Profesorët përballë ligjit

Profesorët përballë ligjit

Kultura June 24, 2019 - 17:09
Lexo Detajet

Autore: Aulonë Memeti

Raporti «Profesorët përballë ligjit» sjell në vëmendjen e publikut mënyrën se si administrohet drejtësia në rastet kur të dyshuarit, të akuzuarit ose të dënuarit janë pjesëtarë të stafit akademik të Universitetit të Prishtinës (UP), më të madhit universitet publik në vendin tonë. Për këtë qëllim, raporti në thelbin e tij përqendrohet në raste konkrete të shkeljeve të ndryshme të kryera prej pjesëtarëve të këtij stafi, si brenda universitetit, ashtu edhe jashtë tij, për të hetuar nëse ato kanë rezultuar me ndonjë pasojë për angazhimin e tyre akademik.

Është tejet me rëndësi që të gjenerojmë debat publik për këtë temë, meqë janë pjesëtarët e stafit akademik të UP-së ata që duhet t’u shërbejnë si model brezave të ardhshëm që i arsimojnë. Veç kësaj, duke qenë shtresë akademike, shumë prej tyre gëzojnë edhe hapësirë mediale, që d.m.th. se me veprimet e tyre vendosin edhe standarde sociale. Për më tej, paguhen me paratë e tatimpaguesve kosovarë, prandaj kanë përgjegjësi jo vetëm ligjore, por edhe morale për veprimet që bëjnë.

Në pjesën e parë të raportit paraqiten rastet kur pjesëtarë të stafit akademik të UP-së – qofshin profesorë të rregullt, profesorë të asocuar, profesorë asistentë ose asistentë – dyshohen të kenë shkelur në çfarëdo mënyre Kodin e Etikës të UP-së: me mosparaqitje në ligjërata e konsultime; ngacmime seksuale; falsifikime; korrupsione të tilla si keqpërdorime të pozitës zyrtare, avancime jomeritore, nepotizëm, lidhje politike, etj. Kurse në pjesën e dytë, paraqiten rastet të përballjeve të stafit akademik me ligjin në Kosovë, që kanë rezultuar me kallëzime penale, aktakuza, ose dënime nëpër institucionet e drejtësisë, qoftë edhe për veprime që nuk lidhen me punën e tyre në UP.

Për gjitha këto, u dërguam kërkesë zyrtare për qasje në të dhëna dhe dokumente publike të gjithë dekanëve të fakulteteve të UP-së, Rektorit dhe të gjithë prorektorëve, Sekretarit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Etikës të UP-së, Agjencisë Kosovare për Akreditim (AKA), si dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK). Po ashtu, kërkuam intervista me të gjithë dekanët, me rektorin dhe të gjithë prorektorët e UP-së. Takuam edhe përfaqësues të organizatave dhe të institucioneve joqeveritare relevante, që në forma të ndryshme i kanë përcjellë zhvillimet në UP. Po ashtu, kërkuam dokumentet publike në shtatë gjykatat themelore të Kosovës, kontaktuam edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) si dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK). Tutje, përmblodhëm të gjitha rastet e përballjeve me ligjin të stafit akademik të cilat gjatë kësaj dekade janë publikuar nëpër media (gazeta, radio, televizione dhe portale).

Image

Kufizimin kryesor metodologjik në këtë raport ishte hezitimi dhe mospërgjigjja e shumë prej institucioneve dhe organeve relevante universitare e gjyqësore, çka na pamundësoi intervistimin e zyrtarëve dhe titullarëve të caktuar, si dhe qasjen në dokumentet publike. Meqë raporti merr parasysh edhe ndërlikimet ligjore të paraqitjes së të dhënave të tilla, e ndër to edhe të drejtën e prezumimit të pafajësisë për pjesëtarët e stafit akademik të UP-së që kanë lëndë të hapura, të përmbyllura, ose tashmë të vjetruara, në gjykata ose në institucione të tjera të drejtësisë, raporti përmbanë një analizë ligjore që shtjellon argumente për ndikimin e hezitimit dhe mospërgjigjes së institucioneve përkatëse ndaj kërkesave tona zyrtare.

Gjetjet kryesore të raportit janë:

Janë 8 aktakuza gjithsejt, në të cilat përfshihen 15 pjesëtarë të stafit akademik të UP-së, si dhe 2 kallëzime penale, në të cilat përfshihen gjithsej 4 pjesëtarë të këtij stafi. Pra, sipas raportimeve në mediat kosovare, janë gjithsej 19 pjesëtarë të stafit akademik të UP-së të cilët kanë pasur dhe/ose kanë lëndë në gjykatat e Kosovës.

Nga 8 aktakuzat, 5 lidhen drejtpërdrejt me profesorë me pozita e funksione të larta publike si: Valton Beqiri, ish-Ministër i Kulturës; Enver Hasani, ish-Kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-Rektor i UP-së; Murat Meha, Kryeshef i Përgjithshëm i Agjencisë Kadastrale të Kosovës; Besim Beqaj, ish-Ministër i Zhvillimit Ekonomik; si dhe Ferdije Zhushi, ish-Kryetare e Bordit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës.

*Deri më sot nuk është dënuar asnjë profesor i UP-së me vendim të formës së prerë.

Sipas hulumtimeve të organizatave të shoqërisë civile, rezulton se: një pjesë e madhe e pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së nuk i justifikojnë titujt akademikë; plagjiatura ka përhapje shqetësuese si te stafi akademik, ashtu dhe te studentët; shumë profesorë nuk i mbajnë me rregull ligjëratat dhe provimet, për shkak të angazhimeve qoftë në poste publike qeveritare, qoftë në institucione të tjera të arsimit të lartë, duke ua ngarkuar këto detyrime asistentëve; ngacmimet seksuale, megjithëse të përhapura, pothuajse nuk raportohen fare, e as për rastet e pakta që raportohen, nuk ndërmerren masa.

Institucionet gjyqësore e prokuroriale nuk ofrojnë informacione për rastet kur pjesëtarët e stafit akademik të UP-së përballen me ligjin, që do të thotë se i mbajnë të fshehta dhe larg syrit të publikut. As nga ana e UP-së nuk ka gatishmëri për të ofruar informacione rreth përballjeve të stafit akademik të vet me ligjin. Për më tej, asnjë profesor nuk është suspenduar për shkak të përballjes me ligjin.

Askush nga Rektorati i UP-së, duke përfshi rektorin, prorektorët, Këshillin e Etikës dhe Sekretarin e Përgjithshëm të UP-së, nuk pranoi të intervistohej lidhur me rezultatin e shkeljeve të lartpërmendura nga pjesëtarë të stafit.

Pesë prej dekanëve, konkretisht Lindita Sejdiu-Rugova nga Fakulteti i Filologjisë, Ethem Çeku nga Fakulteti i Edukimit, Enver Hamiti nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Musa Selimi nga Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit, si dhe Haxhi Gashi nga Fakulteti Juridik, nuk na i janë përgjigjur kërkesës për intervistë as përmes e-mail-it e as përmes telefonit.

Katër prej dekanëve, konkretisht But Dedaj nga Fakulteti Ekonomik, Bujar Dugolli nga Fakulteti Filozofik, Tahir Arbneshi nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, dhe Agim Selimi nga Fakulteti i Arteve, na thanë se Kolegjiumi i Dekanëve ka marrë vendim që dekanët individualë të mos u përgjigjen pyetjeve tona dhe se ato duhet t’u drejtohen Sekretarit i Përgjithshëm të UP-së, i cili gjithashtu nuk na është përgjigjur.

Vetëm dy dekanë, Skënder Kaçiu nga Fakulteti i Bujqësisë dhe i Veterinarisë, si dhe Ahmet Shala nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, pranuan të zhvillonin intervistë dhe të dy u shprehën se nuk kishin asnjë rast të dokumentuar për shkeljet e lartpërmendura në fakultetet që drejtojnë. 

(Raporti «Profesorët Përballë Ligjit» është publikuar nga ADMOVERE, e cila është anëtare e Koalicionit për Integritet dhe Transparencë në Universitet – KITU, mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura këtu janë të ADMOVERE-s dhe nuk paraqesin medoemos pikëpamjet e KITU-s apo të KFOS-it)