Një libër që rrëfen vuajtjet e refugjatëve në luftë

Një libër që rrëfen vuajtjet e refugjatëve në luftë

Kultura korrik 08, 2019 - 20:50
Lexo Detajet

Ndonëse janë shkruar shumë libra për luftën, por të paktë janë ata të cilët rrëfejnë për vuajtjet e njerëzve të zakonshëm, të cilët në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve të luftës iu detyruan jetës së refugjatit, jetës në arrati, ndjekjes, përzënies etj. Njëri nga këta libra, që flet për fatin e një familjeje kosovare gjatë kohës së luftës, që nga përzënia e tyre nga shtëpia e deri në rikthimin në kushtet e lirisë, është edhe libri “Rrugëtimi i refugjatit”, nga autorja, Havë Shabanaj.

Libri është i shkruar në formën e ditarit, por ai ka brenda edhe anën psikanalitike të tij, pasi që rrëfen dhe përshkruan gjendjen shpirtërore të personazheve realë në kushtet e luftës, kur ekzistenca njerëzore sprovohet në shumë mënyra dhe vështirësi.

Në parathënien e këtij libri, autorja Shabanaj ka shkruar se, me këtë libër ajo dëshiron t’ua bëj të ditur tërë botës se gjatë luftës refugjatët janë më të vuajturit.

“Janë më të pambrojturit, më të uriturit: janë ata që vuajnë, përjetojnë gjëra të vështira, mundohen t’i mbrojnë fëmijët e tyre me çdo mënyrë e çdo çmim”, ka shkruar autorja Shabanaj.

Librin “Rrugëtimi i refugjatit”, të autores Havë Shabanaj, e ka botuar shtëpia botuese “Meshari” dhe i njëjti ka qenë pjesë e stendës së këtij botuesi gjatë panairit të 21-të të librit në Prishtinë.

Sipas autores, paratë e shitjes do të shkojnë për studentët të cilët nuk mund të shkollohen e që janë nxënës të mirë.