Sinan Kajtazi zgjedhet drejtori i ri i Baletit Kombëtar të Kosovës

Sinan Kajtazi zgjedhet drejtori i ri i Baletit Kombëtar të Kosovës

Kultura June 20, 2019 - 18:16
Lexo Detajet

Balerini Sinan Kajtazi është emëruar drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, për një mandat 3-vjeçar. 

Këshilli Drejtuesi i BKK-së përgjegjës për zgjedhjen e drejtuesit të këtij institucionit ka përmbyllur procesin e konkursit për zgjedhjen e  drejtorit të BKK-së gjatë ditës sotme, duke ia besuar Kajtazit drejtimin e BKK-së.

Kajtazi ka dalë kandidati më i suksesshëm në konkursin e hapur kohë më parë për zgjedhjen e drejtorit të BKK-së.

Konkursi për zgjedhje e BKK-së, ishte i brendshëm dhe përveç Kajtazit pjesë e konkursit ishin edhe Sead Vuniqi dhe Luljeta Ademi, që të gjithë pjesë e trupës rezidente të BKK.

Sinan Kajtazi është pjesë e BKK-së që nga riaktivizimi i këtij baleti pas lufte. Ndaras për disa vite ka qenë anëtar - kryesues i Këshillit Drejtues të TKK-së dhe që nga janari i këtij viti edhe u.d.d i BKK-së.

Sipas ligjit për Filharmoninë, Operën dhe Baletin, Neni 46, pika 46.1. drejtori i Baletit zgjidhet në bazë të konkursit publik të shpallur nga Këshilli drejtues me propozim të Këshillit artistik. “Për drejtor të Baletit zgjidhet personi me përgatitje profesionale në fushën e artit dhe të kulturës, si dhe me përvojë dhe aftësi udhëheqëse. Drejtori i Baletit zgjidhet me mandat dhe në kohëzgjatje prej 3 vjetësh. Personi i njëjtë mund të rizgjidhet. Drejtorin e Baletit e zgjedh dhe e shkarkon Këshilli drejtues sipas procedurës së caktuar me ligj”, thuhet në nenin 46 të ligjit për Filharmoninë, Operën dhe Baletin.