbarëkombëtar. Besoj edhe shpresoj se ne do të vazhdojmë bashkëpunimin dhe që në të ardhmen ato skulptura që gjenden në muze do të ruhen dhe do ta kenë kujdesin e të gjithë njerëzve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore”, shprehet ajo.

Falënderues ndaj ministrit dhe jurisë u shpreh edhe fituesi i Çmimit Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor, Agim Salihu, i cili konsideron se ky çmim për të ka shumë rëndësi, ngase shteti po nderon artistët dhe po vlerësohet sakrifica. “Ky çmim për mua ka rëndësi të madhe se shteti po nderon artistin dhe kur shteti e nderon artistin, atëherë ka një peshë më të madhe dhe artisti ka një presion më të madh për sakrificat që ka bërë edhe për mundin”, tha Salihu.

Juria vlerësuese në përbërje të Mehmet Behlulit, të Mirsad Lushtakut dhe të Besnik Xhemailit kanë bërë publik edhe arsyetimin se pse u është ndarë personave përkatës ky çmim. Ata janë arsyetuar se profesor Agim Çavdarbashës i ndahet post-mortem çmimi kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi” pasi me aktivitetin e tij përveçqë ka kontribuuar në cilësinë e artit pamor ka prezantuar Kosovën edhe në “Dokumenta 14”, që njëherësh është edhe një prej aktiviteteve më me peshë në skenën e artit botëror. Ndërsa Agim Salihut i ndahet Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor pasi me aktivitetet e tij ka lënë gjurmë në artin pamor, ka prezantuar Kosovën edhe në disa aktivitete bienale shumë të rëndësishme si në Kinë dhe në Japoni.