Mbyllet për vizitorë Mësonjëtorja e Parë Shqipe

Mbyllet për vizitorë Mësonjëtorja e Parë Shqipe

Kultura June 14, 2019 - 09:58
Lexo më shumë detaje

 

Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë ka pësuar dëmtime të godinës dhe plasaritje të mureve. Dëmet që janë shkaktuar objektit brenda dhe jashtë kanë ardhur si rezultat i tërmeteve që kanë goditur qarkun e Korçës. Tërmetet që goditën qarkun e Korçës përveç dëmeve në banesa, kanë shkaktuar dëme edhe në Muzeun Kombëtar të Arsimit. Mësohet se prej datës 7 qershor aktivitetet dhe vizitat në Muze janë pezulluar. Po ashtu përkohësisht dyert u janë mbyllur dhe kanë ndërprerë aktivitetin e dy prej muzeve kryesore në qytetin e Korçës. Shkaku që këto dy qendra muzeale mbyllen për një afat të pacaktuar, lidhet me pasojat e tërmetit të 1 qershorit që goditi rajonin juglindor.

Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, e pohoi faktin se këto dy muze janë mbyllur për shkaqe sigurie pas rënies së tërmetit. Ai sqaroi se nga ana e specialistëve të Ministrisë të Kulturës do vlerësohet gjendja dhe masat që duhen ndërmarrë për këto objekte, raporton “Vizionplus”. Ka të dhëna se valët e tërmetit shkaktuan dëme të lehta në objektet ku funksionojnë Muzeu i Arsimit dhe ai Arkeologjik. Vetë ndërtesat e amortizuara, sidomos ajo e Mësonjëtores së parë Shqipe, nuk i përballuan pa dëme goditjet e tërmetit.

Mbyllja e dy qendrave muzeale në Korçë është vendosur edhe si masë mbrojtëse për sigurinë e jetës së vizitorëve, pavarësisht se lëkundjet sizmike duken të kaluara në rajonin juglindor. Ende nuk dihet se kur këto qendra muzeale do të rifillojnë aktivitetin, ndërsa Muzeu Kombëtar i Arsimit është edhe në projekt restaurimi për gjendjen e amortizuar të ndërtesës.