Emra të skenës botërore në shfaqjen “Takohemi në Moulin Rouge”

Emra të skenës botërore në shfaqjen “Takohemi në Moulin Rouge”

Kultura korrik 07, 2019 - 12:56
Lexo më shumë detaje

 

Shfaqja e baletit “Takohemi në Moulin Rouge” ka vënë në skenë emra të mëdhenj të skenave botërore.

Në amfiteatrin e Tiranës kanë performuar artistë të njohur nga Moska, Kievi, Berlini, Havana, Milanoja, Tokioja, Athina, Sofja dhe Amsterdami.

Drejtor artistik i shfaqjes, Arian Sukniqi, e ka vlerësuar si një mbrëmje madhështore nën magjinë e artit botëror. Sipas tij, repertori i shfaqjes është dypjesësh, klasik, por edhe modern. “Liqeni i Mjelmave”, “Don Kishoti”, “Arrëthyesi”, “Zhizel”, si dhe pjesë moderne nga koreografët më të mirë në botë, si Nacho, Duato, Zanela, Ginzales e Prelocaj, u shfaqën mbrëmjen e 5 korrikut, shkruan gazeta "Zëri".

Sipas drejtorit artistik Arian Sukniqit, kjo shfaqje është në një dimension që do të lërë shumë gjurmë te publiku shqiptar, por edhe një mundësi reale edhe për balerinët e rinj, që do të kenë mundësi t’i shohin drejtpërdrejt idhujt e tyre.

Më tej Sukniqi shton se si iniciativë kjo u jep zemër shumë agjencive artistike, por edhe ndërkombëtarizon amfiteatrin e Tiranës, si njëri nga destinacionet artistike në një shtet si Shqipëria. “Mos u çuditni, fillimi është fantastik, kështu kanë filluar në çdo institucion dhe nëse është zhvilluar me mend në kokë, me dashuri dhe me pasion, sot kanë bërë histori. Deri tani shtypi vendas i ka bërë jehonë të jashtëzakonshme. Për këtë ngjarje rreth 25 bileta janë shitur online në Serbi, në Slloveni dhe në Mal të Zi”, shprehet mes të tjerave Arian Sukniqi. Duke folur për shfaqjen “Moulin Rouge” shprehet se artistët e huaj zgjodhën të vijnë në Shqipëri si një kuriozitet gjeografik, por u bindën edhe nga i gjithë përkushtimi dhe nga garancitë që gjetën në vendin tonë.

Kjo shfaqje është e propozuar nga shoqata “Mega Art”, e cila kishte konceptuar një shfaqje baleti në amfiteatër. “Sigurisht na pëlqeu shumë ideja, ku nuk ishte shfaqje balet për balet, por një gala, e cila donte të mblidhte disa kërcimtarë profesionistë nga disa vende të Evropës. Një shfaqje e tillë nuk është bërë kurrë në Shqipëri, ku shtatë çifte të huaja u bënë bashkë për një shfaqje në vendin tonë. Kjo ide, që u përqafua nga ne, na dha të drejtë, sepse nga verifikimet konstatojmë që do të jetë një shfaqje me shumë nivel”, vijon drejtori artistik, shkruan gazeta "Zëri".Sukniqi tregon se në Evropë janë disa agjenci, të cilat menaxhojnë balerinët profesionistë si solistë dhe i organizojnë shfaqjet nëpër teatro në botë. “Pas bisedave gati tetëmujore u arrit akordi pasi këta datën 5 korrik e kishin të lirë dhe kështu u kombinuan për të ardhur në amfiteatrin e Tiranës. Një shfaqje e tillë kudo në Evropë paguhet 100 euro e lart dhe me rezervime 1-vjeçare”, tregon ai.

Por sipas tij skena e teatrit veror këtë natë do t’i ngjasojë një skene gjigande teatri të mbyllur. “I gjithë baleti në prapavijë do të ketë projeksion 3D”, tregon Sukniqi. Ky projekt është mbështetur nga Bashkia Tiranë, nga Ministria e Kulturës, APR-ja, si dhe të tjerë donatore.