Papërgjegjësia e neglizhenca po dëmtojnë artefaktet

Papërgjegjësia e neglizhenca po dëmtojnë artefaktet

Kultura June 25, 2019 - 10:09
Lexo më shumë detaje
Image

Punonjësit e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve janë incizuar teksa e thyejnë një artefakt, duke provuar ta zbresin nga kati i dytë me litar. Ata në atë video dëgjoheshin edhe duke qeshur. Ky veprim ka çuar në dëmtimin e artefaktit Pitos, term ky që tashmë është adaptuar si një fjalë gjithëpërfshirëse, e cila nënkupton një enë të madhe qeramike që përdoret për të ruajtur produkte. Ky veprim ka bërë që të reagojë shoqëria civile, teksa Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit e ka vlerësuar si një veprim të shëmtuar.

Gashi kërkon llogaridhënie për veprimin e shëmtuar

Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit dhe ministri Kujtim Gashi përmes një komunikate për medie kanë shprehur shqetësimin e thellë për dëmtimin aksidental të një artefakti (Pitosi) në ambientet e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje e rëndë që ka ndodhur, ministri Gashi ka kërkuar me urgjencë raport të detajuar nga i gjithë zinxhiri i hierarkisë në lidhje me këtë ngjarje të shëmtuar, pra dëmtimit nga pakujdesia e rëndë dhe e papranueshme e Pitosit, i cili ka qenë i ekspozuar në ambientet e IKMM-së.

“Sipas Ligjit Nr. 02/L - 088 për Trashëgimi Kulturore dëmtimi dhe shkatërrimi i objekteve të luajtshme të trashëgimisë kulturore janë vepra të dënueshme dhe përbëjnë bazë për përgjegjësi në përputhje me legjislacionin penal dhe të kundërvajtës, andaj sapo të pranohen raportet e të gjitha institucioneve dhe të personave kompetentë në lidhje me këtë rast do të ndërmerren të gjitha veprimet konkrete në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe do të merren të gjitha masat ligjore për këtë rast”, shkruhet në komunikatë.

Ndërkohë në komunikatë thuhet se MKRS-ja siguron opinionin publik dhe të gjithë mekanizmat institucionalë se në çdo rast të tillë ajo nuk do ta tejkalojë pa llogaridhënie, duke vepruar me vendosmëri drejt zbatimit të kuadrit ligjor, i cili e obligon atë në korniza të mandatit për t’i ruajtur dhe për t’i mbrojtur me rigorozitet vlerat e objekteve dhe të pasurisë së trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore.

Sali Shoshi: Trashëgimia po pëson si rezultat i neglizhencës dhe i papërgjegjësisë

Njohësi i fushës së trashëgimisë kulturore, Sali Shoshi, për gazetën “Zëri” ka thënë se për të rasti ku shihet se si është dëmtuar një artefakt është një metaforë, realitet, tragjikomedi.

“Sigurisht se ky akt nuk është i qëllimshëm, mirëpo qartë tregon pakujdesi, madje edhe momente të qeshurash nga të pranishmit. Unë besoj se ajo është bërë nga pakujdesia. Pakujdesia e atyre që janë marrë me atë dhe se i mungon një standard profesional i trajtimit të trashëgimisë, kur ka transportim, zhvendosje ose çfarëdo, standardet profesionale duhet t’i ketë parasysh një institucion e sidomos një institucion çfarë është ai i trashëgimisë kulturore”, vlerëson Shoshi.

Ai thotë se përveçqë ka qenë një metaforë e krejt gjendjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë që në përgjithësi punët shpesh neglizhohen dhe shpesh trashëgimia qoftë ajo e luajtshme e artefakte, ose ajo e paluajtshme bëhet subjekt i improvizimeve dhe mandej vijmë në rezultat siç është ky i fundit. Sipas tij, do të duhej të krijohet një standard profesional në trajtimin e artefakteve.

“Duhet të ketë standard profesional në trajtimin e tyre, jo veç në konservimin e tyre, por edhe madje edhe në gjërat më elementare, siç është zhvendosja bazike prej një vendi në vendin tjetër. Standard ky që patjetër duhet të bëhet dhe të respektohet”, tha ai.

I pyetur se a po i dihet vlera artefakteve dhe si e komenton qasjen joserioze të institucioneve përkatëse, Shoshi thotë se në rastin në fjalë kemi të bëjmë me një neglizhencë të paparë. “Në bazë të rastit të fundit ne themi se mënyra qysh e trajtojmë këtë problem është se e trajtojmë me njëfarë neglizhence të paparë, një joseriozitet të llojit të vet dhe vijmë në përfundimin se sa po pëson trashëgimia. Sot në botë janë zhvilluar standarde që ne nuk kemi nevojë në përpilimin e tyre dhe krejt çka duhet të bëhet është të merren dhe të aplikohen në punën tonë të përditshme në cilindo nivel qoftë të menaxhimit ose të nivelit teknik të trajtimit të trashëgimisë. Ishte dashur të merret seriozisht dhe të trajtohet ashtu si e meriton edhe jo në mënyrë të improvizuar, ad hoc, madje-madje edhe të neglizhuar”, tha ai për “Zërin”.

Të reformohet sektori i trashëgimisë, i cili nuk ka ndryshuar qe 20 vjet

I pyetur se si e vlerëson reagimin e ministrit Gashi në të cilin reagim ai ka kërkuar me urgjencë raport të detajuar nga i gjithë zinxhiri i hierarkisë, Shoshi thotë se për të reaguar është shoqëria civile, kurse ministri duhet t’i marrë masat e veta mbi institucionin ku do të duhej të jepet përgjegjësi dhe të mësohet.

“Unë mendoj se problemi është që në përgjithësi sektori i trashëgimisë do të duhej të reformohej. Secili institucion ta dijë rolin e vet saktë karshi trashëgimisë. Për shembull, trashëgimia e luajtshme si ajo e artefaktit e ka vendin në Muze dhe Muzeu ishte dashur t’i ketë edhe standardet e veta profesionale edhe të zhvendosjes, edhe të trajtimit. Një reformim komplet të sektorit që nuk është bërë kurrë edhe njëzet vjet pas lufte dhe secili nivel ta kryejë detyrën e vet për të bërë pastaj edhe monitorim të punës së institucioneve, në mënyrë që si ky veprim i cili ka ndodhur ta ketë mundësinë të japë përgjegjësi dhe të mësohet prej saj. E jo veç të ndëshkohet, por të mësohet që herëve tjera institucionet ta marrin seriozisht kryerjen e punës së tyre”, është shprehur Shoshi, i cili tutje në anën e tij thotë se ministri Gashi ishte dashur tash jo vetëm të reagojë, sepse reagimet mund të bëhen prej shoqërisë civile, por ishte dashur t’i marrë masat e veta mbi institucionin i cili ka mandatin, ka në dorë fatin e artefakteve. Sipas Shoshit, ky institucion duhet të japë përgjegjësi dhe të mësohet për herët e tjera që të mos ndodhë fati i njëjtë si ky i fundit.

Sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore, që është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, Ministria është përgjegjëse për krijimin e kushteve optimale për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë së luajtshme që mbahen në institucione publike, me qëllim që të mbrohen nga vjedhja, plaçkitja, tjetërsimi ilegal dhe ndonjë akt tjetër ilegal, duke përfshirë këtu përvetësimin, dëmtimin dhe shkatërrimin.