Hysen Këqiku, miku dhe shkrimtari i fëmijëve

Hysen Këqiku, miku dhe shkrimtari i fëmijëve

Kultura June 26, 2019 - 09:32
Lexo më shumë detaje
Image

Me emrin e Hysen Këqikut janë nënshkruar mbi 30 vepra letrare, si dhe shumë shkrime e studime. Në vitin 1965 Këqiku ka filluar t’i botojë shkrimet e para. Për gazetën “Zëri” ai thotë se në atë kohë botohej nën mbikëqyrje të llupës komuniste. Në vitin 1994 ka botuar librin e parë me poezi për të rritur. Që nga ky vit sipas tij u janë hapur dyert autorëve që të shkruajnë më lirshëm. “Rruga e Kthimit” është libri i fundit që ka botuar autori. Këqiku shprehet i pakënaqur për faktin se kohëve të fundit romani për fëmijë është deficitar. Brenda tre muajsh, prejse u botua romani i tij “Rruga e kthimit” janë shkruar tri vështrime për të nga Jonuz Fetahaj, Bilall Maliqi dhe Musah Dushica.

I pyetur nëse është duke shkruar ndonjë libër të ri, shkrimtari pohon se nuk është ndalur së shkruari që prej vitit 1965 kur në revistën “Zani i Rinisë” u botua poezia e parë e tij. “Ajo edhe sot më motivon që të shkruaj e të lexoj. Kjo është pjesë e jetës sime, pa lexuar dhe pa shkruar nuk e zë se jetoj. Shkruaj për fëmijë dhe për të rritur. Besoj se së shpejti do ta dorëzoj në ndonjë redaksi botimesh një përmbledhje me poezi për të rriturit. Titulli i punës është ‘Mundet ndryshe’, sepse ne krijuesit gjithmonë jemi në kërkim të asaj se si mund të jetë më mirë. Ndoshta do ta ketë këtë titull edhe pse nuk është poetik”, shprehet Këqiku.

Një jetë dedikuar krijimtarisë për fëmijë

Një pjesë të madhe të krijimtarisë Këqiku ia ka kushtuar redaktimit dhe recensimit të veprave për fëmijë. I pyetur se pse ka zgjedhur të shkruajë për letërsinë e fëmijëve, shkrimtari vlerëson se përvoja jetësore e tij deri në fund do të jetë puna me fëmijë.

“Nuk mund ta mendoj jetën jashtë kësaj veprimtarie, e cila për mua është e shenjtë. Si mësues i gjuhës shqipe, përveç mësimdhënies kam zhvilluar aktivitete të ndryshme krijuese e kulturore me fëmijët. Në shkollën fillore ‘Rilindja’ në Llojan të Kumanovës për disa vite radhazi kam nxjerrë fletushkën mujore për fëmijë ‘Dielli’, në shkollën fillore ‘Musa Zajmi’ në Gjilan revistën vjetore ‘Gëzimi’ dhe ‘Mimoza’, kurse në nivel komunal revistën mujore për fëmijë ‘Venera’. Kam botuar dy libra me poezi të zgjedhura të grupit letrar ‘Ali Huruglica’, të shkollës fillore ‘Musa Zajmi’, të cilat janë pritur shumë mirë dhe janë marrë si model i një pune të shkëlqyeshme me fëmijë e për fëmijë”. Tutje ai tregon se që të mos shkëputet nga veprimtaria krijuese për fëmijë e me fëmijë ka hapur shtëpinë botuese “Kurora” në kuadrin e së cilës ka botuar dhjetëra libra nga vetë fëmijët dhe krijuesit për fëmijë. “Kjo ka qenë zgjedhja ime më e mirë, sepse te fëmijët kam zgjuar kureshtjen për të lexuar dhe merakun për të shkruar”, thekson ai.

Veprimtaria krijuese sfidë, nuk ka stimulim nga institucionet

Sipas tij, letërsia për fëmijë viteve të fundit në Kosovë zhvillohet nga një numër krijuesish që vazhdojnë traditën e të shkruarit me përgjegjësi.

“Krijuesit aktualë për fëmijë e kanë parasysh këtë dhe jo vetëm që shkojnë rrugës së krijuesve më të mirë të krijimtarisë për fëmijë, por shpesh sjellin risi dhe gjetje të reja. Me këtë rast më duhet ta them edhe atë se ka krijues, që niveli i tyre krijues për fëmijë është i një niveli të palakmueshëm”, potencon ai.

I pyetur se si i sheh zhvillimet letrare në Kosovë dhe a po prodhon Kosova letërsi të mirëfilltë, Këqiku thotë se po të ekzistonte një përkrahje më e madhe edhe financiarisht Kosova nuk është pa krijues të mirë, madje edhe të shkëlqyeshëm.

“Numër i madh, ndoshta të gjithë kanë dhjetëra vepra në dorëshkrim. Ato vepra në mungesë të mjeteve vetanake të autorëve janë të privuara të bien në dorën e lexuesve. Megjithatë botohen mjaft vepra, prej tyre vepra të mira të cilat mundësojnë që Kosova ta ketë letërsinë e vet, në të cilën pasqyrohet shpirti dhe forca e saj krijuese”, vlerëson autori, i cili tutje ka folur edhe për zhvillimin e letërsisë në vendet tjera shqipfolëse, bie fjala në Shqipëri. Këqiku theks të veçantë u vë edhe sfidave me të cilat ndeshet një shkrimtar. Ai pohon se vetë veprimtaria krijuese është sfidë, madje sfidë e madhe. Sipas tij, krijuesit gjithmonë duhet të jenë të angazhuar në hulumtim të gjetjeve dhe të realizimit të tyre në mënyrën më të mirë në aspektin artistik, stilistik, ideor dhe figurativ.

“Kjo kërkon angazhim dhe pa forcën e madhe shpirtërore nuk mund t’ia dalin. Pavarësisht të gjithave nuk janë të stimuluar as në aspektin e përkrahjes së bollshme institucionale e as në atë materiale. Krijuesit ndoshta duan të marrin pjesë në evenimente letrare, por në mungesë të mjeteve financiare nuk kanë mundësi. Pamundësia e pjesëmarrjes në manifestime të ndryshme letrare ata i mban të izoluar”, thotë ai për “Zërin”.

Shkrimtari Këqiku thotë se rruga biobibliografike e çdo krijuesi të moshës së tij ka qenë si thënia: “Me lavjerrës në qafë dhe shpatën e Demokleut mbi kokë”, pra, nëpër katrahura e sfida, në përgjime dhe nëpër biseda informative të organeve të UDB-së Jugosllave për dyshimin më të vogël. “Pas çlirimit të Kosovës hisen e diellit që na e kishin marrë me padrejtësi na e ktheu forca çlirimtare dhe bota përparimtare. Tash nuk ka censurë, kërkohet art i mirëfilltë dhe ecën rrugëve pa thera”, përfundon fjalën e tij për “Zërin” Këqiku.

Rikujtojmë se “Nëpërkëmbësi”, “Ti dil nga loja”, “Kufij që preken”, “Dritë mbi Lotinë”, “Kosovë është deri te Molla e Kuqe” e “Kërkimi i metaforës” janë disa nga titujt e veprave që Këqiku ka botuar.