Nga Ferizaj në Skala të Milanos

Nga Ferizaj në Skala të Milanos

Kultura June 17, 2019 - 11:15

Bardh Frangu

Baritoni Xhemil Rexhepi, i lindur në vitin 1959, në fshatin Radash të komunës së Dragashit, në Ferizaj kishte ardhur si fëmijë njëvjeçar. Shkollën fillore e ka mbaruar në këtë qytet, përkatësisht në atë “25 Maji”, tani me emrin “Gjon Sereçi”. Duke qenë me përkatësi goran, mësimet i ka ndjekur në gjuhën serbo-kroate. Rruga deri në Skala të Milanos ishte shumë e gjatë për të. Fillon nga Ferizaj për të vazhduar me shkollën e mesme në Prizren, pastaj me akademinë muzikore në Prishtinë - Dega e Solokëndimit, për të vazhduar në Trieste, ku mbaron konzervatoriumin muzikor “Gjuzepe Tartini”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Po këngëtari i operës nuk është ndalur me kaq, ai ka vazhduar perfeksionimin e zërit në Akademinë e Verdit në Busete dhe në akademinë “Kixhano” në Sijenë, në mënyrë që për ta përmbyllur ëndrrën e tij me hyrjen në teatrin “Skala” të Milanos, teatrin më të njohur në botë për operë dhe balet. “Ferizajasit i kanë lidhur ëndrrat e tyre me trenin e quajtur ‘Akropolis’, i cili lëvizte nga Athina për në Minhen dhe i cili ndalej në stacionin e Ferizajt. Ky tren ndërkombëtar na ka mundësuar t’i rrisim ëndrrat tona përtej këtij vendi të vogël. Me ëndrra të tilla jam rritur edhe unë”, thotë baritoni Xhemil Rexhepi, i cili nga Milano ka zbritur në Ferizaj për të mbajtur një koncert për bashkëqytetarët e tij dhe në këtë mënyrë për t’iu kthyer fëmijërisë së tij, e cila është shumë e lidhur me imazhin që ndërton pamja e xhamisë dhe kishës ortodokse në të njëjtin oborr, në qendër të qytetit dhe krejt para shtëpisë së tij, ku ai ka kaluar fëmijërinë, pamje kjo e cila ka qëndruar e njëjtë edhe pas kaq shumë ndryshimeve dhe ndërtimeve kaotike që kanë ndodhur në këtë qytet.  

Bisedën me të e bëjmë në gjuhën shqipe. Duket jo vetëm që nuk e ka harruar gjuhën shqipe, por sikur e ka perfeksionuar edhe më. Madje e flet në atë nivel sa shumë prej artistëve tanë do t’ia kishin lakmi. “Duket kam prirje për gjuhët. Jam një kozmopolit dhe si i tillë jam i pasionuar ndaj vendeve dhe gjuhëve të ndryshme. Pos gjuhëve sllave dhe shqipes, flas italishten, spanjishten, greqishten, gjermanishten, anglishten, japonishten... Edhe si nxënës i fillores më së shumti e kam dashur lëndën e gjeografisë. Ato vende që i kam mësuar në gjeografi tani i shkel me këmbë, ndërsa nëpër shumë qendra të shteteve më të njohura të botës kam rastin të mbaj koncerte. Jam si një atllas gjeografik”, shprehet me humor këngëtari i operës, Xhemil Rexhepi. “I çmoj shumë qytetarët e Ferizajt, të cilët janë shumë mikpritës. Pastaj e dua shumë këtë qytet se ka një klimë shumë të mirë, ndërsa gjendet rrëzë Maleve të Sharrit”, thotë baritoni Rexhepi, i cili dallon nga artistët tjerë edhe për faktin se ka një shpirt prej artisti, ndërsa trupin e ka prej një sportisti. “Po, nuk abuzoj me shëndetin, vazhdimisht merrem me ushtrime trupore dhe mbase jam i specializuar në këtë fushë”, shprehet ai, ndërsa arsyeton fizikun e tij plot muskuj.

Kur ia kujtoj kohën e tij si djalosh që truponte rrugën kryesore të qytetit të Ferizajt me një violinë në dorë, ai shprehet: “Po, violina ishte dashuria ime e parë, por profesori i solokëndimit më orientoi në këtë, ku arrita krejt atë që kam dashur në jetë”.

Vërtet artisti Rexhepi ka arritur shumë. Pos që është bërë një emër i njohur në arenën ndërkombëtare, ai edhe ka fituar shumë çmime prestigjioze në karrierën e tij. Madje pos koncerteve të shumta ka realizuar edhe mbi njëzet role në opera të ndryshme.

Xhemil Rexhepi është i martuar me japonezen Hiromi Ushizako, gjithashtu një këngëtare e operës. Ka dy djem, me karrierën e të cilëve është shumë i kënaqur. Jeton në Milano të Italisë si artist i lirë. “Jetoj si artist i lirë. Kam menaxherin tim që më angazhon nëpër koncerte dhe opera. Tani më shumë i jam përkushtuar familjes. Djali i madh Selimi është i dhënë pas prodhimit të verërave dhe është dëshmuar si shumë i suksesshëm, ndërsa i dyti, Qerimi, po merret me vallëzimin modern dhe po dëshmohet si shumë i suksesshëm”, flet me admirim për familjen e tij Rexhepi.

Tek i tregoj se e kam parë dokumentarin për të, të realizuar nga Televizioni i Kosovës, kanali në gjuhën serbe, ai shprehet: “Po, erdhën në Milano dhe e realizuan atë dokumentar. Më erdhi mirë për këtë. Me kënaqësi do të kisha folur edhe për mediet në gjuhën shqipe, por nga ana e tyre nuk ka pasur ndonjë interesim për këtë. Nuk kam pasur as edhe ndonjë kërkesë për të ardhur me ndonjë koncert në Prishtinë, gjë të cilën do ta kisha bërë me shumë dëshirë. Në Ferizaj erdha me kërkesën e klarinetistit Astrit Mustafa, të cilit i jam shumë mirënjohës”, thotë Rexhepi, që mediet në gjuhën serbe e kanë prezantuar dhe i kanë dhënë shumë hapësirë, shpesh edhe duke e nxjerrë në pamjen që atyre u ka konvenuar, madje duke e cilësuar herë si boshnjak e herë si goran. Po për të gjitha këto ai ka një përgjigje: “Unë jam i ndarë në tri pjesë. Si kosovar kam pasaportë Kosove, si italian kam pasaportë italiane, si japonez kam pasaportë japoneze. Njerëzit harrojnë që bota është e rrumbullakët dhe nuk mund të thyhet në copa. Unë i takoj gjithë njerëzimit dhe të gjitha kulturave”.

Me koncertin e mbajtur në teatrin “Adriana” në Ferizaj baritoni Rexhepi u nda shumë i kënaqur, sikundër edhe publiku me të, ndërsa për dallim nga herët tjera, kur në koncerte të tilla interesimi është tepër i vogël, kësaj radhe salla ishte gati përplot. Mbase ferizajasit në këtë mënyrë donin të shprehnin respektin dhe mirënjohjen për njeriun e tyre, i cili ka arritur të prekë majat prej një artisti të operës. Zëri