RRGK-ja prezanton ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”

RRGK-ja prezanton ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”

Kultura June 16, 2019 - 10:25
Lexoni detajet

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ditën e premte u hap ekspozita dyditore “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, e përgatitur nga Rrjeti i Grave të Kosovës. Para publikut kosovar janë shpalosur disa prej rrëfimeve të grave dhe të burrave që kanë përjetuar dhunë në familje, përjetime këto të mbledhura nga RRGK-ja. Për më tepër, ekspozita ua ka mundësuar qytetarëve të informohen mbi atë se çka ofrojnë institucionet në trajtimin e këtij lloji të dhunës, ku mund të mbështeten dhe të kërkojnë ndihmë e drejtësi.

“Dhuna në shumë familje kosovare është përditshmëri tejet e hidhur. Mjerisht në shoqërinë tonë viktimat e dhunës në familje akoma fshihen brenda mureve të shtëpisë. Kur njerëzit dëgjojnë dhunën te fqinjët, thonë ‘Çka bojnë ata mrena shpisë tyne, osht punë për ta’”, u tha nga RRGK-së.

Adelina Berisha, hulumtuese dhe koordinatore për avokim, tha se ekspozita ka një mesazh dhe kryesori është se dhuna nuk mund të fshihet brenda mureve të familjes. Ajo ftoi të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që ta mbështesin këtë kauzë, sepse jemi duke folur për dhunën në familje fakt ky që është shumë i shprehur në Kosovë.

“E kemi hapur ekspozitën që motoja të mos mbetet vetëm si fjalë, si problem i familjes, por si një problematikë ku reagon shoqëria dhe institucionet vendore. Vetë ekspozita ngërthen në vete storie të grave e të burrave që kanë përjetuar dhunë. Kjo tentativë e RRGKS-së që të ngrejë vetëdijen e qytetarëve është një formë për ta luftuar dhunën”, tha Berisha.

Ekspozita ka për qëllim që tregimet, të cilat fshihen brenda shtëpive, ku dhuna ndodh të dihen, të raportohen e të çohet drejtësia në vend përmes organeve kompetente. Kjo ekspozitë është përkrahur nga Bashkimi Evropian përmes “UN Women”, Agjencisë Austriake për Zhvillim - TOML, si dhe nga disa biznese e vullnetarë të ndryshëm.

Ekspozita, e cila përmban materiale multimediale dhe interaktive, përveç kryeqytetit në muajt e ardhshëm do të shfaqet edhe në gjashtë komuna të tjera të Kosovës. Ekspozita do të jetë e hapur edhe të shtunën nga ora tetë e mëngjesit deri në orën tetë të mbrëmjes./ZERI